Indeksi i afarizmit, rritet xhiroja ekonomike
Udhëheqin industria dhe shërbimet me 8,5% dhe 7,4%. Rritje në fondin e pagave
Nga Zamir Alushi
Rritet xhiroja totale e aktivitetit ekonomik të ndërmarrjeve. Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit, vlerësuar me çmime fikse (2010=100) arriti 115,7% në tremujorin e dytë 2014 ose 2.8% krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Këto përfundime dalin nga tabelat e statistikave afatshkurtra të ndërmarrjeve ekonomike të publikuara nga INSTAT për tremujorin e dytë 2014.
Industria
Në tremujorin e dytë 2014, shifra e afarizmit në volum në “Industri” (përfshirë industrinë nxjerrëse dhe përpunuese), është rritur 8,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Në këtë rritje ndikon aktiviteti “Industri nxjerrëse” me 20,4%. Referuar të njëjtës periudhë krahasimore, aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 9,8%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” me rënie 9,7%. Volumi i prodhimit industrial shënoi një rritje prej 4,3%, ndërsa volumi i prodhimit të energjisë elektrike shënoi një rënie me 38,0%, krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri” (industri nxjerrëse dhe përpunuese) u rrit me 21,0%, krahasuar me tremujorin e dytë 2013, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rritja e këtij treguesi në zërin “Industri përpunuese”. Për aktivitetet “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” dhe “Grumbullimi, trajtimi e furnizimi me ujë”, ky tregues paraqitet me rritje 8,8% dhe 6,1%. Niveli i fondit të pagave shënoi një rritje prej 18,5% në “Industri”, 24,3% në “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” dhe 8,7% në “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë”. Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në industri, paraqitet me rritje 16,4%. Të dyja degët përbërëse si industri nxjerrëse dhe përpunuese kanë pasur rritje me 16,6% dhe 16,3%. Aktiviteti “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” shënoi rritje në 8,5%, ndërsa aktiviteti “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” shënoi rënie me 12,4%. Por, volumi i prodhimit industrial shënoi një rënie me 4,6% krahasuar me tremujorin paraardhës, Tr I –2014, ndërsa volumi i prodhimit të energjisë u rrit me 8,7% referuar të njëjtës periudhë krahasimore. Me një rritje prej 2,8% rezulton numri i të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e aktivitetit “Industri”, rritje e cila vjen kryesisht nga ndikimi i industrisë përpunuese. Ky tregues paraqitet me një rritje prej 0,6% në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe prodhim avulli, si dhe ngritje prej 1,0% në aktivitetin e grumbullimit dhe furnizimit me ujë. Gjithashtu, fondi i pagave shënoi rritje në zërat industri, energji elektrike dhe grumbullimi e furnizimi me ujë, me 5,9%, 6,1% dhe 9,3%.
Ndërtimi
Në aktivitetin e ndërtimit, xhiroja e aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë 2014 ra 15,6% krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Gjithashtu, volumi i ndërtimit paraqitet me një rënie prej 10,3%. Por ky sektor vazhdon të mbajë peshë në punësimin e forcës punëtore. Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e ndërtimit paraqitet me një rritje prej 16,7% krahasuar me tremujorin e dytë 2013, gjithashtu fondi i pagave shënoi një rritje prej 10,8% gjatë së njëjtës periudhë. Më mirë është ecuria në raport me tremujorin e parë 2014. Shifra e afarizmit në volum, shënoi një rritje prej 20,5%, ndërsa volumi i ndërtimit është rritur me 31,7% gjatë së njëjtës periudhë.
Komunikacioni
Seksioni “Informacioni dhe komunikacioni”, ku hyjnë aktivitetet e komunikacionit, shërbimet informatike, si dhe botimi i librave, e ka rritur xhiron 25,1% në tremujorin e dytë 2014 krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Gjithashtu, numri i të punësuarve me pagesë dhe fondi i pagave në zërat informacioni dhe komunikacioni është rritur 13,3% dhe 17,9%. Kurse ndryshimi tremujor i indeksit të afarizmit në volum në këtë seksion ka një rritje 2,9% krahasuar me tremujorin paraardhës. Ndërsa numri i të punësuarve me pagesë është shtuar me 5,0%, por fondit të pagave i është vënë gërshëra dhe shënon rënie 6,4% krahasuar me tremujorin e parë 2014.
Shërbimet
Xhiroja
Bum i agjencive turistike, rriten 37%
Xhiroja totale në fushën e shërbimeve është rritur 7,4% krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Në këtë rritje ndikojnë aktivitetet: agjenci udhëtimi me 37,0%, hotele 20,5%. Në ndërmarrjet e shërbimeve ka pasur një rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 16,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2014, ky tregues është rritur 5,6%. Në fushën e shërbimeve ka pasur një rritje të fondit të pagave me 12,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2014, fondi i pagave është ngritur vetëm 3,6%. Ndërsa, shifra e afarizmit në volum, në aktivitetin “Tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve dhe riparimi i makinave”, është rritur me 14,0%, dhe aktiviteti “Tregti me shumicë” është rritur me 5,9%.
Transporti
Ndryshimi
Sektori i aviacionit ul xhiron ekonomike
Në aktivitetet “Transporti dhe magazinimi”, ku përfshihet dhe aktiviteti postar, shifra e afarizmit në volum, ka pësuar rënie me 27,4%, në tremujorin e dytë 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, si rezultat i ndikimit negativ të transportit ajror. Brenda këtij grupi, ky tregues paraqitet me rritje të ndjeshme në sektorin hekurudhor dhe në transportin ujor. Gjithashtu, me rritje 11,0% është ndryshimi i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në shërbimin postar, krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Ndërsa, indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet e transportit dhe magazinimit ka rënë 5,7%, kurse fondi i pagave ra 4,9%.
Hotelet – Në seksionin “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, në hoteleri, shifra e afarizmit në volum, ngjitet me 20,5%
Punësimi – Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë dhe fondi i pagave në hoteleri është rritur 24,2%
Studiot – Shifra e afarizmit në volum në “Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike”, rritet 47,6%