LibriOpinion

Prurje intelektuale që “zgjojnë” heshtjen

Nga SHEFQET MEKO

Brenda çdo njeriu, ekziston “mekanizmi i heshtjes”. Kjo është, sipas mendimit tim, një e vërtetë universale. Jo rrallë “heshtja është flori”, si një kulturë qytetare, ku njeriu përpiqet të respektojë deri diku kundërshtinë me tjetrin. Unë dua të flas për një tjetër lloj heshtjeje. Ju me siguri e keni provuar qysh nga ajo “nota10-të” në fillore dhe pafund prej asaj kohe. Njeriu formohet përmes betejave me zhgënjimin nga miqtë, shokët dhe ata që pret e shpreson të jenë dashamirës. Në vetvete dashamirësia, fjala e mirë, entuziazmi për tjetrin, janë realisht “mall pa çmim” pra jepet falas me një telefonatë, me një mesazh, me një shtrëngim duarsh apo shënim miqësor. Ne kemi harruar të shkruajmë letra për njëri tjetrin, madje “pusullat e dikurshme” sikur janë varrosur me teknologjinë e kohës.

Këto mendime rrëshqitën në mendjen time, ndërsa shfletoja librat e Diana Gëllçit, PhD në Detroit të Amerikës. Më ngacmoi libri “Rrjetet e përdoruesve dhe pushtetet”, një botim dinjitar i disertacionit të saj për PhD në Amerikë,(2014), që e porosita në Amazon, pastaj vijova me “E hënë në Detroit”(2003) dhe vëllimin poetik “Qielli me Kuadrate”(2024). Nuk merr përsipër të depërtoj thellë në analiza dhe vështrime të prurjeve intelektuale të Diana Gëllçit, thjesht është një lloj reflektimi se si ne, secili, mund të thyejmë heshtjen duke thënë diçka për një punë të mirë, që meriton vëmendje. Librat në fjalë, janë kontribute intelektuale të një zonje nga Kolonja e Shqipërisë, që edhe në Amerikë, ka mundur të mbetet në profilin e vet: Një zë i qartë e profesional në sistemin e edukimit amerikan dhe një krijuese me kërkesa ndaj vetes.
Në fakt ky është në thelb ajo që ndjen për autoren, qoftë edhe duke i shfletuar librat e saj. Në në vargje e prozë, Diana Gëllçi rrëfen vetveten si krijuese, bashkëshorte, prind dhe veprimtare shoqërore. Kështu ndërsa në tregimet tek “E hënë në Detroit”, si një fillim jave apo jete, ndjen pulsin drithërues të të ardhurve në Amerikë, apo edhe brezave të mëhershëm, autorja na sjell panorama të shpirtit dhe betejës për tu adoptuar një realiteti të ri që deri dje ishte aq i largët dhe gati i paarritshëm për brezin tonë. Janë tregime që sjellin momente sfiduese, çaste të bukura e të trishta, rrëfenja brezash, që mbase janë të ngjashme kudo që ndodhin, por rrëfimi i Dianës, vjen si një përrallë në Amerikë. Jetë, shqetësim, përplasje, fatura, dollarë dhe përsëri çdo gjë nga e para, me shpresë se të nesërmen e vrullshme “makina ndizet menjëherë”. Diku në tregimin “Mollëkuqet” autorja në një meditim të shpejtë për jetën dhe vdekjen pyet: “… si kuptohet se nuk kam vdekur!? Nëse ekziston edh një botë tjetër ku shpirti shkon dhe bashkohet me të tjera, cili është treguesi ku bazohemi për të vërtetuar se jemi ne ata që jetojmë!?…” Duket se vdekja e Lindës e ka tronditur dhe ajo na merr me rrëfimin e saj tek përballja Jetë-Vdekje, ku edhe pse e para duket triumfuese, ultimatumi dihet.
Vëllimi “E hënë në Detroit” ka 19 tregime befasuese me një ritëm të butë rrëfyes, si vetë natyra e autores. Redaktuar nga Roland Gjoza dhe botuar nga “Ora”, tregimet janë një “vallëzim” i qetë i jetës në Amerikë dhe Shqipëri. Me pak vëmendje, libri mund të ishte më i plotë nëse do kishte një “arkitekturë” të brendshme strukturorë, gjë që i mungon, mbase nga pakujdesia në faqosje.
Vëllimi poetik “Qielli me kuadrate”, më duket si një kult i shpirtit të vajzës, nënës e gruas shqiptare. Si kushtim ndaj fëmijëve të vet, Klarës dhe Kristit, poezitë vijnë si një shpërthim i lirë i shpirtit të autores. Ajo sikur na marr nga toka “drejt qiellit” me fjalën dhe figuracionin poetik na “fluturon” nëpër hapësira si një iso e pafund e këngës kolonjare : Qielli ynë. Ti, shalli gjigant plot re/e drita misterioze/ i një bote që duhet jetuar…
