Prizren, 31 vjet burg për vrasjen e rojtarit
Vrasja e cila kishte ndodhur në vitin 2008 për t’u zbuluar pas pesë vjetëve falë bashkëpunimit vullnetar me policinë nga Shqipron Ahmetaj, i akuzuari i tretë në këtë rast, përfundoi të mërkurën me shpalljen fajtorë të tre të akuzuarve.
Kryetarja e trupit gjykues Rahima Elezi shpalli vendimin.
“I akuzuari Alfred Bobaj gjykohet me dënim burgu prej 20 vjetësh. I akuzuari Besnik Ukaj gjykohet me dënim burgu në kohëzgjatje 11 vjetësh. Të akuzuarit Shqipron Ahmeti, i shqiptohet dënimi me kusht, duke vërtetuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej dy viteve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda këtij afati nuk kryen vepër penale’’, tha Elezi.
Të dënuarve do t’u llogaritet në dënim edhe koha e kaluar në paraburgim nga 3 janari i vitit të kaluar.
Pas shpalljes së aktgjykimit, i akuzuari Besnik Ukaj, i mllefosur nga dënimi, drejtoi fjalë kundër prokurorit të shtetit Genc Nixha, duke e akuzuar se nuk është marrë me të gjatë kohës së hetimeve.
“Më paq në qafë gjithë jetën… se nuk je marrë me mu në asnjë moment”, shpërtheu emocionalisht Ukaj.
Prokurori Nixha kërkoi nga trupi gjykues që këto fjalë të shënohen në procesverbal, gjë të cilin kryetarja e trupit gjykues e bëri.
I dënuari Besnik Ukaj bashkë me prokurorin akuzoi edhe Alfred Bobajn bashkëfajtorin në këtë gjykim se është dënuar vetëm pse këtë e ka dashur Bobaj.
“Më paqi në qafë se të padrejtë ma keni bo, nuk kam pas të bëjë me këtë vrasje, jo, veç pse një kriminel gjakftohtë donë që unë me u dënuar… more gjakftohtë, që asnjëherë nuk e pranove drejtësinë, realitetin, asnjëherë nuk u tregove i penduar për këtë vepër”, tha Ukaj duku iu drejtuar Bobajt.
Pas shpalljes së aktgjykimit, prokurori Genc Nixha, tha për KALLXO.com se do të bëjë ankesë ndaj vendimit të gjykatës.
Ankesën e paralajmëruan edhe mbrojtja e të akuzuarve Alfred Bobaj dhe Besnik Ukaj, ndërsa avokati Adem Jetishi tregoi se nuk do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit për klientin e tij Shqipron Ahmeti, pasi ai u dënua me kusht.
Sipas prokurorisë, vrasja e Salajdin Ukimerit rojes së pompës së benzinës “Albes Petrol” ndodhi më 21 maj 2008.
Aktakuza ngarkonte Alfred Bobajn dhe Besnik Ulajn se kishin shkuar në afërsi të kësaj pompe me qëllim që ta plaçkitin këtë pikë karburanti për të përfituar materialisht.
Te pompa që ndodhet në Magjistralen Prishtinë-Prizren, Bobajn e Ulajn i kishte dërguar Shqipron Ahmetaj me automjetin e tij.
Alfred Bobaj me vete mbante një automatik AK-47, me të cilin qëlloi dy herë me armë zjarri në drejtim të rojës, edhe pse Besnik Ulaj i kërkoi të largoheshin kur pa rojën, pasi i tha Bobajt se tash të ndjerin e kishte kushëri.
Të dy pastaj u larguan me vrap drejt makinës së Shqipron Ahmetajt, për t’u larguar me shpejtësi drejt fshatit Korishë të Prizrenit.
Ahmetaj akuzohej nga prokuroria për dhënie të ndihmës personave pas kryerjes së veprës penale dhe për fshehje të provave, pasi kishte dëgjuar në makinën e tij diskutimin mes atyre që qëlluan drejt rojës.
Megjithatë, më pas falë bashkëpunimit të tij me organet e rendit, kjo vepër penale u zbulua, ndërsa Ahmetaj u dënua vetëm me kusht.