Kosova

Protesta e opozitës në Kosovë- Katër policë të plagosur dhe 13 protestues të arrestuar

Policia e Kosovës bën të ditur se si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve janë lënduar katër policë, ndërsa janë arrestuar 13 protestues, si dhe është konfiskuar një çantë me mjete të dyshuara si koktej molotovi.

Në një njoftim për shtyp të Policisë së Kosovës, thuhet se rreth orës 11:30, disa protestues prej rreth 150 personash, duke përfshirë edhe disa deputetë, janë mbledhur për të protestuar para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Lidhur me protestën e paparalajmëruar, Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet relevante policore për të ofruar siguri dhe për të kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Protestuesit fillimisht kanë qenë të qetë, mirëpo të njëjtit rreth orës 12:00 kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme, të rrezikshme, shishe me ngjyrë, duke përfshirë edhe koktej molotovi drejt njësiteve policore dhe objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Njësitet policore pas shfaqjes së dhunës nga ana e protestuesve, janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e ligjshme policore, me qëllim të shpërndarjes së protestuesve dhe parandalimit të dhunës dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit e dhunshëm.

Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në prona publike, duke përfshirë edhe uniforma dhe pajisje policore.

Policia e Kosovës, bazuar në planifikimet operacionale, ka vazhduar me monitorimin e situatës së krijuar nga protesta e dhunshme dhe me veprimet e saja ligjore për të arritur ta menaxhojë dhe ta vejë situatën nën kontroll.

Policia e Kosovës sqaron se nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar katër (4) Fletë Arreste, për katër (4) deputetë lidhur me veprat e tyre penale që ngarkohen, e të cilët janë: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli. Policia në mandatin ligjor që ka është e detyruar në zbatimin e fletë-arresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot më 18.11.2015 pas orës 08:00 të mëngjesit ka filluar me realizmin dhe zbatimin e fletë-arresteve.

Njësitet relevante policore kanë shkuar në adresat e banimit të personave të kërkuar me Fletë-Arrest, për t’iu prezantuar fletë-arrestet dhe të njëjtit për t’i sjellë në Prokurori, ashtu siç parashihet në Fletë-Arrestet e lëshuara.

Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës dhe pas saj po i ndërmerr në konsultim dhe bashkëpunim me prokurorin kompetent.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button