Paqe e vështirë: 40 vjet Marrëveshje e Camp-David për Lindjen e Mesme
Në shtator 1978 Izraeli dhe Egjipti ranë dakord në Camp David nën ndërmjetësimin e presidentit të SHBA-së, Jimmy Carter, për një marrëveshje paqeje. Marrëveshja nuk ishte popullore, por një akt i arsyes politike.
Larja në Jordan, udhëtimi përmes vendit të shenjtë të pasur me mite, i paraprinë mahnitjes së Jimmy Carters pas Lindjes së Mesme dhe dëshirës që rezultoi prej kësaj për të kontribuuar në çlirimin e këtij rajoni. Më 1977 ai zgjidhet president i SHBA-së, besimtari i zellshëm kristian, filloi ta verë në jetë këtë nismë.
“Ai kishte krijuar bindjen, që Zoti i kërkonte atij të sillte paqen e që duhej të gjente një rrugë drejt saj”, shkruan shkrimtari Lawrence Wright në librin e tij “Trembëdhjetë ditë në shtator”, një kronikë e atyre dy javëve, që sollën suksesin, i cili dukej si i pamundur: Nën ndërmjetësimin e presidentit të SHBA-së kreu i shtetit të Egjiptit Anvar al-Sadat dhe kryeministri i Izraelit Menachem Begin më 17 shtator 1978 ranë dakord për një marrëveshje paqeje midis dy vendeve, e cila u nënshkrua zyrtarisht pas disa muajsh, më 26 mars 1979.
Përvoja personale me dhunën
Të dy, Sadat dhe Begin, në fëmijërinë e tyre kanë pasur përvojë me dhunën e pushtuesve të huaj. Kur lindi Sadat me 1918 Egjipti ndodhej ende nën sundimin e britanikëve. Sadat preferonte ta tregonte historinë, që kishte ndodhur më 1906 para se ai të kishte lindur. Asokohe një shoqatë gjuetarësh britanikë marshoi përmes fshatit Dinshavai në Deltën e Nilit. Si rrjedhojë pati një përplasje mes britanikëve dhe banorëve të fshatit, gjatë së cilës gjeti vdekjen një oficer britanik. Britanikët dërguan një ekspeditë, prej së cilës u arrestuan 52 banorë të fshatit. Shumica u rëmbyen ose u dënuan me burg, katër burra u varën.
Shumë më brutal pat qenë përjetimi i Menachem Begin, i lindur në vitin 1913, i cili ishte përballur me dhunën pushtuese. Më 1941 Wehrmacht-i pushtoi qytetin e tij Brest-Litovsk në Bjellorusinë e sotme. Menjëherë nazistët arrestuan hebrejtë në qytet për t’i deportuar ata në kampet e shfarrosjes. Nëna e Begin, Chasia në këtë kohë ndodhej në spital. Nazistët e vranë atë në shtratin e të sëmurit. Babait të Begin, Ze’ev Dov i lidhën gurë në trup dhe e mbytën në lumin Bug.
Këto përvoja të dobësisë dhe pamundësisë për t’u mbrojtur i nxitën të dy burrat, që të luftojnë për sigurinë e vendit të tyre – Sadat në Egjipt, Begin në Izrael. Të dy e shihnin konfliktin e nisur në Lindjen e Mesme me themelimin e shtetit të Izraelit si një spirale pafund: e mira e njerit ishte në dëm të tjetrit – çdo fitim territori prej izraelitëve kufizonte territorin e arabëve dhe anasjelltas.
Afrim i ngadalshëm
Këtë po kështu e shihnin përkatësisht edhe paraardhësit e tyre. Rivalitetet mes Egjiptit dhe Izraelit që nga viti 1948 hap pas hapi po ktheheshin në armiqësi të hapur. Deri në konferencën e Camp David të dy vendet ishin përballur në katër luftra: ajo më 1948/49, që u pasua menjëhrë me themelimin e shtetit të Izraelit, pastaj kriza e Suezit më 1956, lufta gjashtë-ditore më 1967 dhe së fundi e ashtuquajtura lufta Jom-Kippur më 1973. Një spirale e dhunës, të cilën donte ta ndalonte Carter.
