Kronika

Pesë vjet nga vrasjet në bulevard, prokuroria dhe gjykata harrojnë çështjet

Nga Sokol Çobo

Edhe përvjetori i pestë i gjeti familjet e viktimave të 21 Janarit, apo të plagosurit gjatë demonstratës së përgjakshme, pa drejtësi. Institucionet që duhet të jepnin drejtësi, duke filluar nga policia, prokuroria dhe në fund gjykata, kanë shpërfillur çdo provë për këtë çështje. Policia ka bërë referime “në ajër”, prokuroria nuk është thelluar në këto procedime, ndërsa gjykata e “harron” këtë proces. Gjatë vitit të fundit, policia është angazhuar të gjejë ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit që kanë torturuar demonstruesit gjatë dhe pas protestës. Pati shumë ankesa në atë kohë, ndërsa mësohet se asnjë efektiv, apo ish-efektiv, nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore. Nga ana tjetër, prokuroria mund të rivendoste nderin e familjarëve të viktimave, apo të të plagosurve, duke ngritur akuzë për dy nga ish-drejtuesit madhorë të Policisë së Shtetit. Akuza hetoi drejtorin dhe nëndrejtorin e atëhershëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgajn dhe Agron Kuliçajn. Ata u kallëzuan se kishin penguar vetë prokurorinë për këtë çështje, duke mos e lejuar që të hetonte apo ndalonte zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. Por, në muajin qershor të vitit të kaluar, akuza mori vendim se veprimet e tyre nuk kishin pasoja… Gjithsesi, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë duket te çështja e 21 Janarit që ndodhet në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit mban në sirtar që prej 28 tetorit të vitit 2013 dosjen penale ndaj Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes, të vetmit që u akuzuan zyrtarisht për demonstratën e përgjakshme.

Studimi i çështjes…

Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Prokuroria apeloi këtë vendim. Gjykata e Apelit, më datë 18 shtator 2013, vendosi të shpallë fajtor ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, duke e dënuar me një vit burg me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Po me të njëjtën akuzë u dënua edhe Agim Llupo, por masa e dënimit i shkoi deri në tre vite burg. Sipas përllogaritjeve të atëhershme, Prendi nuk u rikthye në qeli për shkak se e kishte konsumuar me kohën e qëndrimit në paraburgim, ndërsa Llupo u rikthye në qeli, ku qëndroi vetëm pak ditë. Dy gardistët, megjithëse u shpallën fajtorë, evituan qëndrimin në burg, ndërsa prokuroria vendosi ta çojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, regjistrimi i rekursit të prokurorisë është bërë në datën 28 tetor, një muaj e pak ditë nga dhënia e vendimit të Apelit. “Statusi i dosjes është ‘studim i çështjes’, ndërsa objekti i akuzës është kryerje e veprës penale të vrasjes me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasojë vdekjen e Faik Myrtajt dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. Kryerja e veprës penale të vrasjes me dashje ndaj Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit dhe plagosjes së shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha e Sokrat Gode” pohojnë burimet nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit nuk preferon të japë asnjë koment për lënien e kësaj çështjeje në harresë për një kohë të gjatë, ndërsa justifikimet kanë qenë me mbingarkesën që kanë këta gjyqtarë. Relatori i çështjes është Edmond Islamaj, ndërsa në faqen e internetit të gjykatës, ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të shqyrtohet rekursi i prokurorisë.

Vrasja pa autor

Megjithëse Gjykata e Lartë ka lënë në sirtar këtë çështje, e njëjta gjë ndodh edhe me prokurorinë. Kjo e fundit ende nuk ka një emër për vrasësin e Aleks Nikës. Nëse për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit dyshohet Agim Llupo dhe për vrasjen e Faik Myrtajt dyshohet vetë Ndrea Prendi, akuza nuk ka asnjë emër autori se kush qëlloi mbi demonstruesin lezhjan. Pas emërimit si kryeprokuror, Adriatik Llalla, tha se “hetimet vazhdojnë në lidhje me përcaktimin e autorësisë për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e demonstruesve të quajtur Artes Dybeli, Ilia Qesku dhe Ilia Papa”. Pra, këto ngjarje nuk kanë shkuar në Gjykatën e Tiranës dhe drejtuesit e akuzës qendrore mund të mblidhnin prova. Por, kur kanë kaluar më shumë se tre vjet nga emërimi i Llallës, mësohet se nuk është gjetur asnjë element i ri që mund të hidhte dritë mbi këtë vrasje, që ndodhi në mes të Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button