Pas gjermanëve dhe italianëve, Skavica josh turqit
Përfaqësues të kompanive turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”’, që operojnë në fushën e infrastrukturës në energji dhe turizëm shfaqën së fundi interesimin për të marrë me konçension ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Para dy ditesh ata u takuan me drejtorin e KESH-it, Agron Hetoja, ku përveç interesit për të investuar në ndërtimin e HEC Skavica, u njohën me elementët teknikë, ligjorë dhe financiarë për realizimin e saj, ndërsa do të vizitojnë HEC-et e kaskadës së lumit Drin. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në prezantimin e Planit të menaxhimit mjedisor dhe social të projektit hidroenergjitik mbi Devoll, para pak kohësh, pohoi se ky model duhet të përhapet me projekte të tjera si Skavica, Vjosa, etj.
Interes kanë paraqitur investitorë seriozë edhe nga Izraeli, pasi Shqipëria zotëron potencial të burimeve ujore dhe integrim në rrjetet evropiane të energjisë, pasi ka investuar në rrjetet lidhëse të energjisë si me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë, ndërsa ministria e Energjisë dhe Industrisë po punon dhe për lidhjen e Shqipërisë me Italinë. Projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është hartuar para mbi 30 vitesh, por ndërtimi i tij nuk u bë i mundur për shkak të kostos së lartë dhe disa kushteve teknike, pasi ka pozicion shkëmbor në lartësi rreth 500 metra mbi nivelin e detit, volum të madh për ndërtimin e liqenit në 6.5 miliardë metër3/ujë, kapacitet depozitimi rreth 1.9 miliardë kw/h energji elektrike, kosto mbi 500 milionë euro, ndërsa do të duhej një marrëveshje me Maqedoninë, pasi për ndërtimin e liqenit duhet të përmbyteshin sipërfaqe të konsiderueshme toke. HEC-i në Skavicë gjeografikisht është i pari mbi hidrocentralet e ndërtuar mbi Drin, si Fierza, Komani, Vau i Dejës, Ashta. Krahas prodhimit të energjisë, ndërtimi i tij minimizon përmbytjet në ultësirën e Shkodrës, ndërsa kapaciteti i madh ujëmbledhës mund të shërbejë si rregullator për prurjet e ujrave në HEC-et e tjerë. Pas vitit 1990 qeveritë i janë rikthyer ndërtimit te HEC-it të Skavicës, duke arritur në tre variante.
I pari parashikon ndërtimin e një hidrocentrali me lartësi dige 163 m, kuotë normale 445 m dhe fuqi 350 MW. Varianti i dytë parashikon hidrocentral me digë 210 m, kuotë normale 485 me shtrirje të liqenit deri në Maqedoni, dhe fuqi 450 MW. Varianti i tretë nga KESH-i ul digën e Skavicës me rreth 60 metra dhe shton një HEC lokal në fshatin Katund i Ri në Dibër, që përgjysmon prodhimin e energjisë dhe ul sasinë e tokave që përmbyten. Në mes të viteve 2000 interes paraqitën për ndërtimin me konçension për HEC-in e Skavicës 4 investitorë gjermanë dhe italianë nga kompanitë “Tesaro”, “Kinglor”, “Tisen Group” dhe “Ferrari”, të cilët paraqitën dy projekt-ide për këtë objekt. Projekti i parë përfshinte një HEC me digë të madhe dhe prodhim vjetor 1,9 kwh/vit energji elektrike, ndërsa projekti i dytë një HEC me digë më të vogël me prodhim vjetor 1,2 miliardë kwh/vit. Deri sot, edhe pse kanë pasur interes, asnjë kompani europiane nuk e ka marrë përsipër ndërtimin e HEC-it të Skavicës