Kryeartikull

Prenga, sebepi i radhës për reformën në drejtësi

Armando Meta
Armando Meta

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, listoi një sërë kërkesash në adresë të mazhorancës aktuale dhe konkretisht në drejtim të kryeministrit Edi Rama, të cilat i ka përkufizuar si kushte të PD-së, që të lejojë punën normale në Kuvend. Ai ka lënë të hapur mundësinë edhe të një bojkoti të Kuvendit nga ana e PD-së, nëse nuk largohen dhe të lenë mandatet deputetët Armando Prenga, Koço Kokëdhinma, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli.

Pa hyrë shumë në detaje, kushtet e vëna nga Basha janë tërësisht të parealizueshme në aspektin ligjor. Asnjë Kryeministër, Kryetar Partie, Kryetar Kuvendi, President apo kushdo qoftë, nuk mund të heqë mandate apo të largojë nga Kuvendi deputetë të caktuar.  E drejta morale është njëra anë e problemit, ndërsa e drejta ligjore është krejt tjetër. Nëse problemi do të shtrohej në aspektin moral, do të ishin jo pak deputetë të PD-së, të PS-së dhe LSI-së, të cilët duhej të ishin larguar me kohë nga Kuvendi, për të mos u zgjedhur më kurrë.

Asnjë person nuk mund të privohet nga e drejta për një proces ligjor të drejtë dhe të ndershëm. Ky është rregulli bazë i demokracis. Si i tillë ky rregull vlen edhe për të gjithë ata persona të listuar nga Basha se duhet të ikin nga Kuvendi, si kusht që PD-ja të mos bojkotojë apo që Kuvendi të punojë normalisht. Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta e pafajësis deri sa Gjykata të shprehet me vendim të formës së prerë. Ndaj dhe kërkesa e Bashës, sado e drejtë që mund të jetë moralisht, ligjërisht është e pazbatueshme. Por në fakt a është ky problemi? Përse Basha artikulon këto kushte, ndonëse e di që janë tërësisht të parealizueshme, edhe sikur Rama apo Meta të donin të largonin deputetët në fjalë? Është krejt e qartë se Basha dhe Berisha, i cili është tashmë qartazi edhe personi që po harton këtë strategji, nuk e kanë shqetësimin te këta 4 deputetë. Thelbi është se ato po përpiqen të gjejnë justifikime që PD-ja të mos votojë në muajin mars Reformën në Drejtësi, ashtu siç iu premtua edhe Sekretarit të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës që ai zhvilloi disa ditë më parë në Tiranë. Ende pa mbërritur në Kerry në Uashington, Basha deklaroi se PD-ja nuk do të votojë Reformën në Drejtësi, pa u zbatuar ligji për “Dekriminalizimin”.

Tani “sebepi” i rradhës janë largimi i 4 deputetëve nga Kuvendi. Piruetat e njëpasnjëshme të Bashës në një hark shumë të shkurtër kohor, ku nga njëra anë deklaron publikisht se do të votojë Byronë e Hetimit dhe të nesërmen thotë se nuk e votoj, ku nga njëra anë thotë se do votojë reformën por më parë duhet të iki X apo Y nga Kuvendi, e kanë kthyer një partner jo serioz në marrdhëniet me ndërkombëtarët dhe nga ana tjetër një figurë me besueshmëri të ulët në opinionin publik dhe politik.

Të kushtëzosh reformën në drejtësi me kushte të parealizueshme, në fakt thjesht do të thotë se nuk dua ta votoj reformën në drejtësi. Ndaj nuk do shumë mund e mend për të kuptuar se kushtet e Bashës janë thjeshtë sebepe për t’ia mbathur nga përgjegjësitë politike për të votuar Reformën në Drejtësi. Sa i përket bojkotit të Kuvendit, ai thjeshtë do të ishte një problem personal i PD-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button