Policia e Kosovës masa për protestën e 17 shkurtit
Policia e Kosovës bëri të ditur sot se ka marrë një sërë masash lidhur me mbarëvajtjen e protestës së opozitës në 17 shkurt.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Kosovës i bën thirrje qytetarëve të Kosovës për qetësi dhe maturi gjatë ditës së mërkurë në të cilën partitë opozitare kanë organizuar protestë kundër qeverisë së Kosovës.
“Qëllimi strategjik i këtij plani operativ është; siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit; Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës; Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jo stabilitet; Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike, apo shkaktimin e dëmeve në pronë publike apo private”, thekson policia.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi. Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e kësaj proteste është prioritet i planit të PK-së.
“Bazuar në historikun e zhvillimit të protestave të deritashme dhe vlerësimeve të bëra, Policia e Kosovës disponon informacione se gjatë protestës nga persona të ndryshëm mund të përdoren mjete që shkaktojnë dhunë apo rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe të zyrtarëve policorë”, nënvizohet policia.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rendin dhe sigurinë publike.
Njëkohësisht, Policia e Kosovës me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe krijimit të një ambienti sa më të sigurt për punën e gazetarëve, fotoreporterët etj. që të pajisen me pajisjet e nevojshme për identifikimin e tyre, duke përfshirë ID-të identifikuese dhe jelekët reflektues me mbishkrime PRESS.
Policia e Kosovës gjithashtu ka angazhuar kapacitetet e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive për nder të përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe qytetarëve tanë t’u mundësohet festim sa më dinjitoz në këtë datë të rëndësishme.