PD-Halimi: Rama hesht për dosjen kriminale të deputetit Arben Noka
![](https://24-ore.com/wp-content/uploads/2014/07/Deputeti-i-PD-se-Eduard-Halimi-ne-konference-per-shtyp-525x350.jpg)
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit të saj, Eduart Halimi, doli të premten në një deklaratë për mediat për të denoncuar heshtjen e Kryeministrit Rama, pas publikimit të fakteve dhe provave për të shkuarën kriminale të deputetit Arben Noka.
Mbarë opinion publik, tha Halimi “është njohur me provat e pakontestueshme, me dosjen e plotë penale të deputetit të Edi Ramës, Arben Ndoka, të dënuar për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje me forcë të lirisë së tjetrit. Çdo shqiptar është i tronditur nga këto fakte dhe çdo shqiptar është edhe më shumë i tronditur nga fakti se Edi Rama hesht”.
Halimi theksoi se “Edi Rama kërkoi 8 ditë më parë një emër. Kërkoi dhe fakte.Tani ai i ka edhe emrin dhe faktet, por hesht, bën të paditurin”. Ai e ka konsideruar fajtor Kryeministrin Rama edhe për faktin se me anë të këtyre deputetëve me të shkuar kriminale, ai godet dhe kërcënon me jetë përfaqësuesit e opozitës dhe u shpreh se “për këtë do ta marrë dënimin nga qytetarët e vendit për kriminalizimin që i ka bërë dhe po i bën Shtetit dhe Parlamentit”.