Qeni që shpëtoi nga zjarret mbi 100 koala tërhiqet pas një dekade shërbimi
Një qen australian, i cili vlerësohet se ka shpëtuar mbi 100 koala nga zjarret në pyje, po del në pension pas një dekade shërbimi, skruan afpnewsagency.
Bear, një qen 11-vjeçar i racës Australian Koolie, ishte një nga qentë e parë në vend që u trajnuan për të dalluar aromën e leshit të koalave.
International Fund for Animal Welfare e cilësoi përdorimin e qenve për të zbuluar koalat si një qasje “novatore”.
Aftësitë e Bear ndihmuan në shpëtimin e mbi 100 koalave gjatë zjarreve të mëdha të njohura si Black Summer bushfires, të cilat përfshinë pjesën lindore të Australisë nga fundi i vitit 2019 deri në fillim të vitit 2020, duke djegur miliona hektarë tokë, shkatërruar mijëra shtëpi dhe mbuluar qytetet me tym të dëmshëm.
Ky “detektiv” me bisht që tundet, me një personalitet të gëzueshëm dhe paksa lozonjar, po del në pension me një listë të gjatë çmimesh — përfshirë “Animal of the Year” dhe “Australian Dog of the Year”.
Ai është gjithashtu protagonist në një dokumentar të quajtur “Bear: Koala Hero” dhe në librin “Bear to the Rescue”.
Bear do të nisë një kapitull më të qetë të jetës në Sunshine Coast, së bashku me një nga trajnerët e tij të mëparshëm, duke marrë përkëdhelje dhe duke luajtur lojën e tij të preferuar, kapjen e topit.
Një nga trajnerët e tij të mëparshëm, Romane Cristescu, tha se Bear ka qenë një “ambasador i palodhur për koalat për një dekadë”. /os/


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.