Përpjekje për afrim kishte pasur edhe para takimit në Camp David. Më 9 nëntor 1977 Sadat deklaroi para parlamentit egjiptian, se ai do të shkonte deri në fund të botës, madje deri në Knesset, nëse do të duhej të shpëtonte jetën qoftë edhe të një ushtari të vetëm. Kur Begin e ftoi atë, Sadati e pranoi ftesën: më 20 nëntor ai ndodhej në Knesset – fakt ky që e indinjoi botën arabe. Siria, Iraku, Libia dhe Algjeria i ndërprenë kontaktet diplomatike me Egjiptin, OÇP (Organizata për Çlirimin e Paletinës)e dënoi këtë hap të Sadatit.
Marrëveshje nën presionin e SHBA-së
Sidoqoftë një vit më pas Sadat dhe Begin u takuan në Camp David. Të dy e kishin të qartë, se në këto bisedime krahas paqes bëhej fjalë edhe për marrëdhënie mundësisht të mira me SHBA-në. Si egjiptianët ashtu edhe Izraelitët ishin të vendosur për një kurs të ashpër bisedimesh, por edhe e dinin, se edhe një linjë rixhide e qëndrimit të tyre do të mund të influenconte ndjeshëm e afatgjatë raportet e vendit të tyre me SHBA-në.
Impulsin më në fund e dha vetëdija, që logjika e spirales së pafundme nuk kishte më efekt, që krahas sensibiliteteve në Lindjen e Mesme duhej marrë parasysh edhe sensibiliteti i SHBA-së që ishin të lidhura ngushtë: Begin dhe Sadat ranë dakord.
Marrëveshja e paqes i detyronte të dyja palët ta njohin reciprokisht shtetin përkatës. Kjo i dha fund gjendjes së luftës që ekzistonte qysh nga viti 1948. Izraeli duhej të tërhiqej nga gadishulli i Sinait në Egjipt që vazhdonte ta mbante nën kontroll.
U përcaktuan edhe këto parime: duhej të njiheshin të drejtat e palestinezëve, të hiqeshin ngulimet izraelite në territorin palestinez. Në këmbim anijet izraelite do të kishin liri lëvizjeje në Kanalin e Suezit, edhe rruga Tiran dhe gjiri i Akabasë u njohën ndërkombëtarisht e kësisoj ishin të pranuara edhe si rrugë të qarkullimit ujor për Izraelin.
Çmime nobel të paqes, por pak entuziazëm
“Dy krerë të mëdhenj shteti – të mëdhenj për historinë e kombeve të tyre – presidenti Anvar al-Sadat dhe kryeministri Menahem Begin e kanë drejtuar këtë betejë me më shumë guxim, këmbëngulje dhe frymëzim se çdo gjeneral, që i ka çuar njerëzit dhe makineritë në kasaphanë”, kështu e vlerësoi rezultatin e bisedimeve presidenti i SHBA-së Jimmy Carter.
Por Begin dhe Sadat fillimisht patën vështirësi të mëdha për ta zbatuar planin në vendet e tyre – pavarësisht vlerësimit me Çmimin Nobel të Paqes, që iu akordua të dyve më 1978. “Fati i kombit ndodhet në pikëpyetje”, i tha Begin Carter-it gjatë vizitës së tij në Izrael në mars 1979. Ngjashëm e shihnin situatën edhe shumë egjiptianë – në krye të tyre ekstremistët islamistë. Anvar al-Sadat në tetor 1981 u vra prej islamistëve gjatë një parade ushtarake – një arsye për këtë ishte edhe qendrimi i tij i ashpër kundrejt islamistëve.
Trashëgimia e Camp David ndonëse mbahet lart edhe sot e kësaj dite, kjo rëndom pa entuziazëm. Të dyja palët e dinë, që ato nuk mund ta përballojnë një luftë të mëtejshme, sepse ajo do të kishte pasoja fatale për të dy vendet. Një paqe e mirëfilltë është domosdoshmëri e arsyes.