Projektbuxhet i oligarkëve dhe inceneratorëve
Në vend që të përgatiten buxhetet vjetore, bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e viteve të kaluara, sikurse ka bërë për një dekadë sekti Rama në qeverisje, parimet e OECD-së dhe FMN-së mbi mirëqeverisjen financiare dhe formatimin e buxheteve të përgjegjshëm për qytetarin sugjerojnë se qeveria duhet t’i strukturojë vendimet buxhetore, bazuar në nevojat dhe domosdoshmëritë e perspektivës për vitet e ardhshme.
Projektbuxhet pa bosht
Sipas qeverisë, projektbuxheti per vitin 2024 mbështet zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale. Por ky bosht është tërësisht jo ekzistent, pasi, si mund të ndërtohet një buxhet me fokus të tillë, në mungesë të:
1. Një strategjie kombëtare të qartë të zhvillimit ekonomik të vendit, modelit ekonomik që po ndjekim dhe përcaktimit të avantazheve konkurruese të ekonomisë sonë?
2. Si mund të ndërtohet një buxhet social, në mungesë skandaloze të përcaktimit dhe miratimit të një minimumi jetik zyrtar, ndërsa sekti Rama ka 3 mandate që e premton Minimumin Jetik Zyrtar dhe nuk mban premtimin?
3. Në mungesë kronike të një plani konkret veprimi për rritjen e pensioneve në një nivel dinjitoz, i cili minimalisht të mbulojë nevojat bazë jetike të kësaj kategorie, që sot praktikisht përbën një të tretën e popullsisë së Shqipërisë?
4. Në mungesë totale të një plani masash të mirëpërcaktuar, mbi kufizimin fortë të emigrimit të të rinjve dhe profesionistëve dhe boshatisjen e frikshme të vendit?
5. Në mungesë të një politike të drejtë fiskale, të përqendruar mbi detyrimet e kapitalit, dhe jo të punës, sikurse e ka deformuar dhe denatyruar politikën fiskale sekti Rama deri tani? Aktualisht, barra fiskale e lartë dhe taksimi i profesioneve të lira godet shtresën e mesme, duke mos taksuar si duhet bizneset e mëdha dhe oligarkët, të cilët, me politika, ligje të qepura posaçërisht për ta, përjashtime nga taksat dhe përfitime nga tenderat, janë kategoria që ka përftimet më të larta dhe absolute nga ky sekt i sotëm në pushtet.
Projektbuxhet hipokrit
Projektbuxheti 2024 është hipokrit, pasi, edhe pse pretendon se 1/3 e shpenzimeve të buxhetit do të shkojë për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, etj., e gjitha kjo nuk përkthehet në vlerë të shtuar reale dhe përmirësim të kushteve dhe cilësisë së jetës së qytetarëve shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë, por mbijetojnë! Lind pyetja, nëse fokusi i buxhetit është te kjo kategori dhe të mbrojtja sociale, përse sekti Rama nuk e nis vendimmarrjen buxhetore, me një paketë për mbështetjen e konsumit, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të çdo qytetari, sidomos pensionisteve dhe shtresave në nevojë?
Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon dhe ndër më të lartat në Evropë, për sa i përket çmimeve të shportës së konsumit. Përse, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe shembujve të vendeve të rajonit dhe Evropës, ky sekt ne qeverisje nuk rishikon në ulje TVSH-në e produkteve bazë? Rritja e pagave me kaq vonesë, si kofini pas të vjelave, pas tetë vitesh as indeksim të tyre, nuk e mbulon dot rritjen e çmimeve dhe të inflacionit në dy vitet e fundit.
Projektbuxhet inceneratorësh!
Në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar në rritje 14,2 miliardë lekë ose 134 milionë euro pagesa për inceneratorët, nga rreth 13 miliardë lekë që ishin pagesat e bëra në vitin e kaluar. Cilat janë arsyet e kësaj rritjeje, në një kohë kur këto pagesa përbëjne një risk fiskal për buxhetin dhe një borxh të fshehur për vitet në vijim? Përse në buxhet janë parashikuar 1.2 miliardë lekë pagesa për inceneratorin e Tiranës, një incenerator ky i sekuestruar tashmë nga SPAK?
xxx
Sekti Rama në qeverisje nuk i jep përgjigje asnjë prej këtyre pyetjeve, që mund të ndihmonin të formatohej një buxhet social, për qytetarin dhe sfidat e zhvillimit të vendit për vitet që vijnë. Ky sekt shikon vetëm dhe thjesht t’u shërbejë oligarkëve dhe të grabisë qytetarët, duke i zhytur ata akoma më shumë në mjerim, dëshpërim dhe mungesë perspektive.