Putin dhe Berlusconi shijuan verën 240-vjeçare
Prokurorët ukrainas po përgatisin aktpadinë ndaj drejtueses së një kantine vere në Krime, e cila thuhet të ketë hapur një shishe 240-vjeçare për Vladimir Putin-in dhe Silvio Berlusconi-n.
Presidenti rus dhe ish-kryeministri italian e kaluan fundjavën që shkoi në gadishull duke vizituar rrënojat e lashta. Pas kësaj, kanë ndaluar në kantinën e famshme Massandra, e cila përpara aneksimit të Krimesë nga Rusia marsin e 2014-s, ishte pronë e qeverisë ukrainase.
Berlusconi ka pyetur nëse mund të shijonte verën e çmuar të vitit 1775, të ruajtur me shumë fanatizëm.
Prokurorët ukrainas thonë se bëhet fjalë për një prej 5 shisheve të tilla ekzistuese, që kushtojnë secila 90.000 dollarë e që sipas tyre, nuk janë vetëm trashëgimi e Massandras apo Krimesë, por e të gjithë popullit ukrainas.