Poezitë e Gëllçit, janë një kumt për jetën, dashurinë, paqen, modestinë, respekti për njeriun, mirënjohjen e brezave dhe jetesën e thjeshtë dhe të motivuar shpirtërisht. Më ka mbetur në mendje poezia “Shkallarja e jetës”, ku figurshëm dhe me një metaforë të ndezur, Diana Gëllçi, kujton “shkallët” e jetës dhe relativitetin e çdo gjëje kur shkruan: Në ato fillime ti ishe prej gjiganti/E unë/ Fëmijë mbi supet e tua prekja retë/Dhe më pëlqente bota që aty/Babi, sa lart është këtu! Kush nuk e kujton një moment të tillë që mbetet sa fëminor, aq edhe i sinqertë, emocional, nën retë e naivitetit të moshës. Në vijim vargjet bien si një kambanë:…Derisa një ditë/të plakur e mpakur/në krahë të mbajta si fëmijë. Të pafrymë… Është një varg që lotin ta bën kurorë, dhe dashurinë e vatrës tënde sikur e ngre në një panteon lavdie, ku brezat qëndrojnë mbi shpatullat e njëri-tjetrit. Poezia e Diana Gëllçit ka butësinë e shpirtit të saj dhe trazimet e jetës, që nuk i kontrollojmë dot, por u përballemi. Në këtë plan, autorja qëndron “përherë në qiell”, me optimizmin e saj dhe shpresën që sjell tek lexuesi, që përballë jetës dhe fateve të saj duhet qëndruar, jo përkulur e ligështuar. Janë poezi që fillojnë me qiellin, si për të të shëtitur nëpër pafundësinë e shpirtit njerëzor, brenda të cilit jetojnë bashkë paqja dhe lufta, dashuria dhe urrejtja, mirënjohja dhe mosmirënjohja, të gjitha llojet e shpirtrave sikur janë brenda një shpirti, ndaj jo më kot, autorja ngushëllimin e gjen në “kuadratet e qiellit” që duken aq të thjeshta, aq të kuptueshme e misterioze, ku shohim veten dhe kujtimet tona… Në poezinë për Mamanë, vargjet duken si një dantellë poetike: Një zog më thirri në dritare sonte. Dola të shoh/Krejt heshtje. E thellë/Veç hëna ndehej në Qiell elegante…Qielli i tërë fërgëllonte, mama/Si fustani yt i mëndafshtë i dasmave…
“Qielli me kuadrate”, redaktuar mjeshtërisht nga Arta Marku, një profil i spikatur në letrat e sotme, në 138 faqe dhe botuar nga “Albas”, është një prurje e bukur poetike, dhe besoj se meriton vendin e vet në serinë e poezisë shqipe.
Ndërkohë, libri-kërkim nga Diana Gëllçin, PhD, duke ja kaluar kështu edhe bashkëshortit të vet Thoma Gëllçi, që ashtu si unë, ka një emër “karros”, pa tituj dhe grada shencore, meriton një admirim të posaçëm. “Rrjetet e përdoruesve dhe pushtetet” mendoj është një vështrim dhe kërkim shkencor mbi rëndësinë e informacionit, përhapjen, menaxhimin e tij dhe fuqinë reale që të çon drejt “pushtetit që do” jo thjesht në atë politik. Thënie e anëve tona “Kush di edhe ka”, përcillet si fill hulumtues në këtë punim-disertacioni amerikan. Është një kërkim bashkëkohor, ose një “dërrasë e zezë” ku shkruhen e fshihen ekuacione e thënie, ide e të thëna, mendime e konkluzione. Kjo punë e mirëfilltë intelektuale edhe pse ka kaluar gati një dekadë, sjell sugjerime, vështrime dhe instrumente se si shoqëria përmes informacionet the “neuroneve përcjellëse” mund të bëhet më e mirë, më e paqtë dhe më e dobishme për të gjithë. Libri në fjalë është “dekoratë” e merituar për Diana Gëllçin, që është një emër i nderuar në shtetin e Miçiganit në fushën e edukimit. Në 307 faqe të këtij libri, sheh punën e palodhur të autores, për të evidentuar jo thjesht metodat dhe mënyrat e bashkëveprimit të rrjeteve të ndryshme e kulturave në shoqërinë e sotme të digjitalizuar, por edhe mjaft konkluzione interesante dhe po aq të dobishme.
Ndihesh mirë kur shfleton një punë të tillë realizuar nga një shqiptare në Amerikë. Nuk e di se sa vëmendje mund të ketë pasur kjo arritje e Diana Gëllçit, nga administrata e arsimit në Shqipëri, por nëse është injoruar, dëshmon përsëri se ne mbetemi “bashibozukë” të vlerave tona. Uroj që ky punim disertacioni së paku të jetë arshivuar dhe inventarizuar në analet shkencore e kërkimore shqiptare, sepse nuk është thjesht një arritje private e Diana Gëllçit, por një dëshmi e forcës të njeriut në liri. Natyrisht Diana Gëllçi, PhD nuk është as Mira Murati, as Dua Lipa, që të bëjë zhurmën e radhës në Tiranë, por një shoqëri që nuk vlerëson kontributet modeste të individit të thjeshtë, por bredh thjesht pas “Famave botërore”, sipas mendimit tim, ka humbur “dyshemenë” e vet duke mbetur në një rënie të lirë, që nuk të ngjitet dot kurrë në “kuadratet e qiellit” që i përshkruan aq bukur poetja me PhD, Diana Gëllçi.
Ne e kemi fjalën e urtë: “Gurë, gurë – bëhet kalaja”(jo si legjenda “Rozafa” !!!..). Ndaj nuk mund të heshtja karshi një prurje intelektuale e dinjitare, që dëshmon punë, talent, këmbëngulje dhe arritje nga një shqiptaro-amerikane, e cila ABC-në e fjalës e mësoi në Shqipëri, në Kolonjën e qytetërimit tonë.

Shefqet Meko
Minneapolis, MN, USA Gusht 2025, 10 Gusht 2025

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button