Programi “100 fshatrat”: Modeli në zonat rurale në tre vitet e ardhshme
Nga Nertila Maho
Programi “100 fshatrat” pritet që të përqendrojë fondet dhe vëmendjen e qeverisë në krijimin e një modeli të suksesshëm në zonat rurale në tre vitet e ardhshme. Katër ministritë e përfshira në këtë program pritet të zbardhin planin e tyre më 2 shkurt, ndërkohë që drafti paraprak i Ministrisë së Bujqësisë për mbështetjen parashikon disa kategori përfituese.
Subjektet e agroturizmit në këto fshatra mund të përfitojnë deri në 50% të vlerës së investimit, por jo më shumë se 20 milionë lekë. E njëjta formulë ndiqet për bujtinat, mbështetjen e prodhimeve bujqësore apo modernizmin e staneve.
E dini që zona ku ndodhen Kanionet e Osumit është në Blezënckë. Ndoshta po? Por ndoshta identifikimin e këtyre kanioneve e bëni gjeografikisht më gjerë me thjesht Skrapar. Po që dy vezirë shqiptarë, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane me mbiemrin Qypriliu, janë nga fshati Roshnik? Po që Kalivaçi, një fshat që po i bëhet “dhuratë” një HEC, ka një të kaluar mbresëlënëse historike? Apo për fshatin Kukël, ku poeti dhe atdhetari Ndre Mjeda ushtroi aktivitetin e tij?
Të tilla fakte mund të gjesh kudo nëpër çdo fshat të Shqipërisë që i bëjnë të veçantë, por një program i qeverisë shqiptare ka vendosur që për të paktën 100 fshatra në të gjithë vendin, të ngrihet një model i suksesshëm.
Do të jetë ky model, monedha e re rurale, e asaj që do të përfaqësojë fshatin e së nesërmes ku, përveç bujqësisë, të ketë zhvillim edhe për aktivitetet jobujqësore, duke rritur kështu mirëqenien, por edhe duke garantuar shërbime më të mira. Secili prej tyre do të identifikohet për veçantinë e tij.
Në listën e 100 fshatrave gjejmë emra që njihen nga të gjithë si Thethi, Voskopoja, Lazarati, Dhërmiu. Kush për natyrën, kush për kulturën, një tjetër sepse është bërë objekt lajmi në më shumë sesa një herë, për shkak të një fenomeni.
Arsyet mund të jenë të ndryshme, por ka diçka se pse njëri apo tjetri ka përfunduar në listën e mbështetjes. Mbështetja për 100 fshatrat do të jetë me fonde për të nxitur agroturizmin, zhvillimin e prodhimeve tradicionale, staneve, bizneseve të reja startup për të rinjtë. Ende nuk ka një draft final për financimin, por më 2 shkurt, katër ministri pritet të prezantojnë secila kontributin e tyre në program.
Drafti për mbështetjen me financim për çdo kategori
Vetëm Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar në buxhetin e vitit 2018, 2.5 milionë euro për programin “100 fshatrat”.
Por cilat do të jenë ndërhyrjet që do të bëhen në kuadër të këtij programi, duke nisur nga bujtinat tek dyqanet me prodhime shqiptare. Referuar draftit që po diskutohet në tryezë, është parashikuar që për të nxitur turizmin rural të financohet ngritja e bujtinave dhe guesthouse.
Mbështetja do të jetë deri në 50% të vlerës së investimit por jo më tepër se 1 milion lekë. Në mbështetje të agroturizmit do të jepet mbështetje deri në 50% të vlerës së investimit por jo më tepër se 20 milionë lekë.
Për të nxitur prodhimet tradicionale të zonave në punishte të vogla, mbështetja është parashikuar deri në 50% e vlerës së investimit, por jo më tepër se 1 milion lekë. Për makineri e pajisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, mbështetje deri në 50% të vlerës së blerjes së pajisjeve. Nxitja e startup-eve për të rinjtë (25-35 vjeç) me grant deri në 500 mijë lekë.
Një zë është parashikuar në mbështetje të modernizimit të staneve deri në 80% të vlerës së investimit, por më shumë se 200 mijë lekë. Edhe inkubatorët e prodhimeve tradicionale do të mbështeten me grante deri në 70% të vlerës së investimit, por më shumë se 15 milionë lekë, kurse rrjeti i dyqaneve me prodhime shqiptare do të mbështetet deri në 50% të vlerës së investimit, por jo më tepër se 2 milionë lekë.
Agroturizmi dhe inkubatorët
Përtej interesit që ka në tërësi mbështetja e gjithë aktiviteteve në fshat dhe që synon zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies, dy janë edhe kategoritë që përfitojnë një kufi më të lartë financimi, kjo edhe sepse vlera e financimit është më e madhe.
Bëhet fjalë për agroturizmin dhe inkubatorët. Për agroturizmin, masa maksimale që mund të përfitohet është deri në 20 milionë lekë, ndërkohë që subjekti përfitues do të duhet të respektojë të gjithë kriteret e vendosura për t’u certifikuar si i tillë.
Kjo do të thotë që subjekti duhet të ketë të paktën një 1 hektar tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë sera. Të ketë ferma blegtorale, ku duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Të ofrojë akomodim, ushqim dhe pije, veprimtari argëtuese, si dhe një sërë kushtesh të tjera. Një koncept i ri që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka sjellë është ai për inkubatorët.
Në 100 fshatrat që janë pjesë e programit do të ndërtohen disa inkubatorë ku me të njëjtën teknologji, fermerët apo banorët e fshatit, mund të prodhojnë produkte tipike të zonës, pa ndryshuar teknologjinë, pa industrializuar prodhimin, por duke punuar brenda një ambienti, i cili plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe ka marrë certifikatën përkatëse.
Prodhime të tilla si rakia për shembull, që ruan të njëjtën mënyrë distilimi tradicionale në kazanin e rakisë apo reçelrat që prodhohen me të njëjtën formë artizanale, brenda një ambienti të certifikuar, lejohen që të konsumohen si ushqime. Ministria, nga ana e saj, ka deklaruar se do të mbështesë proceset e ambalazhimit dhe marketimit të tyre.