Për një konsensus socio-ekonomik
ARBËR ZAIMI
Prej kontrollit shëndetësor që Komuna e Prishtinës ndërmori në shkollat e saj, rezultatet dolën shqetësuese. Edhe pse të gjithë me intuitë e dinim se gjendja me shëndetin e popullsisë, e veçanërisht të të rinjve e fëmijëve, nuk ishte e mirë, prapëseprapë kur merr vesh se 86% e fëmijëve të kontrolluar kanë pasur ose probleme me kequshqimin, ose probleme shëndetësore apo të higjienës personale, tronditesh.
Kur ky rezultat del në Prishtinë, në komunën ku përqendrimi i kapitalit, por edhe i vëmendjes qeverisëse është më i madh se kudo, atëherë s’na mbetet veçse të imagjinojmë çfarë ndodh në komunat e tjera.
Shifrat e dala prej kontrollit të iniciuar nga Komuna e Prishtinës veç i shtojnë zymtësi panoramës sociale dhe ekonomike të Kosovës, ku papunësia zyrtarisht vërtitet rreth 40% e ku përsëri zyrtarisht ata që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme janë mbi 18%. Madje, kur sheh se 86% e fëmijëve vuajnë prej moskujdesit shëndetësor, mosushqyerjes dhe mungesës së standardeve higjienike të lind dyshimi se shifrat zyrtare që na janë dukur gjithnjë skandaloze, në fakt mund të jenë thjesht një zbukurim i së vërtetës.
Ky është sfondi përkundër të cilit duhen parë dy ndërmarrjet e fundit të Komunës së Prishtinës, e cila ka vendosur të sigurojë së paku një kontroll shëndetësor në vit për fëmijët e shkollave, e njëkohësisht ka vendosur të ofrojë edhe ushqim për ta, si fillim nga një kifle në ditë e nga një frutë çdo të premte. Natyrisht këto nuk janë shumë. Por përballë skamjes dhe mjerimit që në vitet e fundit ka ardhur duke u rritur e duke marrë përmasa hygoiane, këto ndërmarrje janë një hap i rëndësishëm.
Kontrolli shëndetësor në fëmijët e shkollave është ndërprerë që prej pesëmbëdhjetë vitesh. Ky është një ndër ato argumente që mund t’i përdorin cinikët, të cilët shfrytëzojnë çdo rast për të delegjitimuar luftën, e bashkë me të çlirimin e Kosovës. Por, sado që të lodhen cinikët, argumenti i tyre nuk do të hedhë rrënjë përtej anekdotave. Populli i Kosovës në shumicën e tij dërrmuese e ka dashur lirinë, ka ëndërruar për të, e ka derdhur gjakun për atë liri. Por do të ishte dashur që pas lirisë të realizoheshin edhe aspiratat e tjera popullore.
Të gjithë kanë pritur që fëmijët, pas çlirimit, do të ishin më të shëndetshëm. Të gjithë kanë pritur që shteti do të përkujdesej për shëndetësi më të mirë, për standarde higjiene e për luftë kundër varfërisë. Zhgënjimet e mëdha që prunë qeveritë e pasçlirimit, me korrupsionin galopant, moskokëçarjen për problemet sociale dhe injorancën e tyre politike e ekonomike, mishërohen tragjikisht në trupat e Lulave të Vecërr që na shfaqen edhe në vitin 2014.
T’i japësh një kifle secilit fëmijë, prej klasës së parë deri në të pestë, mund të duket diçka modeste dhe padyshim është e tillë. Unë personalisht mendoj se në të ardhmen duhet parë mundësia që kifles t’i shtohet edhe një kuti e vogël me lëng pemësh apo qumësht, prodhim vendor edhe ato – e jam i bindur se Komuna e ka të gjithë vëmendjen në këtë drejtim. Por në kushtet e buxhetit shtrëngues, që është i imponuar prej pushtetit paraardhës, në kushtet e një qeverisjeje qendrore jobashkëpunuese dhe të pavëmendshme ndaj problemeve sociale, siç ka qenë ajo e Thaçit, ky hap është i rëndësishëm edhe për shkak se është hap nistor në një rrugë gjer më tash të pashkelur.
Politika që po zbaton sivjet Komuna e Prishtinës nuk duhet parë si një politikë e VETËVENDOSJE-s, por si një nevojë, si një domosdoshmëri kombëtare, që do të ishte mirë të përqafohej nga të gjitha komunat e Kosovës, pavarësisht përbërjes partiake të udhëheqësisë së tyre. Madje s’do të ishte keq të shqyrtohej si shembull edhe në Shqipëri.
Partitë politike nuk duhet të debatojnë mbi atë se a duhet të lihen fëmijët e shkollave fillore pa kontroll mjekësor, pa ushqim, pa higjienë. Një fëmijë i uritur nuk mund të përqendrohet në mësim! Po ashtu komuniteti i biznesit do të duhej të ishte më i vëmendshëm ndaj kësaj iniciative, që padyshim ka nevojë për ndihmë prej të gjithëve në mënyrë që të ecë mbarë e që të forcohet. Këto janë çështjet që do të duhet të ndërtonin një konsensus të gjerë, bazuar mbi një humanitet e mbi një qytetari minimale, por edhe mbi patriotizmin më bazik.
Pas dhjetëra rasteve kur fjala konsensus është përdorur për të shenjuar politika gjithnjë në dëm të shqiptarëve të Kosovës, në dëm të këtij populli të varfër e të vjedhur – sot njerëzit mund të kenë fituar alergji ndaj vetë fjalës, vetë nocionit të konsensusit.
E pra, ndoshta ka ardhur koha që t’i japim konsensusit edhe një kuptim pozitiv. Komuna e Prishtinës ka hedhur hapin e parë, megjithatë ky hap i parë nuk e zhvleftëson aspak hapin e dytë apo të tretë që mund të ndërmerret prej ndonjë komune tjetër apo prej qeverisë qendrore. Le të mos ketë merak askush, pasi askush nuk do të pretendojë këtu primatin, pasi edhe vetë iniciativa politike në fjalë, sado që është sjellë në diskutim publik prej Lëvizjes VETËVENDOSJE! e prej Komunës së Prishtinës, nuk është shpikur prej tyre, por është marrë prej vendeve më të zhvilluara në Perëndim, që kanë ndjekur politika të tilla në periudha të caktuara të historisë së tyre, kur ka qenë nevoja.
Modeli i përkujdesjes për qytetarin duhet të fitojë mbi modelin e indiferencës ndaj qytetarit, ashtu si modeli i përgjegjësisë që duhet të triumfojë mbi modelin e arrogancës. E këto duhen bërë sot, jo mot, pasi sot hidhen themelet për secilën të ardhme.