Projektrezoluta e BE, Bushati: U vlerësua progresi për reformën në drejtësi
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar lidhur me projekt rezolutën për Shqipërinë, diskutimet për të cilin kanë nisur në Komisionin e Jashtëm të Bashkimit Europian.
Bushati tha se rekomandimet e paraqitura meritojnë një trajtim të kujdesshëm, “pasi secili prej tyre synon përmirësimin e të ardhmes së qytetarëve tanë”.
“Ajo që thuhet qartësisht në projekt-rezolutë, është çka kemi përsëritur vijimësisht pas marrjes së dritës së rekomandimit nga Komisioni për hapjen e negociatave: progresi në reformën në drejtësi, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut është thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara gjatë këtij viti. Rekomandimet e paraqitura në këtë projekt-rezolutë meritojnë trajtim të kujdesshëm, pasi secili prej tyre synon përmirësimin e të ardhmes së qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratën e ministrit Bushati.
Shefi i diplomacisë shqiptare thotë se është trajtuar pozitivisht politika e jashtme në këtë rezolutë, ku vlerësohet dinamizmi konstruktiv, kontributi në bashkëpunimin rajonal dhe qëndrimi i konsoliduar sa i përket linjëzimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
“Presim miratimin e rezolutës në seancën plenare në Strasburg në 15 shkurt, me bindjen se ajo do të gjejë përsëri një mbështetje të gjerë ndërmjet të gjithë anëtarëve të Parlamentit Europian”, përfundon Bushati.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.