Kryeartikull

Pse ‘The Times’ dhe ‘Bild’, u zgjuan pas vendimit të Gjykatës së Tiranës?

Nga Mero Baze

Dy gazeta të njohura europiane, ”The Times” e Londrës dhe tabloidi i frikshëm gjerman “Bild”,  po sillen sikur nuk e kanë dëgjuar, që Gjykata e Tiranës e mbylli pa gjykim akuzën ndaj lobimit të paguar nga rusët, për llogari të Partisë Demokratike.

Të dy gazetat, theksojnë faktin se lobimi ishte i orientuar kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Dhe po ashtu i referohen fort faktit që kontrata është e firmosur nga Lulzim Basha dhe se SHBA-të i konfirmojnë zyrtarisht pagesat.

Fushata e re e shtypit Perëndimor, ka nisur menjëherë pasi në Tiranë një gjykatë e mbylli këtë çështje përmes disa procedurave të porositura mes prokurorëve dhe gjykatësit, që shkaktuan pezullimin e çështjes pa e gjykuar atë, nën arsyetimin se fakti nuk egziston.

Fakti që të dy gazetat shkruajnë sikur ky gjyq nuk ka ndodhur, dhe nuk e marrin fare në konsideratë, është jo vetëm një shuplakë për drejtësinë në Shqipëri, por dhe një shqetësim që me sa duket po kristalizohet në Perëndim, rreth faktit që rusët mund të kenë paguar para për arsye politike kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Sido që të jetë, rihapja e këtij problemi nga shtypi Perëndimor, që në fakt është i pari që e zbuloi skandalin, tregon se Lulzim Basha duhet të përballet me këtë problem pavarësisht manovrave procedurale në Gjykatën e Tiranës.

Ai do të përballet  fillimisht me këtë problem si një histori korruptive që po hetohet në Skoci dhe SHBA. Pastaj do të përballet dhe politikisht, nëse provohet që rusët kanë paguar pikërisht për shkak të axhendës që kishte kontrata e Lulzim Bashës, me lobistin Nick Muzin.

Kjo e dyta do t’i rëndojë dhe më gjatë në jetën e tij politike nëse provohet.

Versioni i tretë, ai që ne mendojmë të gjithë se është i vërtetë, që për llogari të Lulzim Bashës, ka paguar miku i tij turk Alptekin, tashmë i kërkuar nga SHBA, dhe lobisti i tij ka përdorur rusët për të fshehur paratë, pastaj e bën dhe më banale historinë. E bën banale, pasi tregon se sa i papërgjegjshëm mund të jetë një njeri, që për të justifikuar disa para të ofruara qyl, është gati të marrë përsipër telashe të tilla që janë më të rënda si telashe politike e gjeopolitike, se sa kriminale.

Krimi më i lehtë i Lulzim Bashës në këtë histori, është t’i ketë çuar paratë cash tek lobisti dhe ai t’ia ketë marrë përsipër të gjejë vetë burimin e dhuratës.

Në këtë rast mund ta marrim me mend, se ai e ka prerë në besë duke e ngatërruar me rusët. Por fakti që Lulzim Basha nuk bën padi ndaj Nick Muzin dhe nuk thotë asnjë fjalë të keqe në adresë të tij, fatkeqësisht provon se ai ja ka lënë atij në dorë fatin e vet.

Dhe ai duket se i ka rezervuar një fat të hidhur të cilin nuk e zhbën dot Gjykata e Tiranës. Siç shikohet, të gjithë në Perëndim, bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar atë vendim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button