Qeveria po përgatit Samitin e Diasporës.

Lexojeni mirë. Qeveria përgatit Samitin e atyre që janë larguar nga Shqipëria për pakënaqësi ndaj qeverisjeve të 35 viteve. Këta “përfaqësues” të diasporës në shumicën e rasteve janë përzgjedhur nga ata më të zellshmit në grabitjen e pasurive të emigrantëve. Në drejtues shoqatash, fondacionesh, shkollash shqipe, në përfitues fondesh nga shtetet ku jetojnë, fondesh nga Shqipëria dhe tarifash studimi për fëmijët. Sistemi i ngritur në këtë rrjet i ngjan dhe pa dyshim është një sistem i pastër kriminal mafioz në shërbim të votave. Jo më kot këto Samite dhe “nderimet” që u bëhen eksponentëve të ndryshëm, bëhen gjithnjë 6-12 muaj para zgjedhjeve. Është një sistem i mbështetur në parimin e kartonave dhe dekoratave plus parave, që jepen nga buxheti i shtetit pa kursim.
Le ta analizojmë me kujdes.
Para disa vitesh, në prag të miratimit të votës së emigrantëve, Rama i parapriu me emisarë nëpër diasporë dhe krijimin e një përfaqësie që do të vihej në krye të Diasporës. Të kësaj Diaspore që nuk përfaqëson asnjë diasporë tjetër përveç asaj që do Rama. Më parë, nëpërmjet rrjetit të shkollave shqipe nëpër botë dhe premtimit që tekstet shkollore do të financoheshin nga buxheti i shtetit, krijohen, gjithnjë nën mbikëqyrjen e Qendrës së Botimeve të Diasporës, përkatësisht Mimoza Hysa, Këshillat Koordinuese të Arsimtarëve të Diasporës (KKAD). Kush u fut në këto këshilla e kush i drejton. Në të gjitha strukturat shkollore në Diasporë, të cilat funksiononin edhe para këtyre strukturave paralele të shtetit amë, u futën njerëzit e Mimoza Hysa dhe Rita Petro (Mirela Kumbaro, Edlira Kokona). Madje në disa shtete, u zhbënë strukturat ekzistuese dhe u rikrijuan nga zero të reja me mbështetjen e Përfaqësive diplomatike.
Kështu ndodhi në Zvicër, ku një qytetar nga Kumanova u përzgjodh kundra ligjit për Diasporën të jetë kryetar i KKAD atje. Personi në fjalë merrte letra garancie nga Konsullata në Zvicër dhe me këtë garanci merrte ambiente me qira për të hapur shkolla shqipe. Hapim një parantezë për të shpjeguar si funksionon në diasporë krijimi dhe “rekrutimi” i fëmijëve që duan të mësojnë shqip.
Shoqata të ndryshme e kanë biznes. Madje shumë syresh, shumica, marrin fonde nga shteti ku jetojnë në formën e ndihmës për të hapur këto shkolla. Tarifa për fëmijët paguhet nga prindërit. Arsimtarët, mësuesit kanë qenë vullnetarë, ndërsa sot shoqatat i paguajnë me orë, nga 10-20 euro (£-$) në orë. Para që rrjedhin nga pagesat e prindërve për fëmijët e tyre. Ambientet sigurohen nga shoqatat dhe qiraja e tyre paguhet po nga shoqata. Sa më e lirë qiraja, më pak shpenzime ka shoqata dhe për derivat më shumë të ardhura ka drejtuesi i shoqatës, që në shumicën e rasteve është padroni, zoti i shoqatës. Plus ndihmave nga shteti, ky person pasurohet nëpërmjet shkollimit të fëmijëve.
Këtë sistem ndoqi edhe Mimoza Hysa me Vaxhid Sejdiu nga Kumanova, që e bëri kryetar të KKAD në Zvicër.
Shkollat e tjera përballë kësaj loje me buxhetin e shtetit dhe ndihmën nga Ambasada jonë atje u mbyllën. Kësisoj fëmijët dhe arsimtarët shkuan në shkollat që hapi Mimoza e QBD me ushtarin e saj nga Kumanova. Ky tani i shërben asaj për qëllime private, për t’i shitur libra tek mësuesit (që detyrohen t’i blejnë, ndryshe humbin punën) dhe të akaparojë vota për qeverinë.
E tillë, pak a shumë, është situata në të gjitha shtetet e botës ku ka shqiptarë.
Çmimet e librave.
Po të lexosh tabelën e çmimeve të librave shkollorë që financohen nëpërmjet buxhetit të shtetit, do të lexoni: një abetare 25 euro, një tekst i gjuhës shqipe 47 euro, etj., etj., por të gjitha çmimet janë skandaloze, aq sa një fëmije shqiptar i duhen më shumë para se një studenti në Oxford për libra. Por ka menduar qeveria. Ajo ua jep “falas”. Paguan qytetari shqiptar.
Mjafton që shkollat shqipe të shoqatave që përmenda më sipër të paraqesin kërkesën një herë në vit, mars, prill, maj. Kërkesa paraqitet te KKAD, më pas sigulohet në Përfaqësitë Diplomatike, pastaj në QBD dhe i kalon shtëpisë botuese Albas, Rita Petro, që ka “fituar” ekskluzivitetin që më 2013 e vetme deri para dy vitesh, kur i “hyri në pjesë” shtëpia botuese Pegy. Tekstet përgatiten nga Albas dhe recensionohen nga një a dy mësues të diasporës. Vitet e fundit, prej cilësisë së dobët të teksteve, qokave për qëllime korruptive dhe elektorale që bëjnë Mimoza Hysa e Rita Petro, disa mësues janë “rebeluar” dhe nuk kanë pranuar të bëjnë recensionin. Për këtë ata janë larguar nga sistemi KKAD si ndëshkim dhe është “përzgjedhur” grup tjetër. Kjo ndodhi me mësuesen e licencuar në Gjermani Etleva Gerbi Mançe, e cila jo vetëm u “rebelua” por nxori në pah disa nga makinacionet korruptive të sistemit të krijuar nga Mimoza Hysa e Rita Petro.
Ndërthurja e QKLL, QBD dhe shtëpive botuese Albas me dakordësinë e qeverisë, ose segmenteve të saj.
Përveç parave që përfitojnë nga shitja e librave “për llogari” të shtetit, që paguhen nga buxheti i shtetit, loja e pisët korruptive në sistem të organizuar mafioz e këtij klani zhvillohet intensivisht edhe në sektorin e librit artistik.
Nëpërmjet jurive për çmimet kombëtare, fondeve të përkthimit, fondeve për botime në gjuhën shqipe, futjes së emrave në tekstet e librave shkollorë dhe tek studentët shqiptarë të universiteteve nëpërmjet sistemit të “librave të detyrueshëm që duhen lexuar (nuk blerë)”, anëtarët e këtij klani ndikojnë drejtpërdrejt në karrierën e shkrimtarëve dhe poetëve të mbarë kombit. Në të gjitha juritë e ngritura nga QKLL futen njerëzit e tyre në mënyrë që të japin verdiktet që ata duan. Mësues të diasporës që “fitojnë” çmime kombëtare e më pas bëhen recensentë të librave shkollorë, kur ato refuzohen nga të tjerë. Kështu rasti i Entela Tabaku është më domethënës. E bënë “fituese” të çmimit të madh të poezisë, edhe pse me një vëllim mediokër aq sa s’dinte as domethënien e titullit dhe vitin tjetër ajo ishte redaktore e tekstit të gjuhës në librat e Albas. Po ashtu emrat e ish diplomatëve të ambasadave shqiptare, meqë u kanë shërbyer për misionet e sipërpërmendura, i gjen rëndom fitues çmimesh, por natyrisht edhe në listën e autorëve të sugjeruar. Bashkëpunimi mes tyre është konstant e mjaft të përmendim shkrimtarin, ish diplomatin, Luan Rama, që pasi bashkëpunon me QBD dhe Albas, përkthen vëllimin “Vrima” të Rita Petros në frëngjisht duke i hequr vulgaritetin që në titull, “L’Origine”, e më pas Petro fut në tekstet shkollore krijimet e Ramës dhe ai bëhet autor i sugjeruar për studentët shqiptarë nga Ministria e Arsimit. Pavarësisht se meriton apo jo, metoda e përzgjedhur është korruptive dhe në një klan të organizuar mafioz.
Kështu veprohet me anëtarët e jurive, me shkrimtarë e poetë të ndryshëm, që shpesh janë një vit anëtarë ose kryetarë jurie e vitin tjetër fitues. Katër-pesë shtëpi botuese janë ato që determinojnë këtë aferë që lidhet me QKLL, me QBD dhe Ministrinë e Kulturës dhe Arsimit. E gjitha kjo për përfitime personale nga personat fizikë dhe përfitime politiko-elektorale nga ata përfaqësues të shtetit dhe qeverisë.
DIASPORA DHE PËRFAQËSIA E SAJ.
Që në krijim, përzgjedhja e tyre ishte përzgjedhje politike edhe pse për persona jo politikë dhe me banim jashtë shtetit.
Qokat e ndërsjella dhe bashkëpunimi midis anëtarëve të Kryesisë së Diasporës dhe QBD e Albas u dukën që në fillim. Përfaqësitë Diplomatike në Francë, Belgjikë, Paris, Londër, Milano, Athinë, New York, u kthyen në teatër të shfaqjeve groteske të promovimeve të autorëve të rekomanduar nga Mimoza Hysa e Rita Petro, por edhe të vetë atyre për krijimet e tyre personale, ku pjesëmarrës aktivë ishin disa anëtarë të Kryesisë së Këshillit Kombëtar të Diasporës. Rasti i Anila Hyka në Paris është domethënës dhe mjafton të shikosh aktivitetet e Maison D’Albany në Paris e Bruksel, pjesëmarrjet e promovimet, personazhet, për të kuptuar lidhjen mes tyre.
E gjithë struktura e Ministrisë së Jashtme Shqiptare u vu në shërbim të këtyre lidhjeve mafioze në shërbim personal dhe strukturor shtetëror, në shërbim të votës së emigrantëve. Shumë eksponentë të rëndësishëm të politikës shqiptare iu bashkuan “diasporës” me takime të shumta në prag fushate, por edhe para saj.
Pas fushate jo. Natyrisht, nëpërmjet levave të tyre në përfaqësi dhe QBD dhe KKAD etj., ata janë prezentë gjithmonë e kurdo.
Për arsyet sa më lart e të tjera që do t’jua rendis më tej, Samiti i diasporës që po përgatitet me bujë dhe me shpenzime nga buxheti i shtetit i shërben qeverisë shqiptare, Ramës dhe me “nënprodukte”, pasurimit të paligjshëm të disa eksponentëve që kanë luajtur lojën e politikës për pasuri e famë personale. Fakti që në podium do të jetë vetë “shkëlqesia e saj” Rita Petro dhe ndonjë kryetar shoqate nga Londra, që përfiton 86 mijë pound në vit nga shteti britanik, që dikur denonconte Ritën se i ka marrë para për librat që duhej të ishin falas, e më pas tërhoqi padinë, më jep të drejtë në arsyetimin e këtij korrupsioni.
(Ndoshta kanë ngrënë kumbulla pas kurrizit të Ramës, por pas këtij denoncimi publik, nuk besoj se ai nuk e di)



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.