Projektet e mëdha që injorojnë zërin e komuniteteve
Nget Khun, një 76-vjeçare e njohur në kryeqytetin e Kamboxhias si “Gjyshja”, nuk ka dalë në pension ende. Autoritetet e kanë futur në burg ish-shitësen e rrugës për muaj. Khun thotë se policia e ka rrahur dhe torturuar me elektricitet. Të gjitha këto, sepse ajo guxoi të ngrejë zërin kundër një vale dëbimesh që shënjestrojnë të varfrit që jetojnë në zonën Phnom Penh që duhej të mbrohej nga një program menaxhimi, financuar nga Banka Botërore.
Një hetim i brendshëm i Bankës Botërore zbuloi se zyrtarët e bankës nuk ia dolën të bëjnë mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtat e banorëve teksa autoritetet vendase largojnë prej shtëpive qindra persona për të hapur rrugën për ndërtesa dhe dyqane luksoze.
Khun është mes dhjetëra aktivistëve dhe njerëzve të zakonshëm në botë që thotë se qeveritë dhe kompanitë e mbështetura nga Grupi i Bankës Botërore i kanë shënjestruar për kërcënime, rrahje, arrestime, spiunime dhe reprezalje të tjera, për shkak se kanë kritikuar projektet e mëdha të zhvillimit.
Aktivistët e të drejtave të njeriut pretendojnë se Grupi i Bankës Botërore, disa herë nuk ka ndërhyrë për t’i ndaluar huamarrësit e tij ndaj veprimeve të paligjshme për diga, rrugë dhe projekte të tjera që vetë banka i mbështet. Kjo i ka lënë njerëzit si Khun të përballen të vetëm me kompanitë dhe qeveritë që kanë pak durim për t’i bërë gjërat siç duhet.
Një raport i qershorit nga Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut tregon se Banka Botërore ka hyrë në apati totale për të marrë përsipër përgjegjësitë e projekteve që ajo vetë mbështet. Si një huadhënëse shumëkombëshe, Banka Botërore nuk ka autoritet direkt për të ndërhyrë në mbrojtjen e njerëzve, por mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se zyrtarët e bankës duhet t’ia presin financimin qeverive apo kompanive që përpiqen t’ua mbyllin gojën kritikëve.
Banka Botërore nuk u është përgjigjur akuzave që janë ngritur nga investigimi. Përmes një deklarate të qershorit, ajo ka lajmëruar se ka politika dhe mekanizma të fortë për të mbrojtur njerëzit që flasin në lidhje me çështjet e saj.
Luftë e hapur
Grupi i Bankës Botërore jep para borxh për të mbështetur punë publike dhe shërbime shoqërore në shtetet me probleme serioze ekonomike dhe politike. Në shumë vende ku operon banka, liria e fjalës është e kufizuar dhe kritikët rrezikojnë dhunën ose burgun.
Liria për t’u shprehur për projektet e sponsorizuara nga Banka Botërore, është shumë e rëndësishme, sepse iniciativat e saj kanë pasoja tepër të mëdha te jetët e njerëzve. Që nga viti 2004, projektet e mbështetura nga banka kanë zhvendosur 3.4 milionë njerëz. Në shumë raste, kompanitë ose qeveritë kanë shembur shtëpi, sulmuar ose vrarë fshatarë për të vazhduar dëbimin masiv të njerëzve për t’u hapur rrugën projekteve miliona-dollarëshe.
Në një studim të fundit nga International Accountability Project (Projekti Ndërkombëtar i Llogaridhënies), një grup për të drejtat e njeriut, zbuloi se njerëzit e prekur nga këto projekte të sponsorizuara prej Bankës Botërore kanë frikë të flasin kundër. Grupi thotë se 78 për qind e 800 njerëzve të intervistuar në Kamboxhia, Mongoli, Egjipt dhe gjetkë, u shprehën se ndiheshin të pasigurt për të shprehur opinionin e tyre ose për të ngritur pyetje.
Vetë Presidenti i Ugandës në vitin 2002 lajmëroi për një projekt dige të sponsorizuar nga Banka Botërore dhe paralajmëroi se ata që do të pengonin, po i dilnin përpara rritjes ekonomike. “Do t’i hap luftë kujtdo që pengon”, ka paralajmëruar ai atëherë.
Në vitet pasuese, qeveritë kanë arrestuar ambientalistët që janë ankuar për projektin dhe kanë kërcënuar çdo grup humanitar për kritikat ndaj tij.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Nepal, ku policia në vitin 2013 ka torturuar, burgosur dhe sulmuar gra të paarmatosura që i dolën kundër një projekti mbështetur nga Banka Botërore.
Së bashku me nxitjen që Grupi i Bankës Botërore të përgjigjet ndaj reprezaljeve që kanë ndodhur në shumë shtete në zhvillim në projektet e mëdha ekonomike, grupet e të drejtave të njeriut thonë se banka duhet të ndërmarrë hapa më agresivë ndaj këtij fenomeni përpara se të ndodhë.
Diskutimi me grupet e interesit, personat që preken nga projektet dhe ambientalistët duhet të jetë i vazhdueshëm nga ana e zyrtarëve të Bankës Botërore, këshillojnë grupet e të drejtave të njeriut. Banka është përgjigjur se i ka përdorur këto mekanizma. Nga ana tjetër, një audit i brendshëm ka konstatuar se në Kamboxhia, njerëzit ishin subjekt i presionit për t’u evakuuar dhe shpesh janë përballur me detyrim nga ana e qeverisë dhe kompanive.
Në Kamboxhia, “gjyshja” Khun dhe kritikë të tjerë vazhdojnë të përballen me arrestime dhe kërcënime për liqenin Boeung Kak. Në korrik, Khun korri një fitore personale. Qeveria i dha asaj titullin ligjor të tokës ku familja e saj jeton.
Por lufta për të nuk ka mbaruar.
Ka ende familje që presin të marrin dokumentet për të qëndruar në shtëpi, ndërsa të tjerë që janë detyruar të largohen, po presin për kompensim. Khun premton se do të vazhdojë mbështetjen e kësaj kauze.
“Do të protestoj deri në vdekje”, thotë ajo.
*Burimi: Ky artikull është përmbledhur për botim në shqip nga artikulli origjinal i publikuar në Huffington Post nën titullin “Banka Botërore dështon të ndalojë sulmet, arrestimet mbi fshatarët që protestojnë projektet e mëdha”. Artikulli investigativ është hartuar nga gazetarët Ben Hillman, Bopha Phorn, Michael Hudson dhe Barry Yeoman.