Qeveria “dorëzohet”, do të rrisë çmimin e energjisë për familjarët
Zbardhet vendimi, do të hiqet kuota 300 kwh. “Tarifa e sheshtë” për klientët shtëpiakë, kusht i marrëveshjes së huas me BERZH-in
Afati – Data e pagesës së principalit do të jetë çdo 1 mars dhe 1 shtator nga viti 2021 deri më 1 mars 2036
Nga Zamir Alushi
Qeveria nënshkruan rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët në këmbim të marrjes së një huaje prej 160 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në të njëjtin format marrëveshjeje, si me FMN-në, qeveria ka firmosur dhe ka pranuar një aneks që përmban programin dhe kushtet. Në fund të dokumentit të miratuar tashmë edhe nga Kuvendi, theksohet: “Asnjë tërheqje nuk bëhet nga transhi, përveç kur banka bindet: a) që programi po zbatohet nga huamarrësi dhe b) me përshtatshmërinë e kuadrit të politikës makroekonomike të huamarrësit”. Pra, BERZH-i ndërpret disbursimin e kredisë në çdo moment që mund të mbetet i pakënaqur nga shteti shqiptar. Sipas marrëveshjes, e cila zbardhet për publikun vetëm pasi ka kaluar të gjitha fazat e miratimit, qeveria shqiptare duhet të zbatojë një normë të sheshtë tarifimi për klientët shtëpiakë nga CEZ Shpërndarje. Ndërkaq, qeveria zotohet për menaxhimin e kredive me probleme të sistemit bankar; shlyerjen e detyrimeve të prapambetura; kryerjen reformë në sistemin e pensioneve; ngritjen e tatimit mbi fitimin; reformën në sistemin energjetik; forcimin e pavarësisë së autoriteteve të mbikëqyrjes së financave etj.
Çmimi i energjisë
Pika e fundit e programit që shoqëron marrëveshjen ka të bëjë me CEZ-in. Qeveria zotohet të ndryshojë tarifën për familjarët. Në fakt, nëpërmjet Entit Rregullator të Energjisë, qeveria ka nxjerrë vendimin nr. 146, datë 24.12.2013, që udhëzon CEZ Shpërndarje të zbatojë një normë të sheshtë për klientët shtëpiakë dhe CEZ ka filluar zbatimin e këtyre udhëzimeve. Çdo të thotë kjo? Vendimi në fjalë shtyn përcaktimin e tarifave të reja deri në fund të vitit 2014, ndërkohë që kërkon të dhëna nga CEZ për kostot, humbjet, investimet, që do t’i shërbejnë ERE-s për të vendosur çmimin e ri, i cili do të jetë i sheshtë për të gjitha familjet, siç e kërkon BERZH-i. Pra, do të hiqet ndarja me dy çmime për familjarët. Aktualisht tarifa e energjisë për familjet është 7.7 lekë/kwh deri në 300 kwh/muaj dhe 13.5 lekë/kwh mbi këtë kuotë. Sido që të vendoset tarifa e sheshtë, familjarët do të paguajnë më shumë, sepse hiqet kuota me çmim të diferencuar. Lidhur me reformën në energjetikë, Këshilli i Ministrave ka miratuar një strategji për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik në sektorin e energjisë, ndërkohë që është paguar një pjesë e detyrimeve të prapambetura të sektorit publik në sektorin e energjisë.
Programi dhe masat e ndërmarra
Qeveria ka ndërmarrë tashmë një sërë hapash sipas programit të nënshkruar me BERZH-in. Kështu, nëpërmjet Bankës Qendrore (BSH) është përshtatur një kuadër mbikëqyrës i bazuar në risk për të rritur kontrollin mbi bankat e nivelit të dytë dhe institucionet jobankare. BSH-ja ka nxjerrë vendimin e Këshillit Mbikëqyrës në shkurt 2014, i cili, ndër të tjera, urdhëron bankat që të përgatitin dhe miratojnë planet e rimëkëmbjes për të demonstruar aftësinë e tyre në operimin gjatë periudhave të stresit financiar. Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave ka dorëzuar në Parlament ndryshimet e ligjit për sigurimin e depozitave. Më tej qeveria ka përmbushur edhe një zotim tjetër, që ka të bëjë me biznesin. Këshilli i Ministrave ka dorëzuar në Parlament ndryshimet e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, i cili, ndër të tjera, qartëson zbritjen e taksave nga kreditë me probleme, në mënyrë që t’u mundësojë bankave që të fshijnë nga regjistrat kreditë e konsideruara të humbura. Ndërsa BSH-ja ka miratuar ndryshime të rregullores mbi administrimin e riskut të kredisë, të cilat, ndër të tjera, u kërkojnë bankave të çregjistrojnë kreditë me probleme që kanë qenë në “Kategorinë e humbjes për një periudhë trevjeçare”. Po kështu, BSH-ja ka nxjerrë tri udhëzime për ristrukturimin e kredive për bizneset, për ristrukturimin e kredive për individët dhe për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Po ashtu, BSH-ja ka nxjerrë një vendim të Këshillit Mbikëqyrës “Administrimi i riskut për ekspozimet madhore të bankave”, që forcon praktikat e sigurimit të kredive. Pra ndryshe nga sa deklarohet, është vetë BSH-ja që ka shtrënguar standardet e dhënies së kredive duke aplikuar masa të forta. Po kështu, në marrëveshje përfshihet edhe një udhëzim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për përcaktimin e tarifave të përmbaruesve privatë. Ky udhëzim është shfuqizuar pak kohë më parë nga Gjykata Administrative e Apelit. Qeveria ka kryer detyrat edhe për sa i përket ligjit mbi sigurimet dhe ndryshimet në ligjin e autoritetit të mbikëqyrjes financiare. Lidhur me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, qeveria ka bërë shpalljen për tender për një palë të jashtme të pavarur për të përfunduar një auditim të detyrimeve dhe të pretendimeve që nuk janë vlerësuar akoma, për shkak të dokumentacionit të kundërshtueshëm ose të paplotë. Ndërkaq, sipas marrëveshjes, Parlamenti ka rritur tashmë normën e tatimit mbi të ardhurat e shoqërive nga 10% në 15%. Lidhur me reformimin e sistemit të pensioneve, qeveria ka finalizuar një dokument politikash, që përcakton drejtimin strategjik për reformën e pensioneve. Vetëm pak ditë më parë u miratua ndryshimi i ligjit për sigurimet shoqërore.