Kryeartikull

Për prokurorët që po rezistojnë të jenë prokurorë!

Mero Baze

Kryeprokurorja Arta Marku është përballur jo thjeshtë me dhjetë prokurorë që refuzojnë të marrin në dorë dosjen “Shullazi”, por me fenomenin më gërryes të autoritetit të drejtësisë shqiptare.

Nëse ka pasur një problem real autoriteti i organit të hetimit në Shqipëri, ishte pikërisht përpjekja për të shmangur përballjen me dosje problematike, të cilat më së shumti janë politizuar dhe janë ngritur mite të rreme rreth tyre.

Unë nuk besoj se gjithë prokurorët që refuzuan kishin ndonjë problem me dosjen apo personin nën hetim, por ata kanë problem me traditën e Prokurorisë shqiptare, e cila nuk mërzitet kurrë që nuk i çon hetimet deri në fund për asgjë.

Adriatik Llalla u bë i famshëm me paralajmërimet që bënte dikur nga fillimi i pushimeve se do arrestonte njerëz në shtator, dhe iku nga ai institucion, duke mos prekur asgjë me dorë.

Mos prekja asgjë me dorë është në një farë mënyre “institucion” brenda institucionit, në Prokurori dhe është pikërisht fenomeni me të cilin u përball Arta Marku këtë javë.

Sulmet ndaj saj, përveçse nuk kanë asnjë argument, burojnë nga fakti pse ajo po ja del të përballet me problemet, dhe jo pse ajo ka ndonjë dështim.

Shembull tipik është sjellja me dosjen “Tahiri”, për të cilin natyrshëm njerëzit e opozitës dhe shtypi i saj janë të shqetësuar se mos del bllof. Në fakt ajo është dosje që e ka prodhuar politika dhe jo prokuroria. As kur Tahiri u akuzua dhe as sot pas një viti, ne ende nuk kemi asnjë fakt juridik kundër tij. Dhe zhurma që u bë rreth ekstradimit të një të arrestuari për llogari të drejtësisë italiane, rezultoi flluskë, pasi ai ndërkohë u la i lirë dhe në Itali.

Në këtë pikë, ata që mendojnë se largimi i Hajdarmataj apo dikujt tjetër nga një zyrë në tjetrën, një vit pas dosjes “Tahiri”, bëhet për të dështuar hetimi i dosjes, në fakt duhet thënë se bëhet për t’u shpëtuar fytyrën që nuk zbuluan asgjë për dosjen. Biles po ka shkak që duhen pushuar nga puna, është zbrazëtia e dosjes “Tahiri”.

Për një vit, prokurori Hajdarmataj ka pas mjaft kohë të shtonte qoftë dhe një faqe nga ato që ka lexuar Sali Berisha kundër Tahirit. Por në fakt nuk ka asgjë të re përveçse përdorimit të dosjes “Tahiri” si mburojë për veten e vet, sa herë i ndodh ndonjë hall, sa herë i zbulohet që ka mbrojtur një trafikant kokaine, apo që është i përdorur politikisht.

Edhe në këtë rast, si shumë prokurorë të tjerë, ai vuan pikërisht nga të mos bërit asgjë. Me aq bujë sa e nisi çështjen “Tahiri”, besohej se jo pas një viti apo pas disa javësh, ai do t’ia mbushte dosjen me fakte. Në fakt pas një viti ai më shumë e ka zbrazur dosjen dhe po përpiqet ta përdorë Saimir Tahirin si “badigard” për problemet e veta.

Në këtë pikë sulmet ndaj Arta Markut janë dhe qesharake, pasi deri më sot akuzon Saimir Tahirin si të lidhur me Shullazin dhe ajo po ndëshkon prokurorët pse nuk hetojnë Shullazin. Biles unë po të isha në vend të saj do t’i shtoja dhe një arsye më shumë, pikërisht për dosjen “Tahiri”. Do t’i kisha transferuar ose pushuar edhe pse nuk arrijnë të hetojnë dhe provojnë asgjë për atë që nisën me bujë një vit më parë kundër Saimir Tahirit.

Pra ata po ikin ose si prokurorë të paaftë ose si prokurorë të përdorur politikisht për propagandë. Le të zgjedhin kë të duan si fat të tyre, pasi i kanë rezistuar gjatë detyrimit për të qenë prokurorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button