PD: Të hetohet mekanizmi i punësimit në të gjitha zyrat e PS
Partia Demokratike i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë mekanizmin e punësimit të ndjekur në të gjitha zyrat e PS pas ardhjes në pushtet të kësaj force politike. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputetja demokrate, Voltana Ademi në në emër të PD ka dënuar fenomenin e kërkimit të favoreve në zyrat e PS në këmbim të një vendi pune, që sipas saj cenon dinjitetin human të vajzave e grave, nënave e motrave tona.
Deklarata e plotë e PD
Kur përfaqësuesi politik i oligarkisë kërkon favor seksual me një të mitur, në këmbim të një vendi pune, do të thotë se është ndezur llampa e alarmit, për shoqërinë, për shtetin për vendin tonë.
Quo Vadis?
Me të vërtetë, ku po shkojmë kështu?
Shqetësimi shumëfishohet kur del në dritë mekanizmi se si funksionon punësimi në vend. Skandali i Sarandës nxori zbuluar atë që të gjithë kemi dëgjuar, se në realitet vendet e punës kjo qeveri i këmben si në pazar, pikërisht në zyrat e Partisë Socialiste.
Janë shumë drama të tjera që janë konsumuar nga oreksi e babëzia e oligarkëve dhe përfaqësuesve të tyre, duke kërkuar favore në zyrat e Partisë Socialiste në këmbim të një vendi pune, në këmbim të bukës së gojës.
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë fenomen që cënon dinjitetin human të vajzave e grave, nënave e motrave tona.
Ne kërkojmë drejtësi të shpejtë dhe shembullore për këtë shkelje të ligjit dhe të çdo kodi, norme e morali në vendin tonë.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të kalojë në sitë këtë mekanizëm kriminal e pervers punësimi, në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Shqipëri.
I ftojmë vajzat dhe gratë e Shqipërisë, të ngrenë zërin, të denoncojnë çdo lloj dhunuesi. Edhe nëse ka mandatin e oligarkisë në pushtet, askush nuk ka të drejtën të shesë e të blejë, të bëjë pazar me nderin tonë.