Protesta në mbarë botën kundër Trump
Një mur me kuti kartoni përpara ambasadës amerikane në Mexico City ishte shprehja më e qartë e asaj çfarë mendojnë meksikanët për presidencën “Trump”.
Ngritja e murit në kufi me Meksikën ishte një prej zotimeve më të forta të fushatës së biznesmenit republikan, e tani që ai u vendos në krye të Shtëpisë së Bardhë, frika se ky premtim do të bëhet realitet nuk i lë më vend shpresës.
“Ne jemi kundër ndërtimit të murit dhe do të nisim marshimet sepse qeveria meksikane nuk u është përgjigjur kërcënimeve të Donald Trumpit, ashtu siç do të donin qytetarët e këtij vendi. Trump thotë se meksikanët do të paguajnë për ndërtimin e murit, meksikanët i përgjigjen se nuk e kanë ndërmend aspak një gjë të tillë”, thonë protestuesit.
Skeptikë ndaj Trumpit janë edhe amerikanët që jetojnë e punojnë në Meksikë.
“Nuk besoj se do ta ndërtojë vërtet murin, sepse kostoja është tepër e lartë dhe kundërshtimi i njerëzve shumë i madh. Shpresoj që të mos ndodhë. Trumpi flet shumë, ka shumë ide në kokë, por nuk besoj se do t’i zbatojë të gjitha”, thotë Carol Kaufman, njëra prej tyre.
Ndasitë politike në Amerikë u shfaqën dhunshëm rrugëve të Uashingtonit gjatë ceremonisë së betimit të Trumpit, ku aktivistët vunë zjarre, thyen vitrina e u përleshen me policinë. 217 vetë përfunduan në pranga e të paktën 6 efektivë raportohet të kenë mbetur të plagosur.
Grupet e demonstruesve u shpërndanë nëpër qytet ku kanë përsëritur slogane kunder miliarderit të kthyer në politikan. Një pjesë e njerëzve mbanin pankarta ku shkruhej: “Trumpi nuk është President” dhe “Bëjini racistët të kenë frikë përsëri”.
Protesta ndaj Presidentit të porsazgjedhur amerikan pati edhe në Argjentinë, ku Trumpin e përshkruajne si “kandidat të luftës imperialiste”. Disa nga protestuesit në Spanjë thanë se u vjen turp prej tij edhe pse nuk është presidenti i tyre.
Gjatë kohës kur Trump bënte betimin, në Bruksel ndizeshin qirinj për të drejtat e grave. Tubuesit mbushën rrugët edhe në Lima të Perusë, ndërsa në mbarë Australinë u organizuan marshime të grave me mesazhin se nuk do të heshtin përballë fanatizmit, mizogjinise dhe racizmit.