Prokuroria thërret për dëshmi Fullanin
Ish-guvernatori mund të pyetet në shtëpi ose do shoqërohet me policë në organin e akuzës
Ndryshimi i masës së sigurisë, nga arrest me burg, në arrest shtëpie, nuk e ka përjashtuar nga ndjekja penale ish-guvernatorin Ardian Fullani, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij, sollën supervjedhjen katërvjeçare në Thesarin e Shtetit. Grupi hetimor ka bërë disa verifikime ditët e fundit, madje u ka ndryshuar akuzën Ardian Bitrajt, Mimoza Bruzias dhe Kleves Bejtjes, të cilët do të gjykohen veçmas 16 të pandehurve të tjerë. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për Shqip se në këtë fazë të procedimit penal, është e nevojshme që të pandehurit të njihen me ecurinë e hetimeve, si dhe me provat, ku nëse do të kenë kundërshti, duhet të japin shpjegime. Nëse janë dakord, apo nuk preferojnë të japin shpjegime, duhet të firmosin procesverbalet përkatëse. Hetuesit e çështjes i kanë shkuar në qeli Bitrajt dhe disa të arrestuarve të tjerë, ndërsa po merret me komunikimin e akuzave apo me njohjen e dosjes me të pandehurit e tjerë. Dhe, në këto veprime, nuk përjashtohet as ish-guvernatori Ardian Fullani, i cili do të përballet sërish me grupin hetimor, atë grup që i kërkoi gjykatës arrestimin. Disa ditë më parë, hetuesit e çështjes i shkuan në qeli Fullanit, disa ditë para masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit, por ai nuk pranoi të japë shpjegime. Tashmë, në këtë fazë të hetimeve është e nevojshme që Fullani të përballet sërish me hetuesit. Burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se në ditët në vijim do të lajmërojnë avokatin e zotit Fullani për këtë seancë pyetjesh, ndërsa ende nuk është vendosur edhe marrja në pyetje. Zyrtarët e akuzës së kryeqytetit pohojnë se hetuesit e çështjes mund t’i shkojnë në banesë këtij të pandehur ose ai mund të shoqërohet në prokurori. Me shumë gjasa, varianti i dytë mund të realizohet për Fullanin, ku grupi hetimor pritet të urdhërojë Policinë e Tiranës që të shoqërojë në prokurori ish-guvernatorin. Shoqërimi me punonjës policie vjen si pasojë e vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vendosur se Fullani nuk duhet të komunikojë me asnjë person tjetër, përveç pjesëtarëve të familjes. Në këtë kontekst, ai nuk duhet të lërë ambientet e banesës, nëse nuk ka një urdhër të prokurorisë. Tashmë, hetuesit do të vendosin edhe datën kur do të thërrasin për dëshmi Fullanin, e cila mund të koincidojë edhe me mbylljen e hetimeve për këtë procedim penal. Mësohet se çështja është drejt fundit, ku 16 të pandehur do të shkojnë në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa hetimet për 3 të arrestuarit e parë do të vijojnë, pasi ende nuk është gjetur ndonjë gjurmë e parave të vjedhura në Thesarin e Shtetit. Akuza ka vërë disa verifikime ditët e fundit, por pa mundur të gjejë ndonjë 50 mijë lekëshe të Thesarit, pasi ka konstatuar se paratë që do të asgjësoheshin nuk u mbahej numri i serisë. Nisur edhe nga këto veprime të Thesarit të Shtetit, akuza e ka të pamundur gjetjen e tyre, pasi lekët mund të jenë rihedhur në qarkullim.