PD: Rama injoron interesat kombëtare, kthim mbrapa në KiE për Kosovën
Partia Demokratike, me anë të kreut të saj të Departamentit për Politikën e Jashtme, Kreshnik Çollaku, ka theksuar se “mazhoranca ka treguar edhe në Këshillin e Europës papërgjegjshmëri në përfaqësimin e interesave kombëtare”, duke iu referuar kalimit të rezolutës nga Këshilli i Europës që “rikthen disa prej standardeve të para-pavarësisë së Kosovës”.
“Miratimi i draft-rezolutës në komitetin politik të Këshillit të Europës ka kaluar pa praninë e të vetmes përfaqesuese të Shqipërisë në këtë komitet, zonjës Valentina Leskaj. Amendamentet e Serbisë mund të ishin rrëzuar nëse zëvendës-presidentja e Asamblesë Parlamentare të KiE-së të kishte përgjegjësinë e pjesëmarrjes në komitetin politik, aq më tepër që përfaqësuesi i Shqipërisë është edhe më i domosdoshëm në mungesë të përfaqësimit të Kosovës. Në këto kushte, duhej të kishte një reagim të shpejtë të diplomacisë dhe një koordinim me Prishtinën zyrtare”, deklaroi Çollaku.
“Leskaj mesa duket ka qënë e zënë me tenderat dhe koncesionet e djemve të saj dhe nuk ka pasur kohë të ishte në komitetin politik. Ashtu si e gjithë qeveria këto kohë është në garë kush vjedh më shumë dhe as që i bëhet vonë se çfarë po ndodh në raport me politikën e jashtme dhe as të brendshme të Shqipërisë, aq më pak të Kosovës. Pas UNESCO-s, ky është dështimi i dytë i paprecedent i diplomacisë nën drejtimin e Edi Ramës. Interesat e Kosovës dhe të kombit nuk janë prioritet për qeverinë e korruptuar dhe të babëzitur të Edi Ramës”, shtoi Çollaku.