Panariti bën bilancin 6-mujor të bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti paraqiti këtë të mërkurë gjatë një konference për shtyp, të dhënat e zhvillimit të Bujqësisë për 6-mujorin e parë të vitit 2016, duke i krahasuar ato me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ajo që bie në sy nga shqyrtimi i treguesve është zhvillimi në tërësi i Bujqësisë, në të 3 shtyllat e saj: bimët e arave, blegtori dhe peshkim.
Të dhënat u referohen eksporteve bujqësore, mbështetur në treguesit e vëllimit të mallrave bujqësore që kalojnë doganat dhe të shprehura në njësi prodhimi të matur. Në raport janë përfshirë edhe treguesit e prodhimit bujqësor në tërësi të matur në terren.
Në fushën e eksporteve bujqësore, sipas Panaritit kemi një rritje dyshifrore të tyre në krahasim me një vit më parë. Bëhet fjalë për dyfishim të eksporteve të frutave, nga 2.071 tonë në qershor të 2015-s në 5.058 tonë në qershor të 2016-s; një rritje të eksporteve të perimeve me 28%; të patates me 2.4 herë më shumë se një vit më parë; të qepëve me 80% më shumë se një vit më parë; e po kështu rritje dyshifrore të eksporteve në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Në sektorin e blegtorisë bëhet fjalë për thuajse trefishim të eksportit të vezëve, në krahasim me një vit më parë, si dhe rritje në masën 52% të eksportit të peshkut të freskët dhe të përpunuar, ndërsa edhe një rritje me 60% të eksporteve të mjaltit. Sipas asaj që bëri të ditur ministri Panariti, ka një ulje në masën 7.8% të importeve të prodhimeve bujqësore në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm të bilancit eksport/import në favor të të parit.
Shqipëria, sipas këtij raportimi, zgjeroi më shumë hartën e vendeve ku ajo eksporton, edhe me 7 vende të reja, ku spikatin sidomos hapja e tregut të eksporteve në Republikën Çeke dhe Lituani. U rritën edhe më shumë eksportet drejt Bashkimit Europian, në tregjet e të cilit shesim me çmime më të favorshme se në vendet e rajonit.
Prodhimi bujqësor në tërësi është rritur me 5%, në krahasim me një vit me parë, gjë që është i lidhur edhe me një hop mbresëlënës në zhvillimin e infrastrukturës bujqësore. Kjo pasi sipërfaqja e serave ka arritur në rreth 2.417 hektarë, nga 1.000 ha që ishte në vitin 2013; kemi një zgjerim të numrit dhe të kapaciteteve të pikave të grumbullimit dhe të magazinave frigoriferike, si dhe linjave të përpunimit, ambalazhimit dhe të kalibrimit.
E shprehur në vlerë monetare dhe e përllogaritur në bazë të çmimeve të referencës, kjo masë e shtuar prodhimi dhe eksporti i ka dhënë ekonomisë kombëtare, por edhe asaj individuale, rreth 50 milionë dollarë të ardhura më shumë se një vit më parë.