Pronarët e një hoteli vrasin kamerierin për 500 mijë lekë
Viktima
Trupi i pajetë i 28-vjeçarit nga Elbasani, Denis Vyshka, u gjet rreth 50 metra larg bregut nga pushues të huaj dhe vendas
Autorët
Për këtë krim, policia arrestoi pronarët Altin Imeraj dhe Ervis Zylaj dhe kuzhinierin e lokalit të tyre, Miklovan Zymeraj
Pastruesja
Dorina Sako ka treguar në polici se e kanë dhunuar që të mos tregonte për kamerierin, por ajo u arratis natën nga hoteli
Drimadhas
Trupi i pajetë gjendet në shkurre, dëshmia e pastrueses së dhunuar
Pushuesit në plazhin e Drimadhës në Dhërmi janë tmerruar dje, kur para syve u ka dalë trupi i pajetë i një të riu, që më vonë rezultoi se ishte kamerieri i një hoteli, i cili ishte vrarë nga pronarët e tij, pasi i mungonin 500 mijë lekë nga xhiroja ditore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë, ndërkohë që policia ka arrestuar dy pronarët e hotelit dhe një shokun e tyre. Ata dyshohen edhe për keqtrajtimin e pastrueses së hotelit, e cila ka mundur të arratiset fshehurazi, teksa ata po zhduknin gjurmët e vrasjes.
Kamerieri i vrarë
Policia tha se mëngjesin e djeshëm është njoftuar nga disa pushues të huaj dhe vendas, të cilët kanë telefonuar në sallën operative, duke treguar se trupi i pajetë i një të riu është gjetur rreth 50 metra larg bregut të detit. Ata kanë shpjeguar për policinë se po shkonin për në plazh në jug të Drimadhës, kur kanë vënë re viktimën, që ishte hedhur pranë disa shkurreve. Menjëherë pas këtij njoftimi, forcat e policisë janë nisur për në vendin e ngjarjes, duke menduar se kishin të bënin me mbytjen e tij. Por, kur kanë vënë re se viktima kishte shenja të shumta dhune fizike, si në kokë, trup dhe këmbë, menjëherë është njoftuar mjeku ligjor dhe është ngritur një grup hetimor për të zbardhur vrasjen e tij.
Hetimet e policisë
Fillimisht u bë këqyrja e vendngjarjes, si dhe u morën në pyetje banorë të zonës dhe pushues, të cilët kishin gjetur trupin pa jetë. Nga verifikimet e para, si dhe nga konfirmimet që banorët e zonës dhanë, u vërtetua se i riu i vrarë është 28-vjeçari Denis Vyshka nga Elbasani, i cili prej dhjetë ditësh kishte nisur punë si kamerier në një nga hotelet e plazhit të Drimadhës. Menjëherë, policia nisi verifikimet për të zbuluar se ku kishte punuar dhe u vërtetua se ai ishte kamerier në hotelin “Shija e detit” në plazhin e Drimadhës.
Gruaja e dhunuar
Por, nga ana tjetër, në Spitalin e Vlorës kishte mbërritur një grua e dhunuar, pikërisht 44-vjeçarja Dorina Sako, e cila ka pretenduar para mjekëve dhe policisë se ishte rrahur nga pronarët e hotelit po në plazhin e Drimadhës, ku ka punuar si pastruese. Ajo ka sqaruar se ajo ishte goditur me mjete të forta nga Altin Imeraj dhe Ervis Zylfaj, të cilët janë pronarët e të njëjtit lokal, ku kishte punuar edhe viktima nga Elbasani. Në këto kushte, grupi hetimor ka ngritur dyshimet mbi këta dy persona edhe për vrasjen e të riut, kështu që kanë vendosur shoqërimin e tyre për në Policinë e Vlorës.
Dëshmia e pastrueses
Grupi hetimor është ndarë në dy pjesë, ku njëra palë ka marrë në pyetje pastruesen, ndërsa pala tjetër ka nisur hetimet në plazhin e Drimadhës, duke bërë shoqërimin e dy pronarëve të lokalit dhe të një shokut të tyre. Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se pastruesja ka deklaruar se edhe ajo është dhunuar fizikisht nga pronarët e lokalit, me qëllim që të mos tregonte për dhunën e ushtruar ndaj kamerierit 28-vjeçar. “Unë kam qenë e pranishme kur pronarët e lokalit u zunë me kamerierin. Aty më erdhi keq për djalin e ri dhe kam ndërhyrë, por rashë pre e dhunës. Pasi më kanë goditur, dy pronarët e lokalit më kanë dërguar në një dhomë në katin e dytë, me qëllim që të mos largohesha, pasi kishin frikë se do të rrëfehesha në polici. Kam mundur të largohem vetëm në orët e para të ditës, duke u hedhur nga kati i dytë. Pasi ika u fsheha në disa shkurre dhe prita sa të zbardhë dita. Më pas kam gjetur një makinë të rastit, e cila më ka shoqëruar deri në Spitalin e Vlorës”, mësohet se është shprehur Sako në polici.
Pranga autorëve
Duke u bazuar në dëshminë e saj, por edhe në prova të tjera materiale, policia ka vendosur të arrestojë tre persona të dyshuar për vrasjen e kamerierit dhe rrahjen e pastrueses. Në një njoftim zyrtar, të dhënë në orët e mbrëmjes, policia tha se pas kryerjes së veprimeve hetimore ka arrestuar të dyshuarit Ervis Ylli Zylfaj 24 vjeç, Altin Isuf Imeraj, 35 vjeç dhe Miklovan Pjetër Zymeraj, 20 vjeç, të tre banues në Tiranës. Sipas të dhënave policore, Zylfaj dhe Imeraj janë pronarët e hotelit, ndërkohë që Zymeraj është kuzhinier i lokalit. “Të tre bashkë kanë dhunuar me sende të forta gjatë orëve të para të ditës 28-vjeçarin e punësuar nga Ervis Zylfaj dhe Altin Imeraj si kamerier në lokalin e tyre”, deklaroi policia.
Motivi i krimit
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy pronarët e lokalit kanë ushtruar dhunë ndaj viktimës me pretendimin se viktima kishte përvetësuar një shumë parash prej 500 mijë lekësh të reja, që u përkisnin autorëve. Sipas hetimeve, ai mendohet se ka pretenduar se i kishin humbur paratë e xhiros ditore, por dy pronarët nuk e kanë besuar, kështu që e kanë dhunuar për të treguar se ku i kishte dërguar paratë. “Pasi kanë ushtruar dhunë deri në vdekje të viktimës në ambientet e lokalit, Miklovan Zymeraj e ka transportuar trupin e viktimës me një automjet ‘Ford Fokus’ me portobagazh deri në 300 metra larg lokalit dhe e ka hedhur në shkurre”, shpjegoi policia, e cila vuri në dukje se është sekuestruar mjeti i krimit, si dhe sendet që kanë shërbyer për të ushtruar dhunë ndaj viktimës.