Prokuroria: Ja pesë shkeljet që sollën arrestimin e Fullanit
Ardian Fullani akuzohet se me mosveprimet e tij ka cenuar sigurinë e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë.
Prokuroria e Përgjithshme, në një deklaratë pas arrestimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë rreshtoi plot pesë shkelje të Fullanit.
Ndërkohë ndihmësja e tij, Elivar Golemi, ka bërë katër shkelje ligjore.
NJOFTIMI
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtetasin Adrian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, si edhe për shtetasen Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë pasditen e së Premtes, dt. 05.09.2014.
Në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë, të filluar në muajin Korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të këtij institucioni, për shkak të mosveprime të tyre, kanë krijuar kushtet që të cënohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë.
Në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se, shtetasi Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, Mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.
Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.
Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.
Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.
Po ashtu, në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasja Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.
Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.
Së treti: Është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja.
Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhë të parave