Kosova

Qeveria e Kosovës miraton Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së

Qeveria e Kosovës miratoi sot Programin Kombëtar të Republikës së Kosovës për zbatimin e MSA-së, dokument ky i cili u tha se është një nga detyrimet bazë ligjore që rrjedh prej Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili paraqiti për miratim këtë program njoftoi se dokumente të njëjta kanë hartuar pa përjashtim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kurse metodologjia e dizajnuar nga Ministria e Integrimit ka thënë se mbështetet në përvojat më të mira të vendeve fqinje.

“Programi mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe në përputhje me kërkesat e MSA-së, e cila do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2016, ky program ka percaktuar strukturën, përmbajtjen, përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së secilit veprim”, tha Çollaku në mbledhjen e qeverisë.

Ai ka njoftuar se ky program përbëhet prej tre blloqeve: Kriteret Politike; Kriteret Ekonomike dhe Standardet Evropiane apo përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis.

Pasi ka sqaruar strukturën e këtij dokumenti, Çollaku ka vlerësuar se qëllimi parësor i Programit është zbatimi i MSA-së, prandaj ka thënë se masat në kuadër të tij janë në pajtim me kornizën kohore të zbatimit të MSA-së gjatë pesëvjeçarit të parë të zbatimit të MSA-së.

“Programi parashikon hartimin apo plotësim-ndryshimin e 83 ligjeve gjatë vitit 2016. Po ashtu do të miratohen, ndryshohen, plotësohen mbi 190 akte nënligjore, dy amandamentime kushtetuese dhe dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare”, ka shpjeguar ai.

Ndërkaq pas miratimit të Programit, me fillimin e zbatimit të MSA-së, Kosova dhe BE ka thënë se do të vendosin strukturat e përbashkëta formale, të nivelit politik, të cilat do të jenë forume ku do të diskutohet rregullisht zbatimi i marrëveshjes.

“Këto struktura do të përbëhen nga Këshilli i Stabilizim Asociimit, Komiteti për Stabilizim Asociim, Nënkomitetet për Stabilizim-Asociim, si dhe Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim. Në përbërjen e tyre do të jenë të përfaqësuara të gjitha institucionet vendore përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të MSA-së në fushat përkatëse”, informoi Çollaku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button