Te ndryshme

Prona më e madhe tokësore në botë nxirret në shitje

Me një sipërfaqe më të madhe se Belgjika e Holanda të marra së bashku, fermat e familjes australiane Kidman, që merren prej më shumë se 100 vjetësh me rritjen cilësore e shumë fitimprurëse të gjedhit, do të nxirren në shitje. Çfarë mund të fshihet pas vendimit të papritur?

Tokë e kuqe, vapë marramendëse, ajër fishkëllyes. Në horizont qielli blu reflektohet mbi asfaltin e nxehtë. Në lëndinat e thata ndanë lumenjve pa ujë dhe shkurreve të eukalipteve me xhufka e gjemba, shihet një rrugë drejt një hapësire të pamasë, që duket e pafund. Ky është “Outback”-u. Kështu i quajnë australianët zonat e izoluara në brendësi të vendit. Ndonjëherë ato quhen edhe “asgjëja e madhe”. E pikërisht ajo tashmë është vënë në shitje. Ose të paktën një pjesë e saj.

Bëhet fjalë për njërën ndër pronat më të mëdha private të botës. Zona, e cila përbëhet nga dhjetë vende apo rajone, ka një sipërfaqe shumë mbresëlënëse në terma të madhësisë që kap vlerën e 101.411 kilometrave katrorë, çka i përgjigjet pak a shumë sipërfaqes së mbarë jugut të Gjermanisë për shembull, duke bashkuar dy lande si Bavaria dhe Baden-Vyrtembergu. Madje, Austria është disi e vogël krahasuar me atë sipërfaqe, sikurse dhe Holanda e Belgjika të marra së bashku. Nëse ato sipërfaqe tokësore që përbëjnë pronën e vetme të një njeriu do të ishin të ngjyrosura, atëherë do të mund të shquheshin lirisht lart nga hapësira.

Tokat që tashmë gjenden nën pronësinë e brezit të pestë të familjes që i zotëron nën emrin e një firme të vetën “S. Kidman und Co.”, janë nxjerrë së fundmi në shitje për një çmim prej rreth 222 milionë eurosh. Qysh prej më shumë se 100 vjetësh, familja Kidman është marrë me rritjen e gjedhit. Kjo familje posedon ndërkaq 16 ferma gjedhi me rreth 160.000 kokë bagëti.

Një ndër to është edhe “Anna Creek Station”, e cila me 23.000 kilometrat katrorë që posedon, renditet edhe si ferma më e madhe e gjedhit në botë. Në krahasim me sipërfaqen e shteteve të rajonit tonë, ajo është e përafërt me atë të Maqedonisë.

Një njeri për 154 kilometra katrorë

Kjo është edhe e përbashkëta e vetme me një shteti europian dhe fermës së largët e të izoluar në brendësi të shtetit kontinent. Ndërsa në vendin fqinj, i krahasueshëm gjithashtu nga sipërfaqja me këtë fermë, jetojnë më shumë se 2 milionë banorë, gjithë kjo sipërfaqe duket se nuk “nderon” aspak ata që jetojnë aty. Në këtë sipërfaqe të familjes Kidman, jetojnë gjithsej 150 kaubojsa apo lopçarë dhe nëpunës të tjerë e punonjës së fermës.

“Jeta në fshat” këtu merr një kuptim tepër të veçantë nëse mendon, se për çdo banor që jeton atje i përkasin plot 154 kilometër katrorë nga brendësia kontinentale e Australisë. Me vullnet të lirë, këtu nuk jeton askush. Por me punë duket se disave u leverdis të merren pikërisht në këtë rajon.

Ngaqë biznesi me fermën e gjedhit momentalisht po dëshmohet si tejet rentabël, shumë investitorë të huaj kanë nisur të shfaqin interes për ofertën e “Outback”-ut australian. 30 aplikantë janë tashmë në radhën e fituesve paraprakë, ndërsa qysh në prill kanë nisur kërkimet për nëntë të interesuar potencialë.

Rreth gjysma e ofertave vijnë nga investitorët australianë. Pjesa tjetër e të interesuarve vijnë nga vende si Kina, SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Zvicra dhe Amerika e Jugut, siç bënte të ditur familja pronare e saj.

Të interesuarit duhet të bien dakord për një lloj të veçantë takimi për të parë e verifikuar pronën e tyre të ardhshme. Për t’i “hedhur një sy mallit”, ata duhej të shëtisnin me avion për një javë rresht nëpër territoret e Australisë së Jugut, Queensland-it, territoret veriore dhe ato të Australisë Perëndimore. Pasi fermat e gjedhit të familjes S. Kidman janë jo vetëm jashtëzakonisht të mëdha, por edhe shumë larg njëra-tjetrës.

Thashetheme për zënka familjare

Shumë australianë po e shohin me skepticizëm reagimin e investitorëve imobiliarë nga jashtë vendit, e para së gjithash kur bëhet fjalë për sipërfaqe kaq të mëdha. “Mendimet mund t’i marr tërësisht me mend”, thotë Don Manifold nga ferma “Ernst & Young”.

“Por nuk duhet lënë jashtë vëmendjes fakti se këtu bëhet fjalë për një rritje e mbarështrim të cilësisë së parë të gjedhit. Veç kësaj, qeveria dhe komisioni i verifikimit e kontrollit për investitorët e huaj, do të thotë edhe ai fjalën e tij me të drejtë vetoje. Këtu bëhet fjalë sigurisht tekefundit për një raport afatgjatë me pronën”.

Ndërkaq, thashethemet se zënkat mes familjeve janë ato që e kanë shkaktuar marrjen e vendimit për ta nxjerrë në shitje këtë superpronë, sipas Manifold nuk janë verifikuar. Vendimi për t’u ndarë nga toka e bagëtitë pas më shumë se një shekulli, është marrë nën dakordësinë e të gjithëve. Por përse po shitet një biznes kaq fitimprurës, pa asnjë borxh mbi kurriz, të cilin pra kjo familje e menaxhon prej brezash?

Për këtë mbetet vetëm të spekulohet. Ndërmarrja familjare e ka gjetur përgjigjen ndërkaq: “Shumë në familjen tonë po investojnë tashmë në sektorë të tjerë agrikulturorë, brenda e jashtë vendit. Shitja do na mundësojë të bëjmë para, të cilat do mund t’i investojmë në terma afatgjatë, duke mbështetur investimet e reja që kemi bërë”.

Por ka edhe një teori tjetër. Burimet e furnizimit me ujë mund të kenë kohë që kanë shteruar, aq sa ujitja e mëvonshme e këtyre sipërfaqeve të pamasa në vitet e dekadat e ardhshme të mos jetë më e garantuar.

Për momentin, ky biznes është akoma fitimprurës. Dhe në vitet e para pas shitjes, mund të jetë edhe më fitimprurës. Kështu që familja Kidman, po shfrytëzon shansin për të dalë nga izolimi i shkretëtirës së stërmadhe australiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button