Bota

Plani B i Moskës: Marrëveshja për plutoniumin

Moska synon pezullimin e marrëveshjes me SHBA-n për asgjësimin e plutoniumit të aftë për armë atomike. Cilat janë pasojat?

Parlamenti rus, duma, voton të mërkurën (19.10) për një projektligj që po ndiqet me interes sidomos jashtë vendit. Fjala është për pezullimin e marrëveshjes mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për asgjësimin e plutoniumit të aftë për t’u përdorur për armë atomike. Presidenti rus Vladimir Putin e shpalli këtë hap në fillim të tetorit dhe miratimi në të gjitha instancat si në parlament edhe në Këshillin Federal, duket i sigurt. Pra ky ligj pritet të hyjë në fuqi në javët e ardhshme.

Marrëveshja mes koncernit shtetëror rus të energjisë bërthamore “Rosatom” dhe Ministrisë amerikane të Energjisë u negociua në fund të viteve 1990 dhe u nënshkrua në vitin 2000. Ai parashikon  asgjësimin nga secila palë e 34 ton plutonium të aftë për armë. Këto rezerva me nivel të lartë radioaktiv nga koha e Luftës së Ftohtë ishin bërë pas përfundimit të luftës të panevojshme dhe shumë të shtrenjta për të dyja palët.

Moska ia hedh fajin Uashingtonit

Putini tha se për vendimin e tij ka dy shkaqe: një formal dhe një gjeopolitik. Sipas tij Uashingtoni nuk ka respektuar metodën e asgjësimit sikur qe parashikuar, pra për ta përzierë me uran dhe për ta përdorur për prodhim energjie në centrale atomike. Rusia ka ndërtuar një impiant të tillë dhe do ta përdorë këtë përzjerje urani dhe plutoniumi në një central atomik në Urale. Kurse SHBA do t’i depozitojnë rezervat nën tokë. Sipas Rusisë kjo është problematike, sepse SHBA mund t’i përdorë sërish këto rezerva. Si shkak gjeopolitik Putini përmendi “një ndryshim kardinal” në raportet Rusi – SHBA, ndër të tjera saksionet e vendosura pas aneksimit të Krimesë.

Moska është e gatshme ta vërë në sërish në jetë këtë marrëveshje vetëm nëse këto probleme do të mënjanohet, njoftoi Ministria e Jashtme në Moskë. Moska nuk pret vetëm heqjen e sanksioneve, por edhe dëmshpërblim për dëmet ekonomike të shkaktuara prej tyre.

Jo pasoja ushtarake

Deklarata e Putinit u prit pozitivisht në Rusi dhe disa ekspertë e konsiderojnë si pasojë logjike të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Nga ana tjetër ka ekspertë, si  Alexej Arbatov, që thonë se ky veprim ka vetëm efekt simbolik, sepse kjo marrëveshkje kishte kohë që nuk zbatohej. Edhe Vladimir Dvorkin nga qendra “Carnegie” në Moskë e konsideron këtë hap më tepër “një hap politik”.

Se çfarë do të ndodhë vërtet me plutoniumin e aftë për armë në Rusi, është e paqartë. Detaje të sakta, nuk ka. Por për potencialin ushtarak të Rusisë kjo nuk do të luajë ndonjë rol vendimtar. Rusia ka rreth 130 ton plutonium të aftë për armë – pra shumë më tepër se fuqitë e tjera bërthamore dhe rreth 40 ton më shumë se Shtetet e Bashkuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button