Ekonomia

Paketa fiskale 2018/TVSH do të shtrihet deri te bizneset me xhiro 2 milionë lekë

Ministria e Financave ka gati ndryshimet në paketën fiskale që do të zbatohet gjatë vitit 2018. Paketa i është nisur ditën e sotme të gjitha shoqatave të biznesit për shqyrtim.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të Dhomës Amerikane të Tiranë i kërkoi komunitetit të biznesit që në një kohë të shkurtër të paraqesin propozimet e tyre lidhur me këtë paketë.

Kohën e kufizuar për propozimet e biznesit, ministri Ahmetaj e lidhi me mungesën e angazhimit të ministrave teknikë për hartimin e buxhetit dhe paketës fiskale.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të shtrihet deri në nivelin 2 milionë lekë

Tatimi mbi vlerën e shtuar do të shtrihet deri në nivelin 2 milionë lekë të sipërmarrjes së vogël.  Përjashtohen ambulantët, tregjet e bagëtive dhe zejtarët zejtarët dhe nëse sot anë gati 70 mijë biznese jashtë skemës së deklarimit të TVSH, gjithsej do të hynë brenda skemës vetëm 9 mijë. 61 mijë do të mbeten të përjashtuar për shkak të nivelit të ulët të xhiros nën 2 milionë. Nuk do të ketë rritej të çmimit as kosto shtesë sese ata do të deklarojnë një herë në tre muaj sikurse deklarojnë sigurimet shoqërore.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi se shtrirja e TVSH-së deri në këtë nivel bëhet me qëllim për të strukturuar finalisht transaksionin nga i madhi tek i vogli.
“99 % e të ardhurave nga TVSH vjen nga biznesi i madh. Fokusi ynë është sipërmarrja e madhe. Tani do të kemi më të strukturuar gjithë transaksionin e TVSHsë. Kemi shtuar një instrument plus për të patur një skanim më të thellë të transaksionit të TVSH-së”. deklaroi ministri Ahmetaj.
Me këtë hap 61 mijë biznese përjashtohen nga TVSH-ja, ndërsa skemës i shtohen 9 mijë biznese.

Taksa e pasurisë- Ndryshon metodologjia e llogaritjes

Ndryshon metodologjia e llogaritjes së kësaj takse nga taksa fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në taksë në përqindje e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës.

Parashikohet ngritja e Kadastrës Fiskale (regjistrit të të dhënave të pasurive të paluajtshme) e cila do të mbështesë dhe do të rrisë eficencën e mbledhjes së taksës së ndërtesës
Riklasifikohet taksa e tabelës, për të pasur një vendosje më të drejtë të taksës referuar llojit të tabelës (e thjeshtë, me ndriçim, elektronike);
Përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 yje ose 5 yje “status special” sipas përcaktimit në legjislacionin përkatës për fushën e turizmit.
Ky projektligj pritet të sjellë një efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit me përafërsi 2.4 miliard lekë.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” -Incentivim në fushën e prodhimit të software-ve

Parashikohet incentivimi për sektorin e turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “hotelet me 4 dhe 5 yje, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të fushës së turizmit.

Po ashtu parashikohet incentivim në fushën e prodhimit të software-ve duke reduktuar normën tatimore nga 15% në 5%, si një instrument i rëndësishme për të incentivuar mbajtjen e kapaciteteve intelektuale brenda vendit si një faktor i kyç për zhvillimin teknologjik dhe atë ekonomik.
Efekti negativ në buxhetin e shtetit parashikohet të jetë rreth 93 milion lekë.

Ndryshime në ligjin “ Për miratimin e tarifës doganore”

Reduktohen disa tarifave doganore të aplikuara në import, të cilat kanë të bëjnë me produktet që përdoren në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky projektligj shoqërohet me efekte financiare negative në buxhetin e shtetit në masën rreth 59 milionë lekë.

Ndryshime në ligjin “Për akcizat”-Rritet akciza e cigareve

Ndryshimet në ligjin për akcizat synojnë rritjen e akcizës së cigareve. Konkretisht, në kalendarin aktual akciza për cigaret që përmbajnë duhan, për vitin 2018 është parashikuar të jetë në nivelin 5750 lekë/1000 copë. Me këtë projektligj propozohet që akciza për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2018 të jetë në nivelin 5850 lekë/1000 copë.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Efekti në të ardhurat e buxhetit e shtetit parashikohet të jetë + 1,097 milionë lekë.

Ulet TVSH-ja për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese hotele me 5 yje

Propozohet aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së për furnizimet e ofruara në strukturat akomoduese konkretisht për hotele me 5 yje me status të veçantë, të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, në masën 6 %.

Taksë për automjetet e luksit “6+1”

Një tjeëtr ligj që ndryshon është edhe ai “Për taksat kombëtare”. Ndryshimi lidhet me aplikimin e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës së përvitshme për automjetet luksoze. Ky projektligj synon të ndryshojë kriterin e kapacitetit fizik të automjeteve që konsiderohen automjete luksi për qëllime të këtij ligji. Aktualisht me ligjin në fuqi, konsiderohen automjete luksi, autoveturat deri në 4+1të cilat plotësojnë të paktën një nga kriteret:
a) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
b) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë.
Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, synohet qe kriteri “4+1” të zëvendësohet me kriterin “6+1”.
Projektligji parashikon efekte pozitive në masën 19 milion lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button