Bota

Përse Rusia mund të mos jetë në gjendje ta shpëtojë rublën?

rublaÇdo bankier qendror e di rëndësinë e trustit. Në një botë ku përdoren shumë bankënotat e mbështetura nga asgjë tjetër veç prej bankënotave të tjera, tregtarët dhe firmat duhet të kenë besim se paraja do ta ruajë vlerën që të mos kenë humbje.

Ky lloj trusti po testohet në Rusi, kur rubla ka rënë me 23 për qind kundrejt dollarit në tre muajt e fundit.

Një rënie e tillë sjell në mënyrë të paevitueshme inflacionin në formën e shtrenjtimit të importeve, një shqetësim i lidhur me çmimet e konsumit në Rusi, të cilat janë në rritje tashmë me 8 për qind në vit.

Megjithatë, në javët e fundit janë shfaqur shenjat e diçkaje edhe më të frikshme. Të përballur me dollarin e lavdishëm, bankat e Rusisë kanë rritur përqindjen e interesit që paguajnë për depozitat e dollarit për tërhequr sa më shumë.

Kërkesa për kuti depozitash të sigurta është rritur, gjë që tregon se konsumatorët po ruajnë valutën e huaj.

Kreu i Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, po lufton shumë që ta ndalojë këtë trend pa nisur mirë. Fillimisht, më 15 nëntor, ajo rriti përqindjen e interesit në 9.5 për qind. Kjo do të thotë se depozitat e rublës fituan më shumë se ato të dollarit, gjë që e bëri valutën më tërheqëse.

Pastaj, ajo u përpoq të pengojë bastet kundër rublës duke zëvendësuar shitjen e parashikueshme të bankës qendrore prej 350 milionë dollarësh në ditë në investime më të mëdha dhe më të rrezikshme.

Së fundmi, ajo kufizoi aksesin e bankave tregtare ndaj rublës për të ulur aftësinë e tyre për të spekuluar kundër valutës vendase.

Ajo duhej të ishte e vendosur. Rënia e vlerës së rublës ka shkaqe të mëdha që nuk janë të lehta për t’u përballuar. Së pari është nafta. Në gjysmën e parë të vitit 2014 eksportet e Rusisë ishin 255 mld dollarë, ku 68 për qind e tyre erdhën nga shitja e naftës dhe gazit natyror. Gjatë kësaj periudhe çmimet e naftës varionin mesatarisht në 109 dollarë për fuçi; sot ato janë afërsisht 80 dollarë.

Një rënie proporcionale e eksporteve të energjisë ruse do t’i ulte të ardhurat deri në 40 miliardë dollarë.

Në shumicën e ekonomive, një zhvlerësim i madh rrit kërkesën për produkte vendase: teksa mallrat e huaja bëhen më të shtrenjta, tregtarët përzgjedhin produkte vendase. Por historia aktuale e Rusisë e bën të vështirë një zëvendësim të tillë.

Tranzicioni nga subvencionet e Bashkimit Sovjetik te bujqësia e bazuar te tregu nuk ishte një hap i lehtë: prodhimi i mishit të lopës, derrit dhe shpendëve në Rusi dhe Ukrainë ra nga 13 milionë tonë në 1991 në vetëm 5 milionë në 2001.

Edhe pse pati ca përmirësime të fundit (veçanërisht në prodhimin e drithërave), bujqësia ruse është ende ineficente. Rezultat i kësaj është importimi i mishit, qumështit, vezëve, që subvencionohen pak. Tregtarët me shumicë që i importojnë këto të mira kanë nevojë për dollarë që t’i blejnë ato, duke ushtruar presion te rubla.

Ka edhe arsye të tjera përse rubla shitet për të blerë dollarë. Sipas të dhënave të bankës qendrore, rreth 120 miliardë dollarë borxh i jashtëm maturohet vitin e ardhshëm.

Më pak se një e treta e këtyre zotërohet nga bankat dhe dy e treta e mbetur nga firmat e tjera. Disa prej këtyre të fundit – gjigantë të njohur të energjisë ruse – kanë të ardhura në dollarë.

Meqenëse sanksionet parandalojnë shumë kompani ruse nga huamarrja jashtë vendi për të shlyer këto borxhe në dollarë, kjo krijon kërkesë për dollarë.

Disa prej shlyerjeve të borxheve duhet të bëhen në dhjetor, gjë që do të krijojë një tjetër rënie të ndjeshme të rublës në fund të këtij viti.

Varësia nga tregjet dhe valuta perëndimore i dhemb Vladimir Putinit, Presidentit të Rusisë. Më 10 nëntor ai firmosi një marrëveshje me Xi Jinping, homologun e tij kinez, për të eksportuar gaz rus nga Siberia në Kinë nëpërmjet tubacioneve të reja të naftës.

Marrëveshja ofron një burim të ri dhe të madh të kërkesës dhe pritet që Kina të zëvendësojë Europën për sa i përket tregut më të madh të eksportit të Rusisë.

Për më tepër, marrëveshja do funksionojë në valutën kineze dhe jo në dollarë, gjë që do të ulë kërkesën për valutën amerikane. Problemi i vetëm është se tubacionet e naftës do të duan vite të ndërtohen dhe financimi i projektit nuk është siguruar ende. Ndërkohë, Rusisë do t’i duhet të ulë çmimin e naftës dhe të gazit për disa vite.

Më 12 nëntor, një parashikim i ri nga Administrata e Informacionit Energjetik, një agjenci qeveritare amerikane, tha se çmimet e naftës do të mbeten me shumë gjasa në 83 dollarë fuçia në vitin 2015.

Edhe pse drejtuesja e Bankës Qendrore ruse, Nabiullina, parashikon me optimizëm që çmimi të shkojë në 90 dollarë një fuçi, rritja ekonomike do të mbetet zero dhe inflacioni do shkojë në 8 për qind në vitin 2015. Kriza e rublës ruse nuk ka të mbaruar.

*Burimi: The Economist

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button