Bota

Propozimi i çuditshëm: Më mirë të dalë Gjermania nga Eurozona

Në një kohë kur prej muajsh i tërë shqetësimi i pasojave të një Grexit-i kishte pushtuar mendjet e të gjithëve, kur përplasjet e mendimeve mbi politikat e nevojshme për shmangien e efektit domino pushtonin titujt e parë të gazetave, kur mes kreditorëve hodhi rrënjë frika se paratë mund të mos i merrnin më mbrapsht, disa ekonomistë të njohur, përvijuan qetësisht një skenar gati të paimagjinueshëm: një dalje të Gjermanisë nga zona e monedhës së përbashkët.

Teza që mbrojnë ata, thotë Deutsche Welle, është se Gjermania e fuqishme mund ta lërë Eurozonën duke i hapur kësisoj rrugën vendeve jugore që të  stabilizojnë borxhet e tyre me një monedhë dukshëm të zhvleftësuar dhe për rrjedhojë, të vënë kontroll më lehtësisht ekonominë e vet.

Shprehja “vendet jugore” nënkupton Greqinë, Italinë, Spanjën dhe në varësi të rrethanave edhe  Portugalinë. Më i fundit që e mbron këtë model është Ashoka Mody nga Universiteti i Princetonit në Shtetet e Bashkuara. Në një koment, që u publikua më 17 korrik, ai parashtron se përse Gerxit, pra një dalje “German Exit”, do të ishte më e preferuar sesa një Grexit.

“Një riorganizim i unionit monetar gjatë 25 apo 30 viteve të ardhshëm do të jetë i pashmangshëm”, thotë Mody për Deutsche Welle. “E vetmja çështje është, se cila është rruga e arsyeshme, që shkakton më pak dëm?”.

Mody mbron pikëpamjen se ministri i Financave të Gjermanisë gabohet kur përzien me njeri-tjetrin problemin e borxheve shtetërore të Greqisë dhe “eksperimentin e Eurozonës“, edhe pse e pranon gjithësesi, që Greqia ka një problem me borxhet, por ai thekson se borxhet nuk kanë të bëjnë me problemet e tjera, me të cilat përballet unioni monetar.

“Nëse nuk ndodh gjë, veçse Greqia të largohet nga Eurozona, atëherë me siguri shumë shpejt do të shfaqet një tjetër problem ‘grek’. Problemi, që ekonomi kaq të ndryshme nuk mund të futen në një kornizë të detyrueshme monetare dhe fiskale, do të mbetet edhe më tej”, thotë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button