Opinion

Panairi – Shija e vrarë e librit

Nga Monika Stafa

Nëntori vjen gjithmonë i lagësht në Tiranë. E bashkë me të edhe Festa e librit. Ditët e kësaj feste duhet të jenë të gëzueshme, por pesha e brishtë që libri sot mbart solli gëzim vetëm në një kënd të kryeqytetit. Në cepin e fundëm të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku dhe panairi po mbahet, si një festival titujsh të panumërt, në Pallatin e Kongreseve.

E megjithëse të panumërt, shija për të përzgjedhur atë që më duhet ta përvetsoj me kohën gjithmonë e më vështirësohet.

Cila është arsyeja?

Në Ditët e Librit disa veprimtari u zhvilluan në ambjentet e Pallatit të Kongreseve aty ku dhe stendat me germat e mëdhenj të shtëpive botuese kishin shënuar emrat dhe logot e tyre. Në një prej tyre isha dhe unë. Quhej ‘Sofaja e Librit’.

Organizatorët ishin kujdesur në mënyrë të posaçme që cdo gjë të merrte vëmendjen e merituar. Autori dhe lexuesi me median në mes. Deshira per te bere bashke keto komponente ishte dhe synimi i ketyre aktiviteteve qe me shume gjase kane nje profitback te suksesshem.

Në Shqipëri botohen mesatarisht çdo vit 3000 tituj librash e më shumë. Bashkë me titujt që botohen shqip në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në vende të tjera mund të jetë dyfishi i këtij numri titujsh.

Letërsi shqip botohet edhe në Kroaci, Rumani, Itali, Gjermani, Britani, Greqi, SHBA, Francë. Libri shqip porositet krahas botimeve të tjera prej një shumice bibliotekash universitare e shkencore në Perëndim e në Lindje.

Duke pasur parasysh numrin e popullsisë, kjo është një shifër mjaft e lartë. Por jo gjithçka shprehet në shifra. Ky shpërthim i fuqishëm i dëshirës për botim lidhet edhe me daljen e shoqërisë nga kontrolli ideologjik. Ende sot ne e vuajmë këtë paranojë.

Dihet mirë se në totalitarizëm botimi i një libri ishte para së gjithash status në shoqëri, ishte garanci politike dhe ideologjike, jo vetëm autorësi e autoritet. Njëherësh, kontrolli mbi librin ishte dhe kontroll mbi mendimin. Dhe kjo çoi në një kufizim të njohur të veprimtarisë botuese.

Të gjithë lëvdojnë sasinë e botimeve në 30 vitet e fundme, por njëherësh të gjithë lëvdojnë leximin e dikurshëm. Dhe atëherë lind pyetja: botohet, por për kë? Kush lexon në Shqipëri, kur lexon, çfarë lexon? Shkollat, çfarë “meny-je” librore u ofrojnë nxënësve? Nëse nuk lexohet, çfarë ka ndodhur me leximin?

Në Shqipëri mungon sistemi i garancive të cilësisë së librit, një trupë e denjë autoritetesh me emra publikë.

Cili autoritet dhe mbi ç’parashikime jepet ky kodifikim?

Flitet gjithashtu për ranking dhe rating të librit, por treg dhe konkurrencë që mund të plotësojë këto kërkesa nuk ka.

Kjo mund të duket si një problem teknik, që u intereson vetëm një grushti profesionistësh. Por pikërisht mungesa e këtyre garancive cilësore ka çuar deri në kompromentim të vlerave, në nënçmim të tyre, në paravendosjen e botimeve më se mesatare ndaj atyre cilësore, deri tek mirënjohjet shtetërore.

Nga mungesa e garancive standarde ligjore në botime, sidomos në ato shkencore, vjen shthurja e referencave, zëvendësimi i profesionistëve prej amatorëve dhe, mos qoftë e thënë, edhe e këtyre të fundmëve prej sharlatanëve.

Dhe ne fund nje pyetje kam per ju, a eshte edhe ky nje nder shkaqet qe prinderit sot ne diten e 4-rt te Panairit “Tirana 2022”, nxitonin te kerkonin per te vegjlit e tyre cfaredo lloj libri, mjaft te ishte ne anglisht?

Pyetje e pameshirshme…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button