Kosova

Prishtinë, shtyhet vendimi për procedim të marrëveshjes së “Demarkacionit”

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i Kuvendit të Kosovës ka vendosur shtyrjen për më 15 janar të vendimit përfundimtar për procedim apo jo të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, për votim në Kuvendin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky komision në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Me ftesë të këtij komisioni, në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, në krye me Shpejtim Bulliqin, i cili theksoi se pas analizës së bërë nga dokumentacioni që iu është ofruar nga ish-komisioni “Meha” është gjetur se ky komision ka tejkaluar kompetencat e tij duke hyrë në procesin e përcaktimit të vijës së re të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet me shenja kufitare. Kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet në periudhën dyvjeçare nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje. Kjo bën me kuptuar që komisioni ynë nuk ka bërë demarkacion e as shënim të vijës kufitare, por ka bërë përcaktim të vijës kufitare, sepse shënimi dhe mirëmbajtja e vijës kufitare ose demarkacioni tani ka mbetur që të bëhet pas 2 vitesh, pasi që të hyjë në fuqi kjo marrëveshje.”

Ai po ashtu bëri të ditur se komisioni i tanishëm me hulumtimet e bëra ka gjetur se shumë objekte infrastrukturore të ndryshme në atë territor, që sot janë të diskutueshme, për 67 vite deri në vitin 2009 janë menaxhuar nga Kosova.

Kurse kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sipas Konventës së Vjenës për Traktate, e cila aplikohet drejtpërdrejtë në Kosovë, Qeveria është ajo që mund të refuzojë marrëveshjen në rast se ka pasur tejkalim të kompetencave, e jo Kuvendi.

“Në rastin konkret edhe sikur të pranonim si të mirëqenë, pra edhe sikur të konstatohej përfundimisht që ka pasur tejkalim të kompetencave, Qeveria paraprake ka miratuar këtë tejkalim kompetencash dhe njëjtë e ka bërë edhe qeveria aktuale, duke e sjellë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen e njëjtë që e ka nënshkruar komisioni Meha, edhe sikur ta ketë nënshkruar duke tejkaluar ato kompetenca”, tha ajo.

Florian Isufi nga Komisioni për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi tha se në kanë gjetur se ish-komisioni ka përdorur harta të cilat nuk kanë kufi, dhe se në ato është vendosur një kufi që ka të bëjë me kufirin në marrëveshje.

Në fund të diskutimeve, komisioni, duke kërkuar argumente shtesë për çështjet e diskutueshme vendosi që vendimi për procedim apo jo të marrëveshjes në Kuvend, të shtyhet për më 15 janar.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ardhjes në krye të ekzekutivit në fillim të shtatorit, shkarkoi kryetarin e Komisioni Shtetëror për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi i cili ishte Murat Meha dhe emëroi Shpejtim Bulliqin në krye të këtij komisioni.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button