Prokurori Sheshi: Akuzat ndaj meje, goditje për Reformën në Drejtësi, SPAK-un dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm
“Konfirmoj se nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtor i fshehtë i ish-Sigurimit të Shtetit shqiptar”, ishte fjala e prokurorit Bujar Sheshi në mbledhjen e KLP-së.
Pas këtij shpjegimi, Bujar Sheshi vazhdoi më tej duke i konsideruar gjetjet e Autoritetit të Dosjeve si pjesë e një skenari politik që synon pengmarrjen e KLP-së.
“Pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara që janë pjesë të rëndësishme të politikës, jo vetëm në njërin krah, por edhe persona me pushtet të lartë, që kanë ushtruar ndikim mbi këtë institucion, duke detyruar të dalë në një vendim të paprecedentë, që është dukshëm në kundërshtim me ligjin”, tha Sheshi.
Bujar Sheshi këmbëngul se gjithçka po ndodh për të penguar ngritjen e SPAK-ut, si dhe votimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Nuk synohet thjesht goditja ndaj personit tim, si hakmarrje për shkak të çështjeve që kam hetuar apo përfaqësuar si prokuror, apo për mendimin që kam shfaqur si anëtar i KLP-së për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kryeprokuror, por mendoj se synohet goditja dhe vënia nën presion e të gjithë institucionit të KLP-së. Kjo, pasi kemi ardhur në një moment përfundimtar të krijimit të SPAK-ut dhe përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm”, tha më tej Sheshi.
Më herët, Bujar Sheshi dhe 5 anëtarët e tjerë votuan për rikthimin e Besim Hajdarmatajt dhe Olsian Çelës te Krimet e Rënda, duke zhvlerësuar urdhrin e “internimit” të firmosur për ta nga prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku.
Ndarja e votave, 5 me 6, u pa si formimi i dy kampeve që do të përplasen në vijim: nga njëra anë anëtarët që vijnë nga Prokuroria, e nga ana tjetër pjesëmarrësit që vijnë nga shoqëria civile. Por, ndërsa i akuzuari Bujar Sheshi këmbëngul se duhet të zbardhet e vërteta dhe se duhet shpëtuar KLP-ja nga vendosja në goditjen e segmenteve dashakeqe, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që kërkoi dokumentet e autoritetit, ka 7 ditë kohë të shprehet.
“Këshilli do të vendosë në ditët në vijim kursin e veprimit në lidhje me këtë çështje në tryezën tonë”, tha kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi.
E ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e afatit për këdo që synon të jetë pjesë e SPAK-ut, po ashtu pak ditë nga hapja e garës për postin e prokurorit të Përgjithshëm, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë duket se lufta sapo ka nisur, përderisa kanë dalë në pah probleme të papërmendura më parë.
Por, a është e vërtetë e gjithë kjo? Duket se tashmë, topi do të përfundojë në fushën e Prokurorisë së Tiranës, e cila me shumë gjasë pritet të nisë hetimet për të zbardhur të gjithë këtë çështje: nëse është një presion ndaj qeverisë së prokurorisë, apo nëse një institucion tjetër është vendosur nën presionin e politikës, sikurse tha anëtari i KLP-së i akuzuar gjatë orëve të fundit.
Por data që mban dokumenti për Bujar Sheshin tregon se Arta Marku thirri prokurorët për votim, duke shmangur përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve. Prokuroria e Përgjithshme reagoi, duke treguar se vonesa për kthimin e përgjigjes, nga njëra anë, dhe plotësimi i deklaratës individuale të Sheshit, që nuk përputhen me njëra-tjetrën, do të jenë objekt i një hetimi.
E gjitha kjo do të thotë se organi qendror i akuzës, me këtë frazë pozicionohet kundër anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi, por edhe kundër Autoritetit të Dosjeve, duke kërkuar të gjendet se cili prej tyre thotë të vërtetën, që sidoqoftë, edhe pse ngjan si kërkesë ligjore, mund të jetë më tepër një lojë e nisur për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.T