Opinion
Qeveria që u bë Burokraci
Popujt që nuk janë të lumtur më cilësinë e jetës që bëjnë fajësojnë kryesisht qeveritë që kanë zgjedhur. Kur qeveritë për një kohë të gjatë përsërisin veten, pra qeverisin njëlloj pa ndryshuar cilësinë e jetës, popujt ndëshkojnë veten. Kur mendojnë se nuk ka kohë të presësh sepse çdo qeveri që vjen do t’i ngjajë asaj që ikën, edhe ata ikin. Emigrojnë. Kur besojnë se ka edhe pak kohë, presin dhe votojnë kundër, duke ndryshuar qeveritë.
Do kisha dëshirë të besoja se shqiptarët nuk bëjnë përjashtim.
Por nuk është kështu. Në krahasim më shumë popuj të tjerë ata kanë ikur më shumë sesa kanë votuar kundër. Në 25 vjet i kanë ndryshuar qeveritë katër herë, pra më pak se gjithë popujt e tjerë perreth dhe kanë emigruar më shumë se gjithë të tjerët. Gati 30 për qind. Mbi 1 milion shqiptarë e kanë lënë Shqipërinë, jo se nuk kishin mundësi për të votuar, por se nuk kishin kohë për të pritur. Nga njëra zgjedhje në tjetrën. Kushdo që beson se shqiptarët i kanë dhënë kohë qeverive për të mbajtur premtimet e tyre e ka gabim. Shqiptarët kanë ikur pa pritur që premtimet të mbahen dhe kjo e bën gjendjen e tyre edhe më unike. Edhe më të pashpresë.
Fatkeqësisht ikja vazhdon. Vetëm gjatë vitit 2014 afro 2 për qind e shqiptarëve kanë ikur nga Shqipëria. Kjo është shifra më e lartë e rregjistruar në vitet e fundit. Nuk ka arsye të shpjegoj gjatë se pse, pasi ky pershkrim do ishte i dhimbshëm për shumë dhe romantik për pak, prandaj po e shmang. Po merrem më shifrat se ato nuk janë as romantike dhe as patetike, por të dhimbshme. Shqiptarët ikin se nuk kanë punë, nuk marrin shërbimet e duhura, paguhen më pak për të njëjtën punë që do të bënin diku tjetër, ikin se në përgjithësi nuk kanë shpresë se nesër do të jetë më mirë edhe pasi i ndryshojnë qeveritë.
Por unë besoj se sot jemi në një pikë tjetër. Shqiptarët kanë filluar të kenë edhe një dyshim të ri që ua bën ditën më të gjatë dhe jetën edhe më të vështirë. Çfarë vlere ka të zgjedhësh? Çfarë ndryshimi ka mes një qeverie dhe një tjetre? Ku ndryshon një qeveri më një burokraci?
Nëse do përpiqesha të gjeja një ndryshim mes qeverisë dhe burokracisë, do thosha se qeveria të nxit të besosh se politikat do ndryshojnë, se jeta do të jetë më e lehtë, se çmimet do jenë të përballueshme, se shërbimet do jenë më të lira, se do të ketë më shumë drejtësi, më shumë barazi dhe taksa më të drejta.
Ndërsa burokracia s’të jep shpresë. Burokracia e votuar është inerciale. Ajo mund të përmirësohet, por nuk është e detyruar të mbajë premtime. Burokracia nuk bën politika. Ajo nuk ndryshon peshën e taksave por vetem i mbledh ato, ajo nuk modernizon por vetëm administron, ajo nuk ndryshon policin por vetëm ndjek kriminelët, ajo nuk reformon shëndetësinë por mjekon, ajo nuk parandalon por pret, ajo nuk përmirëson librat por vetëm mban shkollat hapur dhe kërkon respektim të orarit, ajo nuk ndryshon sistemin e energjisë por të sjell faturën dhe të lidh sahatin aty ku ai mungon, ajo nuk qeveris por mban rregull, disiplinë dhe mbron rendin kushtetues nga kriminaliteti, epidemitë, nga pushtimet dhe grushtet e shtetit që mund t’i kanosen. Burokracia pra të mbron nga pushtimi por jo nga varfëria. Ajo të kuron por nuk të shëron. Burokracia shmang grushtin e shtetit por jo emigracionin. Ajo përgatit zgjedhjet por nuk garanton zgjidhjet. Këto janë vetëm disa ndryshime mes qeverisë dhe burokracisë. Njëra qeveris më politika, tjetra administron më rregulla.
Besoj se edhe sot ka arsye që shumë shqiptarë ta kenë kete dilemë. Kemi reforma apo rregulla? Kemi ndryshim apo inerci? Kemi qeveri apo burokraci? Pra në thelb pyetja është çfarë ka ndryshuar qysh se kemi shkuar në zgjedhje herën e fundit?
Dhe vërtet çfarë ka ndryshuar?
A ka më shumë punë apo më pak pas 18 muajsh në pushtet? A ka më shumë taksa apo më pak dhe kush paguan më shumë, të varfërit apo të pasurit? Kujt i bie pesha e buxhetit të shtetit, të varfërve apo të pasurve? A ka më shumë borxh publik apo më pak? Sa borxh është marrë në një vit e gjysëm dhe për çfarë është shpenzuar? Sa është rritur ekonomia? A është shpenzuar më shumë apo më pak për shërbimet publike? A është zvogëluar apo është shtuar asistenca sociale? A janë rritur çmimet apo janë lehtësuar? A kemi inflacion të kontrolluar apo deflacion të fshehur? A kushton më shumë apo më pak administrata shtetërore? Nëse kushton më shumë, çfarë shërbimesh ka përmirësuar dhe nëse kushton më pak, nga çfarë shërbimesh të panevojshme jemi çliruar? A ka më shumë investime të huaja apo më pak? A kanë ikur më shumë njerëz nga Shqipëria apo më pak?
Meqë vendosa të pyes duhet të pergjigjem, megjithëse pyetjet janë të mijat ndërsa përgjigjet jo.
Unë nuk besoj se e kemi ulur papunësinë. Siç nuk besoj atë që thotë qeveria se në 18 muaj kemi punësuar 92 mijë shqiptarë sepse nëse do e besoja këtë shifër duhet të besoja se çdo muaj kemi hapur punë për 5 mijë veta dhe çdo ditë kemi shtuar 170 vende pune dhe afërsisht çdo orë në 24, të paktën 7 shqiptarë gjejnë një vend pune.
Unë nuk besoj se të varfërit paguajnë më pak taksa në përgjithësi sepse megjithëse taksat mbi punën pra mbi pagën e tyre janë ulur, taksat mbi konsumin janë rritur, që do të thotë se një numër i madh mallrash dhe produktesh janë sot më të shtrenjta nga çfarë duhet të ishin, gjë që i rëndon më shumë të varfërit që janë konsumatorët më të medhenj. Dhe mjafton të marr çmimin e energjisë i cili perveçse është rritur mesatarisht, nga ana tjetër ka rrëzuar kokëposhtë edhe trampolinën barazitiste mbi të cilën qeveria kërceu për të ardhur në pushtet. Nëse parimi, kush fiton më shumë paguan më shumë u aplikua në rastin e pagave, ai u pembys në rastin e çmimit të rregulluar të energjisë. Thënë ndryshe, çmimi i energjisë ishte progresiv, me shkallë, ndërsa tani është i sheshtë, flat, apo mesatarizues për të gjithë, ndërkohë që taksat ishin të sheshta apo flat dhe u bënë progresive. Dhe ky parim nuk u përmbys nga tregu por nga qeveria. Më saktë nga burokracia, e cila ndryshe nga qeveria i trajton të gjithë njëlloj, pra të gjithë klientë.
Unë nuk besoj se të pasurit po mbajnë peshën më të madhe në buxhetin e shtetit por përkundrazi janë sërish të varfërit ata që po kontribuojnë më shumë duke marrë më pak në formë shpenzimesh publike, të cilat nuk janë rritur as në arsim, as në shëndetësi, as në bujqësi, as në punë publike, as në subvencione, as në pagesë papunësie apo asistence sociale. Nëse nuk janë pakësuar siç nuk duhej, nuk janë rritur siç duhej.
Unë nuk besoj se kemi marrë borxh aq sa ç’duhej, por mendoj se kemi marrë më shumë për shkak të panikut, amatorizmit dhe mungesës së parashikimit. Borxhi publik është rritur me afro 7 për qind apo 1 miliardë dollarë në 18 muaj dhe pjesa më e madhe e tij nuk ka shkuar për investime të cilat nuk janë rritur, nuk ka shkuar as për paga dhe pensione të cilat janë sa ishin, dhe as për subvencione të cilat në shumë raste janë ulur. Opozita që donte të bëhej qeveri siç u bë, ishte kundër rritjes së borxhit, por burokracia e rriti borxhin sepse ajo është e verbër. Burokracia sheh nevojat dhe jo mundesitë. Per burokracinë të gjithë duhet të marrin borxh dhe të gjithë duhet ta paguajnë borxhin njelloj.
Unë nuk besoj se ekonomia është rritur në masën që pritej, megjithëse qeveria pretendon se rritja është 2.2 për qind shifra e mesatarizuar e FMN 2 për qind, e Berzh 1,4 për qind, e Komisionit Evropian 1.7 për qind, fakton se rritja është në kufijtë e 1.7 për qind në mungesë të investimeve të huaja që na rendisin të fundit në rajon në ditët e sotme. Sërish është efekti direkt i burokracisë e cila mjaftohet duke paguar çdo ditë funksionimin rutinë të administratës por jo rritjen, e cila i takon të nesërmes. Sepse burokracia nuk mendon për nesër por vetëm për sot. Ajo nuk rritet. Ajo vetëm ushqehet.
Unë nuk besoj se inflacioni që dëshmon oreksin e shëndetshëm të shoqërisë për të blerë dhe konsumuar, është i kontrolluar por përkundrazi rreziku që ai të kthehet në deflacion, pra mungesë konsumi, rënie besimi, kursim, ulje negative çmimesh dhe tkurrje kreditimi është shumë afër. Inflacioni sot është 0.7 për qind ndërkohë që parashikimi ishte 1.6 për qind. Çfarë ka bërë burokracia në këtë rast? Ka mbrojtur çmimet, jo blerësit. Të kundërtën duhet të bënte qeveria.
Unë nuk besoj se sot ka më pak shqiptarë që duan të ikin nga Shqipëria, por fatkeqësisht ka më shumë, sepse gjatë vitit 2014, 46 mijë prej nesh janë larguar dhe kjo shifër përbën gati 1.7 për qind të një popullsie 2.8 milion banorë dhe gati 5 për qind të 1 milion shqiptarëve të aftë për punë nën 50 vjeç. Nuk mund të them se i largoi qeveria, por sigurisht i lodhi burokracia e cila nuk jep shpresë por shkakton vetëm pengesë për të patur më shumë shpresë.
Thënë këto nuk besoj se në 18 muaj pushtet ne jemi qeverisur megjithëse jemi administruar. Për të qenë më i drejtë mund të thosha se jemi administruar mirë dhe jemi qeverisur keq. Sepse inercia e sistemit dhe e qeverisjes së kaluar e ka shtyrë qeverinë të shërbejë si burokraci më shumë se si qeveri. Prandaj sa herë që gjërat shkojnë keq, arsyet gjenden në të shkuarën. Kjo është pesha e inercisë. Për shkak të kësaj inercie që vazhdon, burokracia që qeveris ka sot më pak aleatë se ç’kishte qeveria që fitoi zgjedhjet dhe prandaj e ka të vështirë t’i përgjigjet pyetjes: Kush janë sot shtresat aleate të qeverisë, të cilat pas 18 muajve besojnë se jeta e tyre është përmirësuar për shkak të qeverisjes së mirë? Të varferit? Nuk besoj. Bujqit? Nuk besoj. Arsimtarët? Nuk besoj. Mjekët? Nuk besoj. Shtresa e mesme. Nuk besoj. Të pasurit. Nuk e di. Burokracia? Ajo është sigurisht aleatja e qeverisë. Në të vërtetë burokracia është vetë qeveria dhe kushdo që kërkon ndryshime në qeveri e ka gabim. Qeverija ka ndryshuar. Eshtë bërë burokraci.