Prilli rrit eksportet, pas 10 muajsh me rënie
Eksportet shqiptare kanë ndërprerë tendencën negative. Pas 10 muajsh radhazi me rënie, në prill eksportet nga Shqipëria u rritën me 1.5 për qind krahasuar me prillin e vitit 2015. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, shkaku kryesor ishte ecuria pozitive e industrisë së fasonit.
Sipas INSTAT, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” u rritën muajin e kaluar me 37.8 për qind, krahasuar me prillin e vitit 2015: nga 6.4 miliardë lekë që ishin, në 8.8 miliardë lekë.
Veç fasonit, një tjetër zë me ecuri pozitive janë eksportet bujqësore, të cilat u rritën në prill me rreth 50 për qind krahasuar me vjet, edhe pse pesha e tyre në totalin e eksporteve mbetet ende e ulët.
Por, pavarësisht rritjes së lehtë në prill, në total si katërmujor eksportet janë këtë vit 5.9 për qind më të ulëta se vitin e kaluar, për shkak të ecurisë negative në tremujorin e parë.
Eksportet shqiptare janë goditur fort nga rënia e çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet globale, pasi këto janë nga zërat kryesore të produkteve që Shqipëria shet jashtë. Paralelisht, një tjetër zë me ecuri negative janë eksportet e materialeve të ndërtimit, të cilat u goditën nga falimentimi i “KURUM”.
Në kahun tjetër të tregtisë, atë të importeve, tendenca është pozitive. Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet totale për katërmujorin u rritën me 7.7 për qind, si pasojë e ecurisë pozitive në zërin e “makineri pajisjeve dhe materialeve të ndërtimit” të ndikuara nga projekti “TAP”.