Panariti: Rritja e ofertës, grumbullimi dhe shpërndarja, çelësi i zhvillimit të bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bizneseve, që u erdhën në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në jug të vendit. Ministri Panariti i falënderoi bizneset, duke theksuar se vëmendja dhe sakrifica e tyre ishte një mbështetje e madhe për përballimin e pasojave të përmbytjeve.
Ndër të tjera, ministri theksoi vendosmërinë e institucionit që drejton për të nxitur investimet në bujqësi. Sipas Panaritit, rritja e ofertës, grumbullimi dhe shpërndarja, janë çelësi i zhvillimit të bujqësisë.
“Bujqësia është sektori që mbart një të ardhme. Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare kalon nga bujqësia. Fakti që sektorë tradicionale shtytës si ndërtimi janë në stanjacion, vëmendja është drejtuar tek bujqësia. Është një sektor i cili ka të garantuar kërkesën. Për rrjedhojë duhet të ketë ofertën. Dhe që të ketë ofertën kjo bëhet nëpërmjet nxitjes së investimeve. Prandaj jam shumë i lumtur që ju kam në krahun tim dhe të fermerëve për të nxitur ndjeshëm ofertën. Duhet të investojmë shumë në rritjen e sipërfaqes me sera, brenda këtij mandati kemi ambicie ta trefishojmë sipërfaqen me sera. Duhet të investojmë në pikat e mëdha të grumbullimit dhe magazinimit të produkteve. Rritja e ofertës dhe grumbullimi dhe shpërndarja janë çelësi i zhvillimit të bujqësisë”- deklaroi ministri Panariti.
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka u bëri thirrje bizneseve që të operojnë me investimet e tyre në bujqësi.
“Të ndërgjegjësohemi dhe të operojmë me investimet tona në bujqësi. Kemi shumë resurse dhe mundësi reale për të investuar dhe prodhuar në Shqipëri dhe pse jo për të qenë edhe një zë i rëndësishëm në eksportin e këtyre produkteve.”-deklaroi Jaka.