Kronika

Përgjimet mes Ismailajt dhe Metës nuk mund të përdoren si provë materiale

Nga Sokol Çobo

Publikimi i përgjimeve mes biznesmenit Kastriot Ismailaj dhe disa personave të tjerë, gjatë viteve 2008 dhe 2009, nuk mund të përdoren në gjykatë si provë. I këtij mendimi është vetë avokati Vladimir Meçi, që mbron interesat ligjore të biznesmenit. Në një prononcim për mediat, zoti Meçi thotë se këto përgjime, por edhe ngritja e akuzave të pastrimit të parave ndaj njeriut të aferës CEZ-DIA, është bërë mbi bazën e provave të pavlefshme. Ai ka lënë të kuptohet se në seancat e para gjyqësore kundër Ismailajt, që do të fillojnë në ditët pasardhëse, do të kërkojë pavlefshmëri të kësaj çështjeje. Nëse pranohet, atëherë Ismailajt mund t’i hiqet akuza e pastrimit të parave, ndërsa e diskutueshme është edhe mashtrimi. Ndërkohë, prokuroria ende nuk është prononcuar zyrtarisht për këtë çështje, ashtu si edhe Kuvendi ose LSI-ja, duke qenë se një SMS e kryeparlamentarit, Ilir Meta, është përgjuar dhe futur në dosjen “CEZ-DIA”.

 Provat ndaj Ismailajt

Asnjë prej institucioneve shtetërore nuk ka dhënë përgjigje mbi publikimin e disa përgjimeve mes biznesmenit Kastriot Ismailaj dhe disa politikanëve, mes të cilëve edhe kryeparlamentari Ilir Meta. Akuza qendrore nuk ka bërë asnjë koment, ashtu si edhe Kuvendi, ndërsa fakt është se këto përgjime ishin prova të prokurorisë kundër Ismailajt, megjithëse ato duhet të ishin asgjësuar. Dosja ndaj biznesmenit ka kaluar prej disa javësh në gjykatë dhe ditët në vazhdim pritet të nisë edhe procesi gjyqësor. I vetmi që ka folur për këtë çështje, është avokati Vladmir Meçi, i cili mbron interesat ligjorë të Kastriot Ismailajt. Në një prononcim për mediat, ai thotë se do të kërkojë pavlefshmërinë e disa provave materiale që ndodhen në dosje, mes tyre edhe të përgjimeve të publikuara ditët e fundit. Ai thotë se shumë prova dhe materiale që ndodhen në dosje rezulton se janë të pavlefshme, pasi me pushimin e hetimeve në tetor të 2012-s disa prej këtyre provave duheshin asgjësuar. Gjithashtu, avokati pretendoi se edhe përgjimet e publikuara në media, janë të pavlefshme pasi nuk përbëjnë provë materiale në ngarkim të klientit të tij, Kastriot Ismailaj. Megjithatë, indirekt edhe prokuroria e ka pranuar se disa prej këtyre provave do të hiqen nga fashikulli gjyqësor.

Përgjimi i Ismailajt

Një dokument, që mban datën 28 qershor 2009 është, publikuar në media, në të cilin është një procesverbal mbi transkriptimin e bisedave të numrit të telefonit të disponuar nga Kastriot Ismailaj. Veprimet e përgjimit kanë filluar në maj 2008 dhe kanë përfunduar në qershor 2009, pra më shumë se një vit. Gjykata e Tiranës ka miratuar në atë kohë kërkesat e prokurorisë për përgjimin e numrave të tij. Në këtë dokument është edhe një SMS e datës 22 qershor 2009 në orën 17.27.21 e dërguar nga numri 0682031701 në numrin 0682009693 të Kastriot Ismailajt me tekst: Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro. Nga të dhënat rezulton se numri që përfundon me 701 ka qenë në përdorim të kreut të LSI-së, Ilir Metës. Ky dokument, sipas burimeve konfidenciale nga Prokuroria e Tiranës, është në dosjen që i është dërguar Gjykatës së Tiranës. Mësohet se hetuesit e çështjes kanë pohuar se mund të jetë futur për arsye shpejtësie ose si neglizhencë. Mësohet se këto dokumente do të hiqen nga fashikujt menjëherë sapo të fillojë procesi gjyqësor. Megjithatë, enigmë vijon të mbetet mënyra sesi është përgjuar një politikan me imunitet pa lejen e gjykatës. Objekt ka qenë Ismailaj, por në telefonin e tij ka mbërritur një SMS e një politikani, në këtë rast me imunitet. Madje, ky mesazh është futur edhe në dosje, në një kohë që duhet të ishte asgjësuar. Burime jozyrtare kanë pohuar se ka filluar një verifikim administrativ për “spiunin”, ndërsa të dhënat e para flasin se kopjet e dala në media janë ato që i janë vënë në dispozicion Ismailajt. Megjithatë, akuza nuk ka një përgjigje se, dokumentet që duhet të ishin asgjësuar, janë dërguar në fashikullin hetimor të çështjes CEZ-DIA. Procesverbalet mësohet se janë origjinale dhe janë firmosur nga oficeri i përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button