Ekonomia

Prurjet e Drinit ulin 75% importin e energjisë, nis eksporti me Kosovën

Komani dhe Vau i Dejës, me kapacitet të plotë. Fierza e ndalur. Privatët katërfishojnë prodhimin

Nga Zamir Alushi

Shtimi i ndjeshëm i reshjeve në orët e fundit, përveç përmbytjeve, ka anën tjetër të medaljes, që është rritja e prodhimit të energjisë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi dje se ka ulur importin e energjisë dhe po e shfrytëzon këtë situatë optimalisht, duke i trajtuar prurjet nëpërmjet ngarkimit maksimal të mundshëm të agregatëve të vet.

Importi dhe eksporti

Sipas njoftimit të KESH, është reduktuar me rreth 75% importi i energjisë elektrike të kontraktuar për periudhën kohore 2-15 janar 2016, për t’i rimarrë në një kohë të përshtatshme gjatë javëve në vijim. Shtyrja në kohë e importit të energjisë nuk do të sjellë kosto për korporatën. Në kushtet aktuale me prurje të mëdha dhe pas reduktimit të importit, po prodhohet energji (me kapacitetet gjeneruese të HEC Koman dhe HEC Vau Dejës) për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë vendas dhe njëkohësisht për të optimizuar bilancin energjetik mes KESH dhe KEK (korporata e Kosovës) në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të shkëmbimit. “Me përjashtim të rasteve kur sistemi do të ketë nevojë për më shumë energji, HEC Fierzë do të mbahet i ndalur me qëllim grumbullimin e rezervës ujore dhe lehtësimin e veprimeve operacionale për menaxhimin e situatës në dy HEC-et e tjera”, deklaron zyra e shtypit e KESH-it. Përveç administrimit të riskut hidrologjik në kaskadën e Drinit, KESH po kujdeset dhe riskun që vjen nga HEC-et e vogla private dhe koncesionarë, të cilët kanë katërfishuar kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike brenda një harku kohor prej 24 orësh (nga 50 MW në mbi 200 MW). Para nisjes së reshjeve, KESH po përballej me rënien e shpejtë të rezervës ujore, që e alarmoi edhe qeverinë. E gjendur para këtij shqetësimi, qeveria u detyrua të ndryshonte buxhetin e vitit të 2015 duke zhvendosur në fund të  dhjetorit 2 miliardë lekë për KESH-in për blerje energjie. Në katin normativ të qeverisë në 28 dhjetor 2015, saktësohej se nga kjo shumë, 1 miliard lekë jepeshin hua në formën e transfertës.  Ndonëse kaskada vazhdon të mbetet në nivele të ulëta, reshjet e dendura gjatë orëve të fundit e kanë përmirësuar situatën hidrike në vend. Por, Korporata Elektroenergjitike për të mbuluar nevojat si pasojë e mungesës së prodhimit të energjisë në vend, vetëm për dy javët e para të janarit, ka blerë energji në vlerën e 5.1 milionë eurove me një çmim mesatar 60 euro për megavat/orë.

Prurjet

Sipas të dhënave zyrtare të sektorit të operimit dhe monitorimit të Kaskadës së Drinit, në orën 13:00, niveli i HEC Fierzë ishte 277.89 (1.4 m më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet janë rreth 1800 m3/sekondë (nga rreth 130 m3/sekondë, 24 orë më parë). Në HEC Koman niveli ishte 173.35 m, (1.8 m më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet anësore janë rreth 600 m3/sekondë (nga rreth 120 m3/sekondë, 24 orë më parë). Ndërkohë, në HEC Vau i Dejës niveli ishte 75.02 m3/sekondë, (0.2 m  më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet anësore rreth 440 m3/sekondë (nga rreth 270 m3/sekondë, 24 orë më parë). KESH njofton gjithashtu se po ndjek dhe monitoron nga afër situatën në HEC-et e Kaskadës së Drinit për të menaxhuar në mënyrë optimale prurjet, njëkohësisht duke kontribuar në uljen e rrezikut nga përmbytjet.

Situata

Privatët

HEC-et private dhe koncesionare kanë katërfishuar kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike brenda një harku kohor prej 24 orësh, nga 50 MW në mbi 200 MW.

Importi

KESH deklaron se reduktoi 75% importin e kontraktuar. Vetëm për dy javët e para të janarit është blerë 5.1 milionë euro energji me çmim mesatar 60 euro/MW/h

Niveli

Deri dje, në orën 13.00. Niveli i HEC Fierzës ishte 277.89 (1.4 m më i lartë se 24 orë më parë) dhe prurjet janë rreth 1800 m3/sekondë, nga rreth 130 m3/sekondë, 24 orë më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button