Politika dhe intelektualët
Nga Artan Mullaj
Publiku ynë sheh, dëgjon edhe vlerëson gjithnjë e më pak njerëz të përkushtuar të shkencës dhe krijimit. Arsyeja është, sa e dhimbshme, aq e thjeshtë. Në kohën tonë, shumë intelektualë kanë gjithnjë e më pak arsye të harxhojnë kohën e tyre me pasione që nuk shërbejnë për asgjë. Përkundrazi, çdo ditë e më shumë, studiuesit përballen me një realitet që i bën të ndihen inferiorë. Inferiorë jo për pasionet e venitura të tyre, por për furinë e sukseseve të njerëzve të zakonshëm. Mjaft qytetarë, që nuk bëjnë punë intelektuale, që nuk kanë intelektin e tyre dhe nuk kanë mbrojtur doktorata e s’kanë tituj e grada, fitojnë më shumë dhe jetojnë më mirë se ata. Në Shqipëri, gjeografia e sukseseve ka një shpërndarje kaotike, në të cilën vështirë të funksionojë ligji i shkakut dhe i pasojës, si dhe ligjet e tjera të jetës dhe të suksesit. Në këtë shpërndarje kuturu të mundësive, pasurisë dhe përfitimeve, të cilat gjithashtu vijnë edhe ikin sipas ligjeve të panjohura, duke sfiduar logjikën e kapitalit, suksesi nuk është i parashikueshëm dhe as i shpjegueshëm. Mbase kjo është arsyeja që intelekti dhe epërsia në perceptim nuk e ka ndihmuar komunitetin e intelektualëve të jetë në pararojën e atyre që dinë t’i bëjnë ëndrrat realitet. Në një ekonomi informale, ku mbretëron kaotizmi dhe në një shoqëri ku intelektualët ngjajnë aq më mediokër sa më shumë synojnë të zhvillojnë natyrshëm dhe ligjshëm ambiciet dhe idetë e veta, shanset nuk janë të mëdha për ata.
***
Kjo sepse këta njerëz të mençur jetojnë në një vend ku suksesi është i kushtëzuar edhe nga kuraja për të shkelur apo për të shpërfillur ligjet e shtetit. Të kesh intelekt dhe të respektosh ligjet tek ne është pesë me hiç; në një vend ku e kundërta ofron më shumë dinamikë dhe shanse, intelektualët ndihen të strukur në realitetin pesimist të të kënaqurit me pak. Në vijim të këtij arsyetimi, roli i zbehtë i intelektualëve në një mision që mungon, iu ka ulur përtokë aksionet dhe kualitetin profesional në bursën e perceptimit publik. Kështu që kemi të bëjmë me ca tipa të urtë, spektatorë e të ndjeshëm, që nuk kanë as zell të bëhen xhelozë për arritjet e të tjerëve. Duken të zhgënjyer fort me situatën ku ndodhen dhe me rrogat e turpit që shteti iu jep për studime dhe hulumtime që nuk bëhen kurrë. Kjo dhënie mund të quhet mëshirë. Shumica e intelektualëve studiues bëjnë sikur merren me shkencë dhe zbulime, bëjnë sikur përpiqen të shtojnë njohuritë dhe kualitetet e tyre, ndjekin seminare dhe konferenca që shpesh nuk ju shërbejnë për asgjë, por në të vërtetë mallkojnë veten që ashtu si disa kolegë të tyre, nuk u morën me politikë në kohën e duhur. Politika është shndërruar në ëndërr. Edhe pse shpesh supozohet që si mendimtarë, janë shumë të pastër për të funksionuar në mes të baltës dhe batakut që prodhon politika te ne, ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një joshje e fortë për mendjet e shquara të vendit. Politika i fton dhe i josh çdo moment. Ata e kanë kuptuar qysh herët se politika ofron famë dhe pasuri, të surprizon me lavdi të pamerituar dhe me vlera që nuk i ke dhe të jep njohje publike që nuk ke guxuar ta imagjinosh më parë.
***
Politika është treguar dashamirëse me intelektualët e parë që iu afruan asaj. Këta i kthyen sytë nga politika, mbase për të shpëtuar nga robëria e pagesave mujore, por pa e ditur as vetë, pa e merituar as vetë, befas e gjetën veten në qiellin e shtatë, të pasur dhe të pushtetshëm. Intelektualët e parë që bënë politikë sot janë krenarë që aftësitë e dikurshme intelektuale i kanë zëvendësuar me reflekse marketingu, për të fuqizuar më shumë bizneset dhe pushtetin që iu dha politika. Prandaj joshja e re e të tjerëve, që hezituan atëherë, është e natyrshme sipas logjikës “më mirë vonë se kurrë”, dhe kjo gjë shpjegon një gjallërim të interesit intelektual për të hyrë në politikë vitet e fundit. Ky gjallërim nganjëherë përfundon në babëzi. Nuk është e panjohur dhe nuk është e rastit që edhe titujt e lartë të shkencës dhe mendjet e ndritura, e synojnë sot politikën deri në babëzi, për të shkëmbyer lavdinë e paqenë të shkencës me altarin e një pushteti të premtuar.
Kjo babëzi e natyrshme e mendimtarëve të uritur, që shpesh banojnë në shtëpi me qira dhe shënojnë llogaritë e ditës nëpër lista, shndërrohet nganjëherë në makth, dhe kjo ndodh jo për shkak se duke synuar politikën ata i kanë dhënë fund pasioneve të tyre për punën intelektuale, por sepse politika tashmë është e tejngopur dhe nuk ka vend për ata. Ndërkohë që politika është një hapësirë ku nuk ka ndershmëri dhe intelekti i brishtë përdoret për prodhime intrigash dhe kulisash, asaj i ka shteruar bujaria e kohës kur hiqte mbathjet dhe hapte këmbët për të gjithë. Konkurrenca është rritur njëlloj si në bizneset e çoroditura të shqiptarëve dhe të hysh në politikë, suksesi dhe karriera në të, nuk është më diçka e lehtë dhe e sigurt si më parë. Duke qenë se shumë nga të parët që nxituan të shijonin shpërblimet e saj qenë mediokër dhe të përlyer, për shkak se janë të tillë, ata janë konsoliduar sot në klane partiake antiintelektuale që vështirë të çahen nga pretenduesit e rinj. Parulla për “dyer të hapura” të liderëve politikë sot janë hipokrizi e pastër dhe vijnë erë “kurvëri”. Sepse e vërteta është që partitë kanë ngritur kështjella pa dyer rreth tyre, ku mund të hyjnë vetëm servilët, besnikët, javiret dhe njerëzit e afërt të liderëve. Vetëm kështu i shpëtojnë konkurrencës. Mungesa e “gjelbërimit” në listat e të preferuarve të rinj në klanet e politikës e vërteton këtë gjë. Llumit i shtohet bataku. Prandaj politika shqiptare, në çdo rast, përfaqësohet si një dukuri e rrallë. Kjo pengesë është natyrisht një dilemë e re e intelektualëve tanë të dëshpëruar nga mungesa e mundësive. Grupime të tjera intelektuale ia kanë dalë të ruajnë virgjërinë civile larg politikës, jo se nuk u joshën nga ajo, por se u tërhoqën kur gjetën dyer të mbyllura. Një pjesë e tyre u morën me biznese dhe një pjesë e kësaj pjese u ambientua me harbutërinë e rrugës ku shitet dhe blihet marrëzi kuturu. Të tjerët emigruan në vende të huaja, për të ndotur fytyrat dhe shpirtin e tyre me baltën e shpërfilljes edhe racizmit. Aq më pak në Perëndim ka qenë e lehtë për ata të mbajnë ndezur pishtarin e pasioneve shkencore, pas punëve të rëndomta në ndërtim dhe në bujqësi, që iu duhet të bëjnë për të jetuar…
Në këtë mënyrë, intelektualët shqiptarë janë komuniteti në radhë pas emigrantëve, që shteti iu ka mohuar barbarisht të drejtën për të ushtruar misionin dhe pasionin e tyre. Por ndërsa misioni i tyre është ndërprerë, ironia vazhdon. Thelbi i kësaj ironie nuk ka të bëjë vetëm me faktin se administrata shtetërore, që gjen fonde për çudirat më të mëdha, nuk është kurrë e gatshme të mbështesë me investime shkencën dhe krijimin. Ironia e kësaj historie, që shpesh kalon në sarkazëm, është heshtja e pafalshme e mediave. Si institucioni më përparimtar në vend, mediat shqiptare e kanë fshikulluar edhe ato me mënyrën më të keqe intelektualitetin në vend, duke i kursyer dritat e saj për atë. Vështirë të publikohen ndonjëherë talente të reja, studime, arritjet shkencore të intelektualëve tanë, por kuja është se nuk publikohet as mungesa e tyre, as fakti që ata nuk ekzistojnë, çka është një dramë e vërtetë.
Ndërsa kjo është një kohë e dëshpëruar për shkencën dhe shkencëtarët shqiptarë, shteti shpenzon lumë paratë publike për turizëm qeveritar, për lobime, për fushata, për prapaskena dhe prodhime imazhi. Askush nuk mendon asnjëherë për këtë vrimë të zezë të realitetit, ku shpërfillet truri, talenti dhe shpresa për zhvillim tradicional të shoqërisë… Nuk bëhen eksperimentime, nuk zhvillohen perspektiva tradicionale në mjekësi, s’ka hulumtime, as studime shkencore, as studime të sponsorizuara historike, gjeografike dhe arkeologjike; letërsia është një plazmë në zhdukje, rrallë e më rrallë dëgjon të shkruhet dhe ndonjë poezi, qoftë edhe mediokre, sa për sensualitet. Mbase ka, por askush nuk thotë dhe asnjë nuk përmend që aksh student bëri këtë zbulim, apo aksh shkencëtar botoi një studim dinjitoz në aksh organ prestigjioz… Në qiellin e shkencës shqiptare nuk ka më as hënë e as yje.