Përkujtohet në Kukël 77-vjetori i vdekjes së poetit e meshtarit, Ndre Mjeda
Pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, grupe artistike nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, morën pjesë në aktivitetin tradicional të organizuar në nderim të poetit të njohur, meshtarit Ndre Mjeda, me rastin e 77 vjetorit të vdekjes së tij. Ne aktivitetin e organizuar në fshatin Kukël, aty ku Mjeda shërbeu për shumë vite si famullitar i kësaj zone, moren pjese edhe zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, si dhe autoritete vendore të qarqeve veriore të Shqipërisë, si dhe të tjerë të ardhur nga matanë kufirit.
Në fjalën e tij, zv/ministri Çuni, i cili vite më parë u bë iniciator i fillimit të punimeve restauruese të godinës ku ka jetuar dhe shërbyer poeti i madh Ndre Mjeda, për ta kthyer atë në një qëndër muzeale, u shpreh shumë i kënaqur që tashmë në cilësinë e zv/ministrit të Kulturës, e gjen qëndrën muzeore Ndre Mjeda me një pamje krejt tjetër bashkëkohore. Ai bëri të ditur se me “Ditët e Mjedes”, Ministria e Kulturës hap siparin e aktiviteteve që ky institucion do të organizojë në kuadër të vizites së Papa Françeskut në Shqipëri. Ky aktivitet është prolud i shumë aktiviteteve kulturore që do të zhvillohen gjatë muajit shtator deri në ardhjen e Papes, theksoi ai.
Dom Nik Ukgjini, pasuesi i Mjedes në famullinë e Kuklit, aktualisht edhe Drejtor i Qendres Muzeore Ndre Mjeda, tha se kjo qender bashke me Qëndrën e Studimeve Albanologjike të Komunës Bushat, duke organizuar edicionet “Ditet e Mjedes”, prej katër vitesh me radhë shpalos vlera të larta kulturore kombëtare, për të cilat punoi për 30 vite në këtë qëndër vetë poeti Mjeda”. Ukgjini sqaroi se kompleksi në fshatin Kukel përbehet nga dy objekte të lidhur me njëri-tjetrin, Kisha dhe Qela, objekte këto që janë projektuar dhe realizuar nga vetë Dom Ndre Mjeda, i cili ka qëndruar dhe sherbyer aty per nje periudhe 30 vjeçare, prej vitit 1906 deri më 1937.Shtëpia e ndërtuar ne vitin 1906, paraqet një godinë dykateshe të stilit neoklasik. Gjate viteve 1962-1979 dhe 1982-1991 ka patur funksionin e një shtëpie muze kushtuar poetit Ndre Mjeda dhe e pajisur me objekte të ndryshme të vete klerikut. Në shkurt të vitit 2012, MTKRS e shpalli kompleksin Monument Kulture, ndërkohë që sot, falë kontributit të komunes Bushat dhe RDP-së, shtëpia e Mjedes, tashmë ka një pamje krejt tjetër.
Zef Hila, Kryetar i komunës Bushat, njësi vendore që ka nën juridiksionin e saj edhe fshatin Kukël, theksoi se tashmë është bërë realitet vendosja e shtatores “Dom Ndre Mjeda” në mjediset e qëndres muzeore me të njëjtin emër dhe së bashku me të edhe rikonstruksioni i kishes. “Së fundmi, me një projekt të financuar nga RDP-ja dhe kontributi i komunës së Bushatit, me mbeshtetjen e zotit Cungu, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Qarkut, me vleren e 106 mijë euro, do te kthehet ne identitet kjo qëndër muzeore në nderim të të madhit Dom Ndre Mjeda”, u shpreh Hila.