Europa

Piloti kishte probleme psikike, vuante nga sindroma e rraskapitjes

Pasi hodhën dritë mbi dinamikën e momenteve të fundit dramatike të avionit të ‘Germanwings’, hetuesit po përpiqen të zbulojnë arsyet e gjestit ekstrem të pilotit të dytë Andreas Lubitz.

germanwings-Andrea_3247459bKontrollet në shtëpinë e tij i kanë ofruar policisë të dhëna të rëndësishme, që Tregojnë se 28-vjeçari ka pasur probleme psikologjike. Nga apartamenti i Lubitzit në Dyseldorf dhe banesa që ndante me prindërit në Montabaur, në veri të Frankfurtit, janë marrë për ekzaminim një sërë objektesh, përfshirë dhe një kompjuter.

I riu gjerman kishte fluturuar që adoleshent, avionët ishin pasioni i tij, – rrëfejnë ata që e kanë njohur. Në Montabaur, një komunitet i vogël prej 13 mijë banorësh, e njihnin të gjithë: i ati punonte në bankë dhe e ëma ishte organizatore në një kishë protestante. Askush ama nuk kishte menduar kurrë se ai djalë i qetë dhe miqësor, siç e përshkruajnë miqtë, do të mund të kryente një gjest të tillë çmendurie.

Lubitz kishte nisur të punonte si pilot i dytë në vitin 2013 dhe asnjëherë nuk kishte shfaqur ndonjë pakënaqësi për atë që bënte. Faqja e 28-vjeçarit në rrjetin social Facebook tregon se ishte i apasionuar pas vrapit dhe muzikës pop. Në pamje të parë, një njeri mëse normal.

Por, nuk thonë këtë raportet në mediat gjermane. Sipas ‘Spiegel’, Lubitz kishte pasur probleme psikike, për të cilat në vitin 2009 i ishte nënshtruar për 6 muaj kontrollit mjekësor. Kjo thuhet të ketë qenë arsyeja e ndërprerjes së trajnimit, të cilën drejtuesit e ‘Lufthansa’ nuk e pranojnë publikisht.

‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ shkruan se piloti vuante nga “sindroma e rraskapitjes”, një depresion patologjik që vjen si pasojë e stresit. Ekspertët tani po përpiqen të zbulojnë motivet e aktit që u kushtoi jetën 144 pasagjerëve dhe 5 anëtarëve të tjerë të ekuipazhit.

Kishte marrë para’ borxh? Kishte ndonjë armiqësi? Do të kontrollohet “background”-i i tij fetar? Do të shihet nëse kishte probleme me ligjin dhe do të verifikohen historitë e dashurisë.

Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kabinat e pilotëve janë bërë të pasulmueshme, në mënyrë që të mbahen terroristët jashtë, por me sa duket ndodh që dikush të lërë jashtë edhe kolegun. Pas episodit tragjik të airbusit të ‘Germanwings’, një sërë kompanish ajrore janë zotuar të ndryshojnë rregullat e tyre, në mënyrë të tillë që nga sot e tutje, në kabinën e pilotit të jenë gjithmonë të pranishëm dy anëtarë të ekuipazhit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button