PD propozon dy projektligje për uljen e çmimit të karburantit
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka depozituar në Kuvend një paketë ligjore me dy projektligje, me qëllim uljen e çmimit të karburantit dhe lehtësimin e barrës për qytetarët dhe ekonominë.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha se karburanti në Shqipëri (nafta) taksohet shumë rëndë, në nivelin më të lartë në Evropë.
“Rreth 60%–65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat që mbledh qeveria. Për krahasim, mesatarja në vendet e BE-së është rreth 52%, ndërsa në shumë prej këtyre vendeve është nën 50%. Në vendet e zhvilluara të OECD-së, taksimi është edhe më i ulët, rreth 40%–45%”, sqaroi Bozdo.
Sipas tij, shteti shqiptar për çdo litër nafte të shitur merr rreth 125 lekë taksë.
Bozdo u shpreh se përmes paketës ligjore të propozuar, PD propozon uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013.
Gjithashtu PD propozon “aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës, duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve”.
Bozdo theksoi se “zbatimi i këtyre masave do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, nga rreth 220 lekë/litër qe po shitet sot, në të paktën 175 lekë/litër”.
Nga ana tjetër, ai shtoi se “propozimi ligjor trajton edhe menaxhimin e rezervave strategjike të naftës, të detyrueshme sipas standardeve të BE-së”.
“Aktualisht, sipas deklarimeve publike, rezervat e naftës në Shqipëri mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardi i BE-së bazuar në direktivën 2009/119/EC, kërkon mbulim për 90 ditë importe”, teksa shtoi se kryeministri Edi Rama pohoi “se rezervat e naftës janë për momentin vetëm 30 ditë”.
Bozdo tha se kjo paketë ligjore është e aplikueshme sot në shumë vende të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. /m.q/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.