Policia per Çanin: Dizinformacion për të penguar të vërtetën
Policia ka reaguar pas një kronike të dhënë nga kanali televiziv News 24, ku u transmetua intervista e një personi, që pretendon se ka të dhëna për vrasësit e bankierit Artan Santo. Më poshtë, deklarata e plotë e policisë:
“…Policia e Shtetit bën me dije se për ngjarjen në fjalë kanë ardhur me dhjetra informacione në të cilat pretendohet se jepen të dhëna të vlefshme për hetimin. Policia e Shtetit ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që i është dhënë asaj dhe falenderon te gjithe qytetaret qe kane dhene këto informacione. Por Ajo sqaron se është e detyruar me ligj që të bëjë vlerësimin e burimeve dhe të vërtetësisë së tyre.
Policia e Shtetit ka strukturat e saj të specializuara të cilat bëjnë verifikimin e të gjitha informacineve të marra nëpërmjet metodave dhe mjeteve të përcaktuara në ligj. Të gjitha informacionet që jepen në Policinë e Shtetit kalojnë detyrimisht në këtë proces duke përfshirë edhe ato që mund t’i jepen Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nëpërmjet telefonit nga njerëz anonim.
Informacioni në fjalë i dhënë nëpërmjet telefonit nga një person anonim, i cili nuk ka dashur të identifikohet dhe as të marrë takim të drejtpërdrejt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, apo me ndonjë nga Specialistët e ngarkuar me këtë hetim , është duke ndjekur këtë proces vlerësimi dhe verifikimi qysh nga data e marrjes së tij.
Drejtori i Përgjithshëm mirëpret informacionet që i vijnë atij edhe drejtpërsëdrejti ndonëse kjo nuk është procedura normale , por vlerësimi i këtij informacioni dhe verifikimi i tij bëhen nga strukturat përkatëse të hetimit.
Dhënia e një informacioni Drejtorit të Përgjithshëm nuk përbën arsye për ta vlerësuar këtë informacion më shumë se të tjerët, është grupi hetimor që bën vlerësimin dhe verifikimin e tij dhe mbi këtë bazë së bashku me Prokurorin e ngarkuar për këtë çështje përcaktohet edhe plani i veprimit që do të ndiqet.
Policia është e vetdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias diziinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës.
Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarit në fjalë që të paraqitet pranë organit procedurial penal që është Policia Gjyqësore e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ose Prokuroria e Tiranës, për të dhënë informacionet që ai pretendon se ka lidhur më ketë ngjarje dhe aty do të marrë edhe përgjigjen se çfarë është bërë deri tani me informacionin e dhënë prej tij.
Policia falënderon mediat që janë të interesuara për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe sidomos NEWS 24 , e cila ndonëse me vonesë po interesohet për ish aksionerin që zotëronte 50 % të aksioneve të saj , duke lënë pas dore problemet që ka pasur kur ishte gjallë…”
***
Reagimi II i Ministrisë së Brendshme
Disa orë më vonë reagon dhe Ministria e Brendshme, e cila thotë se hapja e ekranit të TV për çdo njeri që pretendon se di rrethana dhe publikimi i tyre pa asnjë verifikim dhe filtër etik, profesional dhe institucional, cënon procesin hetimor .
“Ministria e Punëve të Brendshme hedh poshtë me neveri akuzat tërësisht politike të Partisë Demokratike sipas të cilave Policia e Shtetit ka shpërfillur një dëshmitar të vrasjes së shtetasit Artan Santo, pas publikimit në TV News24.
Policia e Shtetit ka konsideruar maksimalisht çdo informacion të ardhur në adresë të saj dhe që ka pasur të dhëna të nevojshme për zbardhjen e ngjarjeve kriminale si dhe zbulimin e autorëve të tyre.
Edhe në rastin e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos, policia ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që është dhënë nga qytetarë të ndryshëm, duke verifikuar çdo të dhënë, edhe kur janë paraqitur nga persona anonim.
Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Brendshme shpreh keqardhje për mungesën e profesionalizmit të treguar nga ana e televizionit “News 24”, i cili është përpjekur të hedhë baltë mbi punën e policisë duke ngritur hije dyshimi pa asnjë bazë faktike, por vetëm duke u nisur nga hamendësime dhe deklarime anonime.
Hapja e ekranit të TV për çdo njeri që pretendon se di rrethana dhe publikimi i tyre pa asnjë verifikim dhe filtër etik, profesional dhe institucional, cënon procesin hetimor.
Pa dashur të insinuojmë së është pikërisht ky qëllimi i “News 24” lidhur me vrasjen e z. Santo, Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje për profesionalizëm dhe etikë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbështetjen e luftës kundër krimit të organizuar.
Ministria e Punëve të Brendshme garanton opinionin publik se do të vazhdojë të inkurajojë të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të kontribuojnë për sigurinë e përbashkët duke dhënë çdo informacion të nevojshëm për parandalimin e apo zbardhjen e ngjarjeve kriminale, duke i siguruar në të njëjtën kohë për seriozitetin e trajtimit të këtyre informacioneve”.
TV News 24 ka paraqitur dëshminë e një personi, i cili thotë se njeh vrasësit e Artan Santos. Biseda me të është publikuar nga Artur Çani, i njëjti që raportoi ngjarjen e dyshimtë të “avionit me drogë të Divjakës”.
Biseda u transmetua me zë të ndryshuar ndërkohë që edhe personi, sipas vetë intervistuesit Çani, kishte veshur xhaketën xhins të këtij të fundit.
Personi anonim ka thënë se e ka parë disa herë motorin dhe autorët e vrasjes dhe i ka ndjekur. Ai thotë gjithashtu se ka këmbëngulur disa herë për të denoncuar vrasësit dhe madje njihte edhe miqtë e vrasësve.
Personi shton se ka këmbëngulur që të denoncojë vrasësit për të marrë shpërblimin prej 100 mijë eurosh.
Policia la të kuptohet se ky është një dizinformacion.