Presioni i komisionerit Hahn nuk dha rezultate
Pa sukses ka rezultuar tentativa e Komisionerit Evropian për Zgjerim, Johanes Hahn, i cili të hënën zbriti në Shkup për të ndihmuar katër partitë kryesore në Maqedoni që të tejkalojnë dallimet për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.
Pas bisedimeve maratonë që përfunduan rreth orës katër mëngjesin e ditës së martë, Hahn u nis i dëshpëruar drejt Brukselit.
“Përfundimisht, ishte një ditë e keqe. Shpresoj që nesër të jetë ditë më e mirë. Ende është gjithçka e mundur. Jam i dëshpëruar, por ka gjasa të respektohet marrëveshja. Është e qartë se nuk po kuptohet serioziteti i situatës. Nevojitet lidership për normalizimin e situatës dhe perspektivës evropiane të vendit”, u shpreh Hahn.
Komisioneri ka paralajmëruar palët se dështimi i bisedimeve për zgjidhjen e krizës mund të ketë ndikim negativ në procesin e integrimit të vendit.
Tentativa e Brukselit për të zhbllokuar marrëveshjen për zgjidhjen e krizës ka dështuar pasi edhe përkundër bisedimeve që u zhvilluan për 12 orë, krerët partiakë nuk arritën të gjejnë kompromis rreth formës së ligjit, i cili do të ndalonte publikimin e materialeve të përgjuara.
Palët nuk kanë arritur të finalizojnë as pikat e tjera të marrëveshjes, siç ishte formatimi i qeverisë, ligji për Kodin e ri Zgjedhor, emërimi i stafit të Prokurores Speciale si dhe formimi i komisionit për përgjimet.
Negociatat për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike do të vijojnë midis grupeve punuese të katër partive kryesore në Maqedoni.