Ekonomia

Qeveria, tender ndërkombëtar për rehabilitimin e 11 digave

Nga Zamir Alushi

RezervuariDrini, Buna dhe Semani janë lumenj që nuk zemërohen vetëm në poezinë e Nolit, por kanë shkaktuar shumë përmbytje dy dekadat e fundit. Më në fund, mbajtja e tyre nën fre është pjesë e një tenderi ndërkombëtar, për 31 milionë euro. Më 9 shtator, komisioni i prokurimeve në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, do të shpallë fituesin. Njëri komponent i projektit është hartimi i kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivel kombëtar dhe në basenet e lumenjve Drin, Buna dhe Seman. Por pjesa më e rëndësishme është rehabilitimi i 11 digave liqenore dhe lumore.

Financimi

Qeveria ka marrë financime nga Banka Botërore që mbulojnë koston e Projektit të Burimeve Ujore dhe ujitjes, ndërkaq ka gati një pjesë të fondeve për pagesat, sipas kontratës, për rehabilitimin e 11 digave të vendosura në Kukës, Berat, Fier, Korçë dhe Murriz- Thanë). Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë fton për oferta të mbyllura kompanitë e huaja dhe vendase për Rehabilitimin e 11 digave (të vendosur në Kukës, Berat, Fier, Korçë dhe Murriz Thanës) dhe skemave ujitëse përkatëse. Projekti i Burimeve Ujore dhe Ujitjes, financohet nga kredia e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) në shumën 31 milionë euro, granti SIDA në shumën 3.4 milionë euro dhe qeveria shqiptare 6.2 milionë euro, për mbulimin e TVSH-së dhe kostos lokale. Kredia është bërë efektive më 13 maj 2013 dhe granti më 23 gusht 2013.

Projekti

Dy janë shtyllat e rehabilitimit kombëtar që do të kryhet për herë të parë në këtë nivel: i) Hartimi i kuadrit strategjik për menaxhimin e burimeve ujore në nivel kombëtar dhe në basenet e lumenjve Drin, Buna dhe Seman; ii) përmirësimi i performancës së infrastrukturës ujitëse në një sipërfaqe prej 46,000 ha, ku përfshihen skemat ujitëse që mbulohen nga rezervuarët: P’lan, Vranisht 2/3, Tregtan

në Rrethin e Kukësit; Murriz Thana në Lushnjë; Kurjan dhe Zharrëz në Fier; Belesova, Duhanas, Staravecka e Slanica në Berat; dhe Koshnica e Leminot në rrethet Devoll e Korçë. Në projekt  parashikohet edhe studimi i skemës ujitëse të fushës së Xarrës në Rrethin e Sarandës. Rehabilitimi i digave bëhet në një kontratë të vetme dhe parashikohet që për këtë qëllim të disbursohet deri në fund të vitit 375 milionë lekë. Paralelisht ministria do të kontraktojë me tender edhe një kompani për mbikëqyrjen e punimeve të digave. Kontrata parashikohet të lidhet në të njëjtën kohë me fillimin e punimeve të ndërtimit dhe pritet të disbursohen 12.5 milionë lekë. Për studimin e fizibilitetit dhe projektet e zbatimit për sistemin e ujitjes dhe kullimit janë disbursuar 73 milionë lekë dhe janë lidhur kontratat. Përgatitja e planeve të menaxhimit socialo-mjedisor është një tender tjetër shoqërues dhe kontrata pritet të lidhet në tetor 2014, për të cilin janë caktuar 17.5 milionë lekë. Një projekt plotësues është edhe ngritja e bordeve të kullimit dhe pajisja e tyre me infrastrukturë mbështetëse, kompjuterë, pajisje hidrologjike, për të cilat janë planifikuar 33.6 milionë lekë.

Punimet

• Rehabilitimi i digës Murriz Thanë në Lushnjë.

• Rehabilitimi i digave në Fier Zharrëz, Kurjan Strume.

• Rehabilitimi i digave në Berat, Belesove, Duhanas.

• Rehabilitimi i digave në Kukës. Vranisht, Tregtan 3, Tregtan 2.

• Rehabilitimi i digave në Korçë, Koshnicë, Leminot

Related Articles

Nje koment

  1. Perseri investimet vetem ne jug po veriu ka problemet me digat sidomos rrethi i sjkodres qe ka digen e shtodrit e cila eshte ne rrezik zerioz, dgen e rragamit,dhe nuk permenden asgjekundi,kurse per permbytjet do te kalohet ne heshtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button