Përballë pasqyrës së Geraldinës
Akademia e Shkencave rrëfen në një ditë historinë e saj. Dikur rezidencë mbretërore, ajo do të shërbente pas luftës si qendër për kryesinë e Këshillit Nacionalçlirimtar dhe në vitet 1946-1962 do të ishte selia e Presidiumit të Kuvendit Popullor …

Në kopshtin në hapësirën përpara ndërtesës dykatëshe me shkallët që shohin nga perëndimi, dikur Ahmet Zogu endej në mbrëmje, për t’u dhënë ajër mendimeve. Në një nga dhomat e katit të dytë, përballë një pasqyre, mbretëresha Geraldinë vendoste butë-butë krehrin mbi flokët e saj. Në Shqipërinë e viteve 1939, kjo ndërtesë ishte një nga objektet më të rëndësishme të kohës. Në hapësirën e saj nuk jetonte vetëm mbreti, por merrnin jetë vendime të rëndësishme. Kur koha ikën, e tashmja duket sikur mbulon me pluhurin e së përditshmes historinë. Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, kjo ndërtesë, që sot njihet si Akademia e Shkencave, ka zhveshur lëkurën e saj, duke nxjerrë prej andej sëndukun e kujtimeve. Nëse një i huaj futet në godinën ku sot merren vendime për sa i përket shkencës dhe gjuhës, nuk mund ta mendojë se në korridorin e gjatë dikur ecnin ushtarët e mbretit apo ai vetë. Një ditë e mbushur me histori ka qenë ajo e djeshmja për ndërtesën dykatëshe, shumë pranë Parlamentit të Shqipërisë. Një ditë për ta parë trashëgiminë kulturore jo vetëm përmes objekteve të tilla, por dhe përmes historisë. Një ditë për të kujtuar se historia është aty, mjafton ta grishësh pak atë. Në hyrje të saj u vendos dje pllakata “Monument kulture”, dhe në korridorin e gjatë u hap një ekspozitë me foto, të cilat tregonin imazhe të dikurshme të ndërtesës. Në vitet 1925-1926, ndërtesa ka shërbyer si seli e qeverisë së presidentit Ahmet Zogu. Deri në vitin 1929 nuk ka informacione për përdorimin e saj. Në vitet 1929-1939 ka shërbyer si pallat mbretëror i mbretit Ahmet Zogu I. Në vitin 1939, godina u dogj pjesërisht nga zjarri. Në vitet 1944-1946 ka qenë vendosur Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar. Në vitet 1946-1962 ka qenë selia e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitet 1961-1972, ndërtesa u përdor për funksione të ndryshme shtetërore